Aktivitete të shumta për nderë të Ditës së Fëmijëve

Mitrovica

Aktivitete të shumta për nderë të Ditës së Fëmijëve

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 16:17
Femijet Mitrovicë

Me një varg aktivitetesh arsimore, pedagogjike dhe kulturo-artistike është shënuar Dita e fëmijëve në qytetin e Mitrovicës, në mesditë, në  Sheshin “Mehë Uka”, në qendër të qytetit, para qindra fëmijësh, nxënës të institucioneve parashkollore dhe të klasave të ulëta të shkollave fillore, është mbajtur aktiviteti kryesor, ku ishin të pranishëm kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtorët, Skender Avdiu dhe Fidan Admi.

Aty, në organizimi dhe mbështetje financiare të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  Shoqata “Kosova Ars”, për fëmijët të prekur nga sindroma Down dhe ata me nevoja të veçanta, ka shfaq një program të pasur kulturo-zbavitës.

Aktivitetin e ka hapur drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Fidan Ademi, i cili, pasi ua uroj fëmijëve ditën e tyre,  tha se drejtoria që ai e drejton dhe komuna, janë duke bërë maksimumin për të krijuar kushte sa më të mira për jetë dhe edukim të fëmijëve.

“Ju fëmijë të dashur jeni kryesorët që ne na detyroni të bëjmë më të mirën për të ardhmen tuaj, që ju të rriteni pa telashe e brenga, që ju të edukoheni në kushte sa më të mira dhe që ju të jeni të lumtur vazhdimisht. Unë jam shumë i lumtur që sot po shoh gëzimin në fytyrat tuaja, që ju jeni ët disponuar dhe që po e kaloni mirë duke i parë aktivitetet e organizuara për këtë ditë të veçantë”, tha ai ndër të tjera.

Edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri,  tha se ndjehet tepër mirë në mesin e fëmijëve që kanë dalë në shesh për të marrë pjesë në aktivitetet kushtuar ditës së tyre.

“Fëmijët janë drita e syve tanë, fëmijët janë gjithçka për ne, andaj ne jemi tepër të përkushtuar e angazhuar dhe me dëshirën e vullnetin më të madh, po punojmë që këta të kenë një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Me gjithë vështirësitë që i kemi, ne dita-ditës po krijojmë kushte më të mira për zhvillimin, rritjen dhe edukimin e tyre”, tha ai ndër të tjera.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat