Kuvendi i Komunës vendosi për hua marrje të kredisë afatgjate pa kamatë nga Qeveria e Austrisë

Mitrovica

Kuvendi i Komunës vendosi për hua marrje të kredisë afatgjate pa kamatë nga Qeveria e Austrisë

Më: 31 janar 2017 Në ora: 20:02
Kuvendi i Komunës vendosi për hua marrje të kredisë afatgjate pa kamatë nga Qeveria e Austrisë

Është mbajtur mbledhja e 40-të  e rregullt e Kuvendit të Komunës të cilën e udhëhoqi Bislim Imeri, kryesues. Përveç këshilltarëve të KK, në mbledhje ishin të pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Debati rreth rendit të ditës të propozuar nga kryesuesi i KK, Bislim Imeri, ka zgjatur plotë dy orë, pasi që grupi i këshilltarëve të PDK-së  pati dy propozime të reja lidhur me rendin e ditës.

Propozimi i parë ishte që nga rendi i ditës të hiqet Propozim-vendimi për miratimin e vendimit për marrjen e kredisë pa interes (sipas marrëveshjes së lidhur mes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Austrisë) për Projektin “Ndërtimi i kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industrial në disa rrugë të Mitrovicës”, me arsyetim se duhet biseduar më gjerësisht për projektet që parashihen të realizohen me këtë kredi, andaj edhe duhen përgatitje më të mira dhe kjo mund të bëhet në mbledhjen e ardhshme.

Ndërkaq, propozimi tjetër i grupit të këshilltarëve të PDK-së në KK, ishte që të shkarkohet Komisioni i formuar më parë nga KK për  dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në Zonën e Lirë Industriale në Frashër, me arsyetim se anëtarët e komisionit kanë bërë shkelje ligjore gjatë marrjes së vendimeve.

Ndonëse këshilltarët diskutuan rreth dy orë lidhur me propozimet e këshilltarëve të PDK-së, kryesuesi KK Bislim Imeri, me arsyetimin se propozimet janë në kundërshtim me Rregulloren e punës të KK, nuk i qiti në votim ato, por vetëm pikat e rendit të ditës që vet ua kishte dërguar këshilltarëve me ftesën për mbledhje. Pas këtij vendimi të kryesuesit, të gjithë këshilltarët e pranishëm nga radhët e PDK-së lëshuan mbledhjen, ndërsa këshilltarët e mbetur  vazhduan punimet sipas rendit të ditës të propozuar nga kryesuesi, të cilin e aprovuan njëzëri.

Para se të vazhdohet me shqyrtimin e pikave të propozuara të rendit të ditës, Fisnik Pllana, nga Lista e të Pavarurve dhe Hysen Musliukaj, nga Lëvizja Vetëvendosje  dhanë betimin si këshilltarë të rinj. I pari në vend të Ahmet Demajt, i cili ka kaluar me punë në Prishtinë dhe i dyti në vend të Faruk Mujkës, i cili është emëruar nga kryetari Bahtiri nënkryetar i komunës.

Në vazhdim të punimeve, të 22 këshilltarët e mbetur në sallë, shqyrtuan, miratuan dhe mbështetën materialet e parapara me rendin e propozuar të ditës.

Pika më e rëndësishme e rendit të ditës, rreth të cilës pati diskutime dhe propozime nga këshilltarët, ishte Propozim-vendimi për miratimin e vendimit për marrjen e kredisë pa interes (sipas marrëveshjes së lidhur mes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Austrisë) për Projektin “Ndërtimi i kanalizimeve fekale, atmosferike dhe industrial në disa rrugë të Mitrovicës”. Të 22 këshilltarët e pranishëm votuan për miratimin e kësaj pike të rendit të ditës.

Në vazhdim këshilltarët e KK aprovuan edhe Vendimin e  Kuvendit të Komunës Nr. 02/06-68000/8 të dt. 22.09.2016 për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale znj. Sofije Ademi; Propozim-vendimin për ndryshim-plotësim të Vendimit të Kuvendit të Komunës Nr. 02/06-44690/6 dt. 29.06.2016 për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës – Qendra Tregtare në Mitrovicë; Propozim-vendimin për Shfuqizimin e Vendimit Nr. 02/06-44690/11 I dt. 29.06.2016 për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale subjektit afarist “Green Soil Kosova”.

Po ashtu, këshilltarët e KK aprovuan edhe Propozim-vendimin për caktimin e orarit të mbajtjes së mbledhjeve të rregullta të Kuvendit të Komunës dhe të KPF-së për vitin 2017; Planin e punës së Kuvendit për vitin 2017; Planin komunal të veprimit për të zhvendosurit për zgjidhje të qëndrueshme dhe Raportin e punës së Kuvendit për vitin 2016.

Në fund, anëtarët e KK  u njoftuan edhe me Raportin e  gjendjes së mjedisit në Mitrovicë dhe Raportin për vaksinimin dhe dehelmetizimin e kafshëve të shoqërimit (qenve dhe maceve) kundër tërbimit dhe ehinokozës, të paraqitura nga drejtoritë përkatëse, të cilat edhe i mbështetën, pasi që ato nuk parashihet të aprovohen nga Kuvendi i Komunës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat