Protestë kundër vrasjeve e dhunës në Mitrovicë

Mitrovica

Protestë kundër vrasjeve e dhunës në Mitrovicë

Më: 7 maj 2017 Në ora: 13:30
Protesta ne Mitrovice me moton ‘Stop vrasjeve – ne jemi Ermali

(E plotësuar) - Me moton ‘Stop vrasjeve – ne jemi Ermali’, mijëra qytetarë kanë protestuar sot kundër dhunës e vrasjeve, si dhe parandalimin e dukurive të tilla në qytetin e Mitrovicës.

Ata dënuan ashpër vrasjen e 24 vjeçarit,  Ermal Kamberaj që ndodhi dy ditë më parë, duke kërkuar  vendosjen e sundimit të ligjit, hapa efikas në parandalimin e dhunës dhe dukurive të këtilla në këtë qytet, si dhe vënien sa më parë të dorasit para ligjit.

Gëzim Abrashi, në emër të Këshillit organizativ të këtij marshi protestues, duke cituar vargjet e Kutelit, tha se për 300 ditë në Mitrovicë shkuan tre të rinjë, njëri në vendin e punës, njëri para shkollës dhe  tjetri vetë në shkollë.

Ai bëri thirrje familjarëve të të ndjerit për qetësi e durim, duke iu thënë atyre se qyteti i Mitrovicës do të jetë gjithmonë me ta.

Abrashi: Qyteti i Mitrovicës është me juve

“Kurrë më shumë se sa sot nuk e ndjeu shpirti im t’i thotë vargjet e Kutelit, se jam shqiptar, paj kosovar, zot e krenar, zot e bujar mbi këtë dhe, që e kam si fe. E kam vatan e kam atdhe. Këta më dhanë armë që ta vras vëllaun sipas kanunit të gjakut por nuk pranova. Ku jeni sot shqiptarë që pas lirisë rrokni armët mes njëri tjetrit… dhe për 300 ditë shkuan tre të rinjë, njëri në  vendin e punës, tjetri para shkolle dhe tjetri vetë në shkollë. E nderuara familje e Ermalit, shokë të Ermalit, ne si shoqëri civile… iu bëjmë thirrje për qetësim të gjakërave dhe për t’iu treguar juve se si kurrë më parë, qyteti i Mitrovicës është me juve, për juve dhe do të jetë gjithmonë me juve”, ka thënë Abrashi.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke shprehur dhimbjen për Ermalin, ka bërë thirrje institucioneve vendore që të dalin nga kjo krizë e dhunës, dhe të ketë sa më shumë paqe mes njerëzve.

Bahtiri: Policia t’i ndal këto krime

“Është krenari sot që këtë dënim të dhunës e shoh tek çdo familje e Mitrovicës…Ne si institucione bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, hetuesisë, por edhe gjyqësisë, o sot o kurrë, t’i ndalin këto krime të mallkuara, sepse ky vend është i ujitur me gjakun e dëshmorëve me qindra vite dhe kjo aromë e gjakut duhet të na përcjellë të gjithë neve të kemi vetëm një dalje prej krize dhe situate, paqa, dashuria mes njëri tjetrit, dhe jo armiqësia”, theksoi Bahtiri.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati, ka potencuar se me kodin e ri penal, për raste të tilla parashihet edhe shqiptimi i dënimit me burgim të përjetshëm.

Sipas tij, politika ndëshkimore në praktikën gjyqësore të Kosovës duhet të avansojë, sepse vetëm shqiptimi i këtij lloji të sanksioni penal, mund t’i parandalojë veprat e tilla penale në shoqëri.

Damati: Politika ndëshkimore duhet të avansojë

“Me kodin e ri penal i cili është në fuqi që nga data 1 janar 2013 në Republikën e Kosovës, për raste të tilla parashikohet edhe shqiptimi i dënimit me burgim të përjetshëm. Andaj edhe në këtë kontekst politika ndëshkimore në praktikën gjyqësore të Republikës së Kosovës duhet të avansojë, sepse vetëm shqiptimi i këtij lloji të sanksioni penal, mund t’i parandalojë veprat e tilla penale në shoqërinë tonë”, ka thënë Damati.

Marshi protestues që u organizua nga shoqëria civile në Mitrovicë, ka zgjatur rreth një orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident. 

Bahtiri: Kriminelët të gjenden dhe të dënohen më së ashpëri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në marshin protestues me moton “Stop vrasjeve. Ne jemi Ermali”, i ka shprehur edhe njëherë ngushëllime familjes dhe ka bërë me dije se i ndjeri Ermal Kamberaj, i cili u vra mbrëmjen e së premtes në një kafiteri të qytetit, ka qenë njëri prej qytetarëve më të mirë dhe më të urtë të Mitrovicës.

“Këtë dënim të dhunës po e shoh te çdo familje tek çdo qytetar, andaj ne si Institucione ju bëjmë thirrje policisë dhe të gjitha organeve kompetente, o sot o kurrë t’i ndalim këto krime të mallkuara. Ky vend do paqe”, tha Bahtiri.

Ai më tej tha se kriminelët duhet të gjenden dhe të dënohen më së ashpëri “që dikush është dënuar ndonjëherë”.

24-vjeçari Ermal Kamberaj, u vra mbrëmjen e së premten me tre plumba në njërën prej kafiterive të Mitrovicës.

Identiteti i dorasit tashmë është zbuluar, por ai vazhdon të jetë në arrati.

Fillon protesta kundër vrasjeve në Mitrovicë

Me moton “Stop vrasjeve, ne jemi Ermali”, mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Mitrovicë, kundër dhunës dhe vrasjeve.

Në protestë po marrin pjesë shoqëria civile, studentë, nxënës, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe familjarë të viktimës.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat