Pacolli dhe Reshitaj, meritat ia lënë Bahtirit për projektin e liqenit akumulues

Mitrovica

Pacolli dhe Reshitaj, meritat ia lënë Bahtirit për projektin e liqenit akumulues

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 15:55
Behgjet Pacolli, Albena Reshitaj dhe Agim Bahtiri

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, bashkë me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë përuruar sot projektin “Rregullimi i Liqenit Akumulues mbi lumin Ibër” në Mitrovicë.

Ministrja Reshitaj tha se është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe nga ana e MMPH-së dhe komunës së Mitrovicës që ka kushtuar mbi 4 milionë euro.

Sipas saj, përmes këtij projekti është arritur që zonat degraduese të shndërrohen në zona rekreative turistike dhe se projektet e tilla nuk do të përfundojnë këtu.

Reshitaj: Është kënaqësi kur zonat degraduese shndërrohen në zona turistike

“Është jashtëzakonisht punë e madhe që është bërë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës kanë punuar këtë projekt kaq madhor i cili ka kushtuar mbi 4 milionë euro. Është kënaqësi kur zonat degraduese i kemi shndërruar në zona rekreative turistike dhe jam e lumtur që ky projekt nuk do të përfundojë këtu… Mos harroni se ky liqen ka edhe veçantitë e tij për shkak se në një të afërme të afërt mund të shfrytëzojmë energjinë e gjelbër që është shumë e rëndësishme, nga ky liqe do të ujiten hapësirat e kampusit universitar të Mitrovicës gjithashtu edhe kopshti botanik, projekt ky tashmë i nënshkruar me kryetarin e komunës Agim Bahtiri”, ka thënë Reshitaj.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, u shpreh i kënaqur edhe me një sukses të madh të kryetarit Bahtiri.

Pacolli: Ky është një sukses i madh i Bahtirit

“Kënaqësi sigurisht. Edhe një sukses i madh i kryetarit Bahtiri, por iu them se nuk mbaron me këtë. Agimi ka plane tjera për Mitrovicën. Është kënaqësi të jesh këtu sot dhe të shijosh këtë atmosferë që të sjell ndërmend se kjo shoqëri duhet të ecë përpara”, theksoi mes tjerash Pacolli.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, tha se sot është një ditë e mirë për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.

Ai shtoi se dikur qytetarët e Kosovës vinin në Mitrovicë tek ura me gjemba për të bërë fotografi, ndërsa tani kanë mundësinë të vinë të bëjnë foto në këtë pjesë të bukur të këtij qyteti që është shembull jo vetëm për Mitrovicën, por gjithë Kosovën.

Bahtiri: Sot është ditë e bukur për mitrovicasit

“Sot është ditë e bukur për qytetin e Mitrovicës, një gëzim i madh për qytetarët e saj… Është pjesa më e mirë e Mitrovicës që tani të kemi tre plazhe, 1 mijë e 200 drunj dekorues, shporta, ulëse, por tani ne si komunë do t’i kemi edhe disa restorante këtu që do të bëhet diçka e bukur në këtë pjesë këtu, njëkohësisht në pjesën e poshtme kemi ndarë 2.7 hektarë për pishina olimpike të mbyllura dhe të hapura…sepse të gjithë njerëzit jashtë Mitrovicës kanë ardhur përpara tek ura e mallkuar për t’u fotografuar, e cila ka qenë me tonelata rërë dhe gjemba, ndërsa tani ata qytetarë do të vinë ta vizitojnë këtë vend këtu, do të argëtohen dhe do të bëjnë fotografi të bukura dhe do të jenë shembull jo vetëm për Mitrovicën, por për gjithë Kosovën”, ka thënë Bahtiri. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat