Idrizi e bindur në fitore, Bahtirin e quan aktor që tallet me mitrovicasit

Mitrovica

Idrizi e bindur në fitore, Bahtirin e quan aktor që tallet me mitrovicasit

Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 10:35
Valdete Idrizi

Kandidatja për kryetare të Mitrovicës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Valdete Idrizi, e cila do të garojë në balotazh me kryetarin aktual nga AKR-ja, Agim Bahtiri, ka qenë e bindur se do të jetë e para në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, por assesi nuk ka pritur garën në balotazh me Agim Bahtirin.

Idrizi gjatë një interviste për Kp është shprehur e sigurtë në fitore, fal përkushtimit të saj për punë, planit jashtëzakonisht të mirë dhe konkret, si dhe ekipit të përbërë nga ekspertë dhe personalitete shumë të respektuara mitrovicase.

Sipas saj, koalicioni me qytetarin është fokusi kryesor, dhe nuk ka akoma marrëveshje për koalicion me ndonjë prej subjekteve politike sa i përket balotazhit, ndërsa bëri të ditur se mbetet e hapur për bashkëpunim, duke përmendur qasjen bashkëpunuese me partnerë si pikën më të fortë të saj.

Idrizi: Nuk e kam pritur Agim Bahtirin në balotazh

“E kam pritur që të jem e para definitivisht… Të jem e sinqertë, nuk e kam pritur Agim Bahtirin në balotazh…Sikurse në fazën e parë që kam fituar, me ndershmëri, sinqeritet, me përkushtim për punë, me një plan jashtëzakonisht të mirë dhe konkret, si dhe me një ekip shumë të mirë…Ju e keni parë një listë jashtëzakonisht të mirë të kuadrove, personaliteteve shumë të respektuara në Mitrovicë…Unë si Valdete dhe kryetare e ardhshme e Mitrovicës e kam thënë se jam e hapur për bashkëpunim, kjo është edhe pika ime e fortë, qasja e bashkëpunuese me partnerë tjerë…Por fokusi kryesor mbetet koalicioni me qytetarët”, ka thënë Idrizi.

Pretendentja për të parin e qytetit të Mitrovicës ka sqaruar arsyet pse elektorati nuk do ta votojë Agim Bahtirin, duke përmendur premtimet e parealizuara dhe mashtrimet e tij gjatë katër viteve të kaluara.

Lidhur me deklaratat për fitore të bindshme nga ana e kundërkandidatit të saj, Idrizi tha se Bahtiri një gjë të tillë po e bënë nga frika dhe histeria që e ka kapur për humbjen të cilën do ta pësojë.

Ajo theksoi se qytetarët nuk do t’ia falin kurrë talljet dhe ofendimet që ka bërë Bahtiri në vazhdimësi ndaj tyre, për çka do ta penalizojnë me votë.

Idrizi: Bahtiri tallet me qytetarë duke vënë bast 10 mijë euro për fitore

“Mbi 77 për qind të elektoratit kanë qenë për ndryshim, sepse sikur të ishin të bindur se Agim Bahtiri është oferta më e mirë, do ta votonin më shumë, kështu që kjo flet shumë… Njerëzit ia kanë dhënë shansin për katër vite, nuk e kanë njohur më herët, thjeshtë kanë parë gjithë ato premtime dhe mashtrime që i janë bërë qytetarëve, më nuk i pinë ujë. Jam shumë e sigurtë se nuk do ta votojnë…Shumë intervenime javëve të fundit, shtrimi i asfaltit dikujt deri tek shtëpia, një qasje diskriminuese veç sa për të blerë vota, qytetarët e dinë… Besoj se qytetarët nuk do t’ia falin asnjë tallje që ka bërë me ta, asnjë ofendim. Ju e keni parë në njërën prej emisioneve ku ai vë bast me 10 mijë euro për fitore. Tash në një qytet ku varfëria është thelluar… ai tallet me qytetarë me 10 mijë euro kash…Janë shumë faktorë të cilat besoj se do ta penalizojnë Bahtirin dhe në anën tjetër do t’më votojnë mua….Bahtirin e keni parë se e ka kapur tash hysteria… dhe tash nuk zgjedhë asnjë mjet veç edhe një mandat për të qëndruar në Mitrovicë. Ai është ekspert i transformimit dmth të gjitha gjërat që ai i bën, menjëherë ia hudhë tjetrit. Gjithë ai mashtrim me u tranformu dhe në të njëjtën kohë me u viktimizu, kjo është e paparë dhe gjithë kjo histeri është si pasojë e frikës se do të humb…Definitivisht ai është aktor, dmth nëse për diçka duhet me ia zgjatë dorën, është aftësia që ka me u shndërru në shumë personalitete përnjëherë, me u viktimizu, secilën herë thotë se të gjithë qytetarët janë anëtarë të familjes së tij, të gjithë i don dhe ka dashuri për të gjithë, por qytetarët janë ngopur më këtë lloj të dashurisë”, tha Idrizi.

Valdete Idrizi zotohet se gjatë qeverisjes së saj nuk do të merret me tema madhore, por me çështje dhe probleme që iu përkasin qytetarëve. Ajo synon zbatimin me përpikëri të planit të saj, i cili parasheh gjenerim të vendeve të punës, ndërsa thotë se do ta ndryshojë Mitrovicën, duke ia kthyer namin që kishte dikur ky qytet.

Duke përsëritur besimin në fitoren e saj, ajo tha se ka marr shumë letra publike nga fondacione të huaja për investime në Mitrovicë.

Idrizi ka bërë thirrje qytetarëve që më 19 nëntor të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje, dhe të mendojnë mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre para se të votojnë.

Idrizi: Unë nuk jam transit në Mitrovicë, kam kontribuuar vazhdimisht

“Unë si kryetare nuk do të merrem asnjëherë me çështje madhore dhe tema megalomane, por do të merrem me çështjet që i përkasin qytetarëve të Mitrovicës…Unë do të bashkëqeveris me qytetarët, me njerëzit më të mirë që ka Mitrovica, dhe do të filloj me realizu në përpikëri këtë plan. Në këtë plan janë hapat konkretë, projektet që janë jashtëzakonisht të mira, për gjenerimin e vendeve të punës…Unë kam marr letra publike prej fondacioneve të huaja të cilat mezi po presin të investojnë në Mitrovicë…Kjo Mitrovicë do të ndryshojë definitivisht, dhe më në fund do të mburremi se jemi qytet i kulturës dhe sportit…Mesazhi im për qytetarët më datën 19 thjeshtë me dal me votu, dhe kur të votojnë të mendojnë për ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Janë dy opsione, zhvillimi dhe stagnimi…Unë tërë këto vite kam qenë në Mitrovicë… prej kur jam rritur kam kontribuuar në mëny rë të vazhdueshme në të gjitha fazat e ndjeshme të saj, dhe do të qëndroj këtu. Unë nuk jam transit në Mitrovicë” ka thënë Idrizi.

Ndryshe, Valdete Idrizi në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit ka fituar 29.63% të votave, duke lënë prapa Agim Bahtirin i cili ka arritur të sigurojë 27.03% të votave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat