Shkollat e Mitrovicës pa ngrohje - Bota Sot
Shkollat e Mitrovicës pa ngrohje

Mitrovica

E hënë, 11 dhjetor 2017

Shkollat e Mitrovicës pa ngrohje

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 13:57
Shkolla ne Mitrovice

Shkollat në Mitrovicë nuk i kanë lëshuar fare nxehëset, edhe pse temperaturat kanë rënë dhe bora veç ka zbardhur disa fshatra të kësaj komune.

Fajin për mungesë të nxehjeve e ka Komuna e Mitrovicës, e cila nuk ka sjell lëndë djegëse për këtë vit, edhe pse një gjë e tillë është dashur të ndodhë më 15 tetor.

KosovaPress-i ka vizituar sot disa prej shkollave të kësaj komune, ku situata në klasa nuk ishte e përshtatshme për zhvillimin komod të orës së mësimit.

Përveç nxënësve, pati edhe arsimtarë të cilët u ankuan se klasat dhe korridoret e këtyre shkollave janë të ftohta.

Mungesën e lëndëve djegëse e ka konfirmuar për KosovaPress drejtori i shkollës fillore ‘Abdullah Shabani’ në Mitrovicë,  Haki Shyti.

Ai tha se në shkollë është ftohtë, por procesi mësimor nuk është ndërprerë.

“Jemi duke punuar në ambiente të ftohta. Kërkesën e kemi bërë në qershor, por akoma nuk kemi lëndë djegëse. Nuk e di arsyen. Mësimin nuk e kemi ndërprerë dhe jemi duke e zhvilluar disi, por nëse vazhdojnë temperaturat e ftohta, vërtetë nuk e di si do t’ia bëjmë”, ka thënë Shyti.

Edhe koordinatorja e shkollës fillore ‘Ismail Qemali’ në Mitrovicë, Hafize Musliu, ka konfirmuar mungesën e lëndëve djegëse në këtë shkollë.

Sipas saj, kërkesa është bërë pranë komunës me kohë, por akoma s’janë furnizuar.

Ajo tha se nuk i din arsyet e mosfurnizimit me lëndë djegëse.

Në anën tjetër, zëdhënësja e komunës së Mitrovicës, Blerina Kastrati, ka bërë të ditur se procedurat janë duke u zhvilluar në prokurim dhe shpejtë do të bëhet furnizimi me dru.

Sa i përket furnizimit me thëngjill dhe naftë, shtoi ajo, ky furnizim tani sa ka filluar në disa shkolla, edhe pse është kërkuar nga kontraktuesit që sa më shpejtë të bëhet shpërndarja e këtyre lëndëve djegëse.

 “Sa i përket furnizimit me dru , procedurat janë duke u zhvilluar në Drejtorinë e Prokurimit, kështu që të gjitha shkollat e komunës sonë shumë shpejtë do të furnizohen me lëndë djegëse”, ka thënë Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test