Ndryshime të mëdha në biznesin e Mitrovicës

Mitrovica

Ndryshime të mëdha në biznesin e Mitrovicës

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 11:07
Ilustrim

Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjendja e rreth 10 mijë bizneseve në rajonin e Mitrovicës ka pësuar ndryshime të mëdha, thonë përgjegjësit e kësaj fushe, por edhe përfaqësues të bizneseve në Mitrovicë.

Ata përmendën ndërtimtarinë, bujqësinë, hotelierinë dhe tregtinë si fusha ku është arritur më shumë progres gjatë këtyre viteve, ndërsa potencuan pakon e re fiskale për të cilën thanë se ka krijuar një numër lehtësirash për bizneset, kryesisht ato prodhuese.

Rrustem Abiti, koordinator për rajonin e Mitrovicës pranë Odës Ekonomike të Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë këtyre 10 viteve ka pasur ndryshime të hovshme pozitive sa i përket zhvillimit ekonomik dhe të bizneseve.

Sipas tij, kjo dëshmohet edhe nga fakti se nga190 vende të botës, Kosova këtë vit është vlerësuar në vendin e 40-të për krijimin e kushteve të të bërit biznes. 

Ai theksoi pakon e re fiskale, duke përfshirë edhe lehtësirat doganore, e cila ka krijuar një numër lehtësirash për bizneset, sidomos ato prodhuese.

Abiti: Kemi një ndryshim të hovshëm të zhvillimit ekonomik

“Kemi një ndryshim të hovshëm të zhvillimit ekonomik, pavarësisht se dikush mund ta shoh me një sy tjetër këtë gjendje. Mirëpo, ndryshimet janë të mëdha në të gjitha lëmitë, duke pasur parasysh se qeveria ka bërë përpjekje gjithmonë që të krijojë kushte më të favorshme për biznes dhe nga 190 vende të botës, Kosova këtë vit është vlerësuar në vendin e 40-të për krijimin e kushteve për të bërë biznes …Një zhvillim më të hovshëm ka pasur ndërtimtaria…pastaj kohëve të fundit edhe zhvillimi i bujqësisë, por numerikisht bizneset më të mëdha janë nga hotelieria, tregtia, bizneset e vogla dhe të mesme, kështu që zhvillimi ekonomik i çdo vendi në tranzicion është bërë nga bizneset e vogla dhe të mesme, edhe tek ne kështu po shkon… Pakoja e re fiskale ka krijuar një numër lehtësirash për bizneset, kryesisht për bizneset prodhuese dhe ka lehtësira doganore, fiskale për këto biznese të cil at sjellin pajisjet e tyre në Kosovë”, tha ai.

Në lidhje me bashkëpunimin edhe me bizneset në komunat veriore të vendit, ai tha se ky bashkëpunim nuk është i nivelit të dëshirueshëm, por megjithatë kontaktet ekzistojnë.

Drejtori i ATK-së për rajonin e Mitrovicës, Besim Halili, tha se rritja e të hyrave nga bizneset për çdo vit është duke u shtuar.

Sipas tij, vetëm vitin 2017 të hyrat janë rritur në krahasim me një vit më parë, për rreth 26 për qind.

Ai potencoi si problem regjistrimin e bizneseve sidomos në veri, duke thënë se zyrtarët e ATK-së janë duke zhvilluar aktivitete edhe në atë pjesë dhe shpreson se në bashkëpunim me organet kompetente do të arrijnë që ta eliminojnë këtë problem, në mënyrë që edhe bizneset atje të fillojnë t’i deklarojnë tatimet.

Halili ka sqaruar se prioritet i zyrës rajonale të ATK-së në Mitrovicë vazhdon të mbetet fiskalizimi i bizneseve.  

Halili: Trendi i rritjes së të hyrave nga bizneset për çdo vit më i lartë

“Në rajonin e Mitrovicës janë rreth 8 mijë e 560 biznese të regjistruara… Është me rëndësi të ceket se në regjionin tonë kemi një rritje të deklarimit vullnetar të bizneseve, kështu që ka ardhur edhe deri tek rritja e të hyrave në regjionin e Mitrovicës…Vitin 2017 kemi arritur të realizojmë planin vjetor 3 për qind më shumë se sa është paraparë në zyrën tonë. Njëkohësisht rritja e të hyrave në krahasim me vitin 2016 ka qenë diku 26 për qind më e lartë në vitin 2017. Ky trend i rritjes së të hyrave vazhdon edhe në vitin 2018, kështu që vetëm në muajin janar zyra jonë ka tejkaluar planin për 25 për qind nga plani që është paraparë nga zyra qendrore e Administratës Tatimore të Kosovës… Ka biznese të paregjistruara, sidomos në komunat e pjesës veriore, kemi biznese edhe në pjesën tjetër të paregjistruara. ATK-ja në bashkëpunim me zyrtarët komunal kemi pasur takime dhe jemi shprehur të ga tshëm që këto biznese t’i regjistrojmë sa më parë… Vështirësi kemi më tepër në pjesën veriore për me i regjistru këto biznese, pavarësisht që zhvillojmë aktivitete atje, mirëpo kemi kontakte të shpeshta me bizneset në anën veriore dhe besoj se së shpejti do t’i regjistrojmë bizneset e tyre dhe të fillojnë të deklarojnë tatime”, u shpreh Halili.

Në anën tjetër, Visar Idrizi, pronar i shtypshkronjës ‘Vip-Print’ në Mitrovicë, ka konfirmuar ndryshimet e mëdha në industritë e ndryshme, por edhe në politikat fiskale dhe të tjera.

Duke bërë të ditur se mbështetja institucionale për bizneset nuk ka qenë sa duhet, por që nuk ka munguar, ai tha se tani në vitin 2018 është arritur më në fund që një prodhues i Kosovës të jetë i barabartë në tregun kosovar, njëjtë sikur është një prodhues i vendeve të rajonit, pasi që deri tash, siç u shpreh ai, prodhuesit e rajonit kanë qenë më të favorizuar në Kosovë se sa vetë prodhuesit kosovarë.

Idrizi: Gjërat janë duke shkuar në drejtimin e duhur

“ Ka pasur ndryshime shumë të mëdha në industritë e ndryshme, si dhe në politikat e ndryshme fiskale dhe gjëra të tilla. Pra, është një periudhe që karakterizohet me shumë ndryshime duke filluar prej kompanive të vjetra, të reja të cilat janë transformuar prej politikave fiskale, investime të ndryshme që janë bërë. Mund të them se është një dinamikë mjaft e madhe dhe mjaft e shpejtë që ka ndryshuar shumë gjëra.… Tek tash më 2018 një prodhues i Kosovës është i barabartë në tregun e Kosovës  me një prodhues të vendeve të rajonit Serbi, Maqedoni etj. Deri tash prodhuesit e rajonit kanë qenë më të favorizuar në Kosovë se sa vetë prodhuesit e Kosovës…Ka bashkëpunim pak me bizneset në veri, jo shumë”, theksoi për Kp Idrizi.

Ndryshe, qyteti i Mitrovicës si rajoni më sensitiv në vend, në të cilin pas problemit politik papunësia është problemi më i madh, ka të arritura dhe suksese gjatë këtyre 10 viteve, si në infrastrukturë, shëndetësi dhe në disa fusha tjera, por ato janë të pakëta.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat