Ecuri pozitive në mbledhjen e të hyrave vetjake të Komunës së Mitrovicës

Mitrovica

Ecuri pozitive në mbledhjen e të hyrave vetjake të Komunës së Mitrovicës

Më: 30 prill 2018 Në ora: 13:51
Mbledhja e Komunes

Nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, Bordi i drejtorëve ka mbajtur të hënën mbledhjen e vet të rregullt. Fillimisht kryetari Bahtiri ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive që të kenë kujdes dhe që brenda komunës të mos bëjnë deklarata politike dhe që në asnjë mënyrë mos t’i politizojnë angazhimet e tyre brenda komune.

“Komuna është institucioni kryesor lokal në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, kombëtare, partiake etj. Në Komunë duhet të ofrohen shërbime sa më cilësore për qytetarët dhe ato nuk duhet të politizohen në asnjë moment. Për në të gjithë qytetarët që kërkojnë  shërbime komunale, janë njësoj dhe të barabartë”, tha kryetari Bahtiri.

Në vazhdim të mbledhjes, drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, i njoftoi të pranishmit me procedurat për dhënien në shfrytëzim të qendrës së re biznesore dhe problemet që janë paraqitur në këtë drejtim.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Financa, Shukri Gashi, foli për raportin financiar të komunës, për periodën janar-mars 2018. Ai tha se ka ecuri pozitive në menaxhimin e financave.

Sipas tij, gjatë kësaj periode, të hyrat vetjake të komunës, krahasuar me periodën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar rritje prej 46 për qind, ndërsa krahasuar me planifikimin për këtë tremujor, po ashtu ka rritje prej mbi 11 për qind.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, bëri të ditur në takimin e drejtorëve komunal, se Komuna e Mitrovicës, është njëra ndër komunat e Kosovës  që ka më së paku borxhe, për të cilat tha se është i bindur se do të kryhen deri në fund të këtij viti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat