Veprimtari mitrovicas dhuron 500 kompjuterë për shkollat dhe OJQ-të e kësaj komune

Mitrovica

Veprimtari mitrovicas dhuron 500 kompjuterë për shkollat dhe OJQ-të e kësaj komune

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 16:31
Fitim Ismajli dhe Agim Bahtiri

Të shtunën ka përfunduar shpërndarja e 500 kompjuterëve, të cilat në Mitrovicë i ka sjell veprimtari nga Mitrovica, me qëndrim në Holandë, Fitim Ismajli, drejtor i Shkollës Norderpoort nga Groningeni i Holandës. Nga 500 kompjuterët e ardhur, 450 u janë shpërndarë institucioneve të arsimit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa që 50 të tjerë u janë dedikuar OJQ-ve dhe shoqërisë civile.

Komuna e Mitrovicës, përmes një komunikate për media, thotë se me këtë kontingjent të kompjuterëve pothuaj se janë përmbushur nevojat aktuale të shkollave të komunës për kompjuterë. Thuhet gjithashtu se ata janë shpërndarë në bazë të nevojave që i kanë paraqitur drejtorët e institucioneve komunale të arsimit, në takimin që kanë pas me kryetarin e komunës, Agim Bahtiri dhe veprimtarin Fitim Ismaili.

Kështu, Gjimnazi “Frang Bardhi” ka marrë 64 kompjuterë, aq sa kërkuar dhe me këtë i ka pajisur plotësisht dy kabinetet e informatikës që i ka pas pothuaj të zbrazëta. Nga 30 kompjuterë kanë përfituar shkolla teknike “Arkitekt Sinani” dhe ajo “Eqrem Çabej”, nga 25 shkolla “Ismail Qemajli” dhe ajo “Shemsi Ahmeti”, nga 20 kanë përfituar tri shkolla e kështu me radhë.

Vlera e kompjuterëve të dhuruar arrin shumën prej rreth 80.000 euro. Bamirësi Ismajli edhe më parë ka sjell nga Holanda donacione të shumta me vlerë prej dhjetëra mijëra euro, sikur ishte ai i para një viti kur dhuroi për shkollat e komunës së Mitrovicës 300 lap-topë.

Ismajli tha se nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtuesit tjerë të shkollës ku ai punon në Holandë, janë fare mirë të njohur me situatën e vështirë në shkollat e Mitrovicës, andaj edhe janë treguar shumë të interesuar që të ndihmojnë për përmirësimin e këtyre kushteve.

“Kolegët e punës dhe nxënësit me prindërit e tyre tashmë janë mësuar se unë interesohem për donacione të këtilla për Mitrovicën, prandaj edhe vet më ndihmojnë në këtë drejtim. Vlera aktuale e kompjuterëve që janë pak të përdorur në Holandë kap shumën prej mbi 80.000 euro”, tha ai.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoi Ismajlin për donacionin e dhuruar dhe për ndihmën e vazhdueshme që po i jep shkollës shqipe në komunë, tha se donacioni është shumë i rëndësishëm për modernizimin e shkollave të komunës dhe për përmirësimin e kushteve për mësim.

Ndërkaq, drejtorët e shkollave thanë se i janë mirënjohës veprimtarit Ismajli për dhurimin e kompjuterëve, duke u shprehur se me këtë pothuajse i kanë plotësuar nevojat për kompjuterë dhe se këta do të ndikojnë që shkollat të arrijnë rezultate më të mira në mësim në të ardhmen, ndërsa nxënësit të fitojnë njohuri të duhura nga fusha kompjuterike.

Sjelljen e kompjuterëve në Mitrovicë e kanë ndihmuar djemtë e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, të cilët kanë siguruar mjetet për transport të kompjuterëve në shumë prej mbi 2.000 euro. /BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat