Në Mitrovicë vazhdon situata stabile e sigurisë

Mitrovica

Në Mitrovicë vazhdon situata stabile e sigurisë

Më: 2 shkurt 2017 Në ora: 09:18
Agim Bahtiri me Danilo Rosales Diaz

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka biseduar me shefin e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, me bashkëpunëtorë, për situatën e përgjithshme në komunë, me theks të posaçëm për situatën e sigurisë.

Shefi i  Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, i tha fillimisht kryetarit Bahtiri se bashkëpunimi i ndërsjelltë ndërmjet dy institucioneve është i kënaqshëm dhe për të mirën e qytetarëve, andaj vazhdimi i tij është i nevojshëm.

Ai shtoj se dyert e UNMIK-ut janë të hapura gjithmonë për bashkëpunim dhe se do të mbështet të gjitha aktivitetet e komunës dhe të kryetarit Bahtiri që kanë për qëllim stabilizimin e plotë të gjendjes së sigurisë dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike.

“Misioni ynë është që të punojmë dhe kontribuojmë për parandalimin e incidenteve eventuale dhe që të mbështesim dialogun që po zhvillohet në Bruksel lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Mitrovicën. Mesazhi ynë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, ka qenë, është dhe do të jetë që të gjitha problemet eventuale që mund të paraqiten, duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe në mënyrë paqësore, prandaj në këtë drejtim do t’i koordinojmë edhe aktivitetet tona, të komunës që ju e drejtoni dhe të asaj veriore që drejtohet nga kryetari Rakiq. Është e rëndësishme që komuna e Mitrovicës së Jugut, së bashku me UNMIK-un dhe komunën e Mitrovicës së Veriut të punojnë bashkërisht për një situatë sa më të qetë në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë rajon.”, tha Diaz.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoi  shefin e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Diaz, për bashkëpunim,  interesimin e tij dhe mbështetjen e proceseve për stabilizimin e plot të situatës së përgjithshme në komunë, për paqe e siguri, tha se është i gatshëm që për këto qëllime të bashkëpunoj edhe në të ardhmen.

 Ai në vazhdim i tha mysafirit se situata e sigurisë  në Mitrovicë vazhdon të jetë stabile dhe duke u përmirësuar akoma, edhe përkundër problemit të shkaktuar nga serbët me ndërtimin e murit joligjor.

“Ndonëse kisha disa punë zyrtare edhe disa ditë në Evropë, u ktheva përpara me qëllim që menaxhoj situatën e sigurisë dhe që të mos lejoj devalvimin e rezultateve të arritura, kërcënimin e paqes,  prishjen e rendit dhe të qetësisë, nga individ e grupe që nuk ja duan të mirën qytetit dhe qytetarëve. Të gjithë duhet të angazhohemi në këtë drejtim dhe besoj se edhe kryetari i komunë në veri, Goran Rakiq, është i interesuar dhe po punon për këtë qëllim, edhe pse  mund të ketë pengesa dhe presione të ndryshme. Të gjithë duhet të kuptojmë se koha e konflikteve ka mataruar, se tani është koha e paqes dhe e zhvillimit ekonomik për të mirën e qytetarëve”, tha kryetari Bahtiri.

Shefi i  Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, në këtë takim i dhuroi kryetarit Agim Bahtiri një automjet për nevoja të komunës,  në shenjë respekti e falënderimi për bashkëpunimin e mirë dhe të sinqertë në të mirë të qytetarëve.

Kryetari Bahtiri, pasi pranoi çelësat e automjetit, falënderoi shefin e   Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, duke shtuar se ai gjithsesi është i mirëseardhur pasi që komuna ka nevojë akoma për automjete.

“Ju falënderoj shumë për automjetin e dhuruar. Ju garantoj se ai do të shfrytëzohet vetëm për punë dhe misione që janë për të mirën e qytetarëve të komunës”, tha kryetari Bahtiri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat