Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Infrastrukturës Besnik Beka, kanë marrë pjesë në përurimin e punëve për asfaltimin e Rrugës së Mullirit në fshatin Koshtovë, që lidh disa lagje me rrugën magjistrale të Adriatikut.
“Unë i uroj banorët për asfaltimin e kësaj rruge. Ata tani e tutje do ta të kenë më të lehtë lëvizjen e tyre. Komuna me mjete nga buxheti i vet dhe me ndihmën e ministrive dhe Qeverisë së Kosovës, po e përmirëson për çdo ditë infrastrukturën rrugore, kanalizimet dhe shumë gjëra të tjera nëpër lagjet e qytetit dhe fshatrat e komunës, për të realizuar kështu premtimin e bërë në fillim të mandatit tim për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Banorët e lagjeve ishin të lumtur për asfaltimin e kësaj rruge. Ata falënderuan drejtuesit e komunës për kujdesin e treguar dhe futjen në plan të asfaltimit të rrugës, duke shtuar njëkohësisht se me këtë dhe projektet tjera që janë realizuar falë mbështetjes së komunës dhe të tjerat që do të realizohen, krijohen kushte shumë të mira për jetë normale.
Rruga që do të asfaltohet brenda disa ditësh, ka një gjatësi prej rreth 1.700 metra dhe gjerësi prej pesë metrash.