KFOR-i dhe FSK-ja rihapin urën e hekurit në Mitrovicë

Mitrovica

KFOR-i dhe FSK-ja rihapin urën e hekurit në Mitrovicë

Më: 30 janar 2018 Në ora: 16:18
KFOR-i dhe FSK-ja rihapin urën e hekurit në Mitrovicë

Ura e hekurit mbi lumin Sitnicë, që ndodhet në rrugën transit tek tuneli në Mitrovicë, e që mundëson qarkullimin më të lehtë të automjeteve për hyrje-dalje nga ky qytet, është rihapur sot me ndihmën e KFOR-it dhe të FSK-së.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i FSK-së Rrustem Berisha, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rahman Rama, pjesëtarë të KFOR-it e FSK-së, si dhe qytetarë.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka premtuar se FSK-ja do të vazhdojë me projekte të tilla edhe në të ardhmen.

“Kjo urë është bërë në bashkëpunim me KFOR-in dhe është në interes të qytetarëve të Kosovës. Ne edhe më tutje do të vazhdojmë me projekte të tilla që janë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, u shpreh krenar për të arriturat e FSK-së, e cila siç tha ai, po kontribuon çdo ditë e më shumë për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Në lidhje me realizimin e projekteve të tilla të FSK-së edhe në veri, gjenerali Cuoci tha se KFOR-i do të mbështesë ato, natyrisht kur qytetarët e veriut ta pranojnë FSK-në në atë pjesë.

“Jemi krenarë për atë se çka është në gjendje të bëjë FSK-ja dhe se ajo është këtu për të kontribuuar për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne shpresojmë se të gjitha këto gjëra do të vazhdojnë të bëhen për të mirën e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe në të ardhmen… Të dyja palët duhet të shprehin vullnetin si qytetarët e pjesës veriore ashtu edhe ata të pjesës jugore. Vullneti dhe dëshira nga ana e pjesëtarëve të FSK-së nuk ka munguar shumë, do të vazhdojmë t’i mbështesim këto projekte edhe në të ardhmen, dhe në momentin që ata janë të gatshëm ta pranojnë FSK-në edhe në veri, ne do të jemi ata që do t’i mbështesim për punët që do t’i kryejnë atje”, theksoi Cuoci.

Ndryshe, muaj më parë ekspertët kishin konstatuar nevojën për riparimin e kësaj ure, për shkak të rrezikut nga dëmtimi i saj prej peshave të rënda. Projekti është financuar nga KFOR-i, ndërsa punimet janë realizuar nga pjesëtarët e FSK-së.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat