Mitrovicë, policia e trafikut rajonal zbaton planin e sigurisë së trafikut rrugor

Mitrovica

Mitrovicë, policia e trafikut rajonal zbaton planin e sigurisë së trafikut rrugor

Më: 28 mars 2017 Në ora: 14:35
Ilustrim

Në vazhdën e intensifikimit të punës në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor, Njësia e Trafikut Rajonal, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, gjatë muajit mars, në mbështetje të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në trafikun rrugor, përmes implementimit të planit operativ “kontroll teknik jashtëzakonshëm i veturave në trafik”.

Masat e shtuara vijnë si rrjedhojë dhe domosdoshmëri, ku sipas vlerësimeve të bëra një ndër faktorët e pasojave me lëndime dhe me fatalitet në aksidente konsiderohen shkaqet teknike të  veturave.

Edhe pse statistikat nuk flasin për një gjendje alarmante, policia mbetet e përkushtuar që automjetet jo të rregullta teknikisht t’i largojmë nga lista e shkaktarëve në aksidente.

Veprimet e shtuara operacionale kanë për qëllim identifikimin dhe marrjen e masave, përfshirë edhe largimin e veturave nga trafiku, të  cilat  nuk i përmbushin kushtet teknike për qarkullim në trafikun rrugor.

Si rezultat i  angazhimit të shtuar për dy javët e muajit mars janë identifikuar mbi 42 raste, ku janë shqiptuar gjoba, dhe fletëparaqitje për gjykatë sipas dispozitave ligjore Neni 252 dhe largimin e mjeteve nga trafiku, sipas Nenit 251, të ligjit Nr 05/L- 088.

Njësia e Trafikut Rajonal në Mitrovicë, do të vazhdojë me intensifikimin e veprimeve në fushën e zbatimit të ligjit të sigurisë së trafikut rrugor, ku  para stinës verore ka planifikuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh operacionale.

 Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të bashkëpunojnë me zbatuesit e ligjit, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të shmangies së sanksioneve të cilat Policia është e obliguar me ligj t’i ndërmarrë, për të ndikuar në parandalimin dhe reduktimin e aksidenteve në trafik përmes masave preventive.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat