Feston edhe Tuneli i Parë-asfaltohet rruga në gjatësi prej 1.100 metra

Mitrovica

Feston edhe Tuneli i Parë-asfaltohet rruga në gjatësi prej 1.100 metra

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 18:03
Bahtiri, përurimi rrugës

Edhe banorët e Lagjes “Tuneli i Parë”, ata që jetojnë përgjatë lumit Trepça, që nga fillimi i Flotacionit e deri përtej tij, kanë pas të mërkurën festë. Ata bashkë me kryetarin e komunës, Agim Bahtiri, nënkryetarin Safet Kamberi dhe drejtorin e Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, kanë përuruar rrugën e asfaltuar.

Banorët i thanë kryetarit Bahtiri se nuk kanë besuar ase rruga do të asfaltohet, pasi që atyre më parë disa nga kryetarët ju kishin thënë gjatë fushatës zgjedhore se do t’u asfaltojnë rrugën, por kjo nuk kishte ndodhur.

“Kur ju na thatë para një viti se rruga do të asfaltohet në vitin 2016, ne e morëm këtë me skepticizëm. Por, ja tash u bindëm se ju e mbani fjalën dhe ne ju falënderojmë shumë për këtë”, , tha i riu Muhamet Zeneli.

Ai shtoi në vazhdim se rruga ka qenë shumë e dëmtuar dhe gjatë dimrit ka paraqit rrezik të madh për këmbësorët dhe automjetet. “Siç po e shihni, rruga shtrihet përgjatë lumit dhe gjatë dimrit bëheshin gropa të mëdha, shtresa e akullit e mbulonte rrugën të tërën. Shpesh ka ndodh që këmbësorët të gjenden në lum nga rrëshqitja. Vërtet kishim telashe të mëdha, por që falë komunës e kryetarit Bahtiri, tashmë nuk i kemi ato”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari Bahtiri ju tha banorëve të atyshëm se komuna vetëm po e përmbush ndaj tyre obligimin që ai si kryetar e kishte dhënë, jo vetëm ndaj tyre, por ndaj shumë qytetarëve të tjerë në të gjitha anët e komunës.

“Jemi në vlugun më të madh të punimeve për asfaltimin, kubëzimin dhe meremetimin e rrugëve në shumë lagje brenda e në periferi të qytetit, si dhe nëpër vendbanime e fshatra të tjera të komunës. Vetëm në vendbanimin tuaj kemi rregulluar gjatë këti viti disa rrugë. Janë dhjetëra rrugë në përfundim e sipër për tu asfaltuar, ndërkohë që dhjetëra të tjera tashmë i kemi përuruar. Sivjet është viti me investime më të mëdha në infrastrukturën rrugore në komunë që nga pas lufta e këndej. Vlera e rregullimit të këtyre rugëve kap shumën prej mbi 2.7 milionë euro gjatë këtij viti”, tha ai.

Rruga e përuruar është në gjatësi prej rreth 1.100 metra, gjerësi prej 4.5 metra dhe trashësi të asfaltit prej tetë centimetra. Për rregullimin e saj komuna ka shpenzuar rreth 70.000 euro.

Në këtë lagje ka mbetur për tu rregulluar edhe ndriçimi i rrugës, për të cilën kryetari Bahtiri tha se do të angazhohet që të siguroj mjete. Do theksuar se çmimi i asfaltit të shtruar nëpër rrugë, është dukshëm më i lirë se në të kaluarën, kur në pushtet kanë qenë të tjerët.

 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat