U përkujtuan viktimat e terrorit serb të natës midis 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000

Mitrovica

U përkujtuan viktimat e terrorit serb të natës midis 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000

Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 16:28
Tryezë e organizuar nga Zyra për Informim e Komunës së Mitrovicës

Me një tryezë të organizuar nga Zyra për Informim e Komunës së Mitrovicës, janë përkujtuar viktimat e masakrës së tmerrshme që patën bërë mbi popullatën shqiptare në lagjet veriore të qytetit të Mitrovicës, natën në mes të 3 dhe 4 Shkurtit të vitit 2000.

Kryetari i komunës,  Agim Bahtiri, tha se masakra e ekstremistëve serbë ndaj shqiptarëve më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, ishte një tmerr i pa parë, pasi që banditët terrorizuan në banesat dhe shtëpitë e tyre shqiptarët e pafajshëm, të cilët nuk e kishin pritë nje gjë të tillë, pasi që kishin besim tek forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, të cilat megjithatë, nuk i mbrojtën  ashtu si duhet.

“Pasojat e aktiviteteve kriminale serbe të asaj nate ishin të tmerrshme edhe sa i përket zhvendosjes së shqiptarëve nga lagjet veriore. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët deh në këtë mënyrë ajo pjesë u spastruar etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë. Shqiptarët e dëbuar me dhunë edhe sot e kësaj dite jetojnë në kushte të vështira, edhe pse ne si komunë po bëjmë përpjekje për tu ndihmuar atyre, por që është e pamjaftueshme pa ndonjë projekt konkret material të institucioneve në nivel qendror”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka,  tha se deri tash drejtësia për viktimat e naks së tre dhe katër shkurtit ka munguar. “Ka qenë dhe mbetet obligim dhe përgjegjësi e të gjithëve, por mbi të gjitha e nivelit qendror që këto viktima të mbështeten maksimalisht për të arritur drejtësinë dhe për të zgjidhur problemet e shumta ekonomiko-financiare që i kanë për shkak të përndjekjes nga pronat e tyre nga ekstremistët serbë dhe kushteve të vështira në të cilat jetojnë në pjesën jugore të qytetit dhe vende tjera të Kosovës.

“Organet përgjegjëse të drejtësisë , vendore dhe ndërkombëtare, nuk kanë bërë sa duhet që dorasit e këtij krimi të pasluftës të dalin  para drejtësisë. Drejtësia duhet të arrij patjetër edhe për këto viktima”, tha ai.

Kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ në Mitrovicë, Halit Barani, foli me të dhëna të sakta për pasojat e krimit të bandave fashiste serbe gjatë asaj nate.

“Gjatë natës më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000,  nga ora 21 e 3  shkurtit e deri në ora 4 të mëngjesit të 4 shkurtit, kriminelët serbë kanë vrarë 10 shqiptarë dhe kanë plagosur 25 shqiptarë të pafajshëm, ndërsa që janë larguar me dhunë nga lagjet veriore 1.564 familje me mbi 1.000 mi shqiptarë. Ndërsa, gjatë luftës janë vrarë gjithsej 455 shqiptarë,  nga moshat 2 muaj e deri në moshën 89 vjet, janë plagosur 450 dhe  janë zhdukur 279 shqiptarë. Po ashtu, janë rrënuar  9540 shtëpi shqiptare”, tha ndër të tjera Barani.

Në tryezë kanë kontribuar me diskutimet e tyre edhe analisti, profesori Nexhmedin Spahiu, mbrojtësi i viktimave Burhan Maxhuni, familjarët e viktimave Gani Xhaka, Shaip Canhasi dhe Ramdan Istrefi.

Tryeza u përmbyll me dakordimin e të gjithë pjesëmarrësve se ende ka nevojë për sensibilizim të opinionit për vuajtjet, peripecitë dhe drejtësinë e munguar  për viktimat e 3 dhe 4 Shkurtit, pastaj për kushtet e vështira në të cilat jetojnë dhe veprojnë viktimat e 3 dhe 4 Shkurtit.

Pjesëmarrësit e tryezës shtruan domosdoshmërinë e angazhimit më të fuqishëm të institucioneve të Republikës deh atyre ndërkombëtare për trajtimin ashtu si duhet të viktimave dhe për sigurimin e mjeteve materiale për realizimin e projektit për kthimin e tyre atje nga ku janë përndjekur nga ekstremistët serbë dhe për mbështetjen e tyre për realizmin e të drejtave elementare për të përfituar shërbime publike në shëndetësi, arsim, kulturë e fusha të tjera, në mënyrë institucionale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat