“Alternativa” nis rrugëtimin nga Mitrovica

Mitrovica

“Alternativa” nis rrugëtimin nga Mitrovica

Më: 8 shkurt 2017 Në ora: 12:50
Ilir Deda i shoqëruar nga Mimoza Kusari në Mitrovicë

(E plotësuar) - Subjekti politik “Alternativa” e Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës, është prezantuar sot në qytetin e Mitrovicës.

Për partinë më të re kanë folur Ilir Deda, Mimoza Kusari-Lila dhe Mehmet Mehmeti, të cilët thanë se kanë vendosur që rrugëtimin e tyre ta fillojnë pikërisht në Mitrovicë, për shkak se ky qytet tregon më së miri që shteti dhe pavarësia e Kosovës nuk janë arritur në plotëni.

Ilir Deda njëri ndër themeluesit e kësaj partie, ka bërë të ditur para të pranishmëve se mungesa e shtet-ndërtimit vërehet më së miri në Mitrovicë.

Deda: Mungesa e shtet-ndërtimit shihet më së miri në Mitrovicë

“Neve na bashkon vizioni për shtet-ndërtim në vendin tonë, e mungesa e shtet-ndërtimit shihet më së miri në Mitrovicë. Pa e përfunduar procesin e shtet-ndërtimit në Mirtovicë, ne nuk mund të themi se Kosova e ka përmbyllë pavarësinë e saj brenda. Jemi këtu me u zotu se nuk e kemi ndërmend që me fjalë boshë dhe pas 18 vjet të lira me premtu gjëra koti, por po ju themi diçka, në vizionin tonë, Mitrovica është një prej shtyllave të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Deda.

Ai premtoi se me Alternativën, nuk do të ketë papunësi 60 për qind në Mitrovicë, ndërsa ka potencuar se partitë politike në Kosovë nuk duhet të shihen si armiq mes vete, sa që të rrezikohet projekti i përgjithshëm i shtetit të Kosovës.

Kurse, themeluesja tjetër e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke treguar arsyet pse kanë zgjedhur rrugëtimin e kësaj partie, pikërisht në Mitrovicë, tha se Mitrovica është problem i hapur dhe burimi i problemit që rëndon vendin.

Sipas saj, mitrovicasit dhe kosovarët në përgjithësi meritojnë më shumë, ndërsa, fajtorë për situatën aktuale e ka bërë politikën aktuale për të cilën tha se duhet të ndërrohet.

Kusari-Lila: Mitrovica është burimi i problemit që e rëndon Kosovën

“Në Mitrovicë sot është burimi i problemit që e rëndon Kosovën. Sot është Mitrovica ajo në nivel të Kosovës që tregon se shteti dhe pavarësia e Kosovës nuk janë në plotëni, dhe se Mitrovica është problem i hapur...Jemi në Mitrovicë për të treguar se si Alternativë nuk krijojmë probleme për të zgjedhur ato dhe për të marrë kredi për problemet që nuk kanë ekzistuar, por, jemi bërë bashkë për të zgjedhur ato probleme të cilat secili qytetar i tërë Kosovës i ka, që secili qytetar i Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh etninë, vuajnë sot nga mungesa e zhvillimit, nga mungesa e një integriteti personal që secili individ duhet ta ketë, vuajnë sot nga mungesa e drejtësisë. Nuk janë më mirë sot shqiptarët në jug të Mitrovicës sesa serbët në veri të Mitrovicës. Ju jetoni çdo ditë me ta, problemi nuk janë qytetarët, problemi është politika dhe kjo politikë duhet të ndërrohet.... Mitrovicë ju meritoni m ë shumë, më mirë, krejt Kosova meriton më mirë”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërkaq, kryetari i zgjedhur i kësaj partie në Mitrovicë, Mehmet Mehmeti, tha se përkundër shumë partive politike ekzistuese, Kosova ka nevojë për një parti të re siç është Alternativa.

Mehmeti: Alternativa është lulëzimi i shtetit të Kosovës

“Epoka e re në komunën tonë po fillon me një dritë shkëndije e cila do ta shndritë Mitrovicën e bashkuar... Alternativa është formimi dhe lulëzimi i shtetit të Kosovës”, theksoi mes tjerash Mehmeti.

Ndryshe, në këtë ngjarje tha se janë gjithsej 93 delegatë të rajonit të Mitrovicës nismëtarë të Alternativës në këtë komunë, të cilët kanë zgjedhur 13 anëtarët e Këshillit iniciues për Mitrovicën.

Anëtarët e trupit koordinues të Alternativës në Mitrovicë u zgjodhën, Nysret Cubreli, Fadlije Zhubi, Hysni Pireva, Xhevdet Çitaku, Bajram Shala, Luljeta Buçinca- Zhubi, Fikrije Dinaj, Nazmi Ismajli, Erblin Osmani, Kaltrina Hasani, Diellza Sadiku, Shaban Citaku, ndërsa kryetar i këtij trupi u zgjodh Mehmet Mehmeti.

Alternativa shpalos planin politik në Mitrovicë

Partia më e re në Kosovë “Alternativa” ka filluar shpalosjen e planit të saj politik në Mitrovicë.

Në prani të dhjetëra qytetarëve, Ilir Deda i shoqëruar nga Mimoza Kusari, ka thënë që kjo parti nuk ka për synim që të kultivoj armiqësi me subjektet tjera politike mirëpo do të mundohet të jap alternativë për zhvillime pozitive.

Ndërsa Kusari tha se në politikë janë “për ta rregulluar çatinë e Kosovës, pasi që pikon në shumë vende”.

Mitrovica është zgjedhur pikënisje pasi që, sipas tyre, është njëra prej mundësive më të mira të vendit për zhvillim ekonomik.

Muajin e ardhshëm pritet konsolidimi i të gjitha degëve nëpër Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat