Bahtiri garanton qetësi për të gjithë në Suhodoll

Mitrovica

Bahtiri garanton qetësi për të gjithë në Suhodoll

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 14:20
Agim Bahtiri

Do të jem shumë këmbëngulës që asnjë qytetar në këtë pjesë të mos ndihet i pasigurtë dhe i shqetësuar për asgjë. Nëse është nevoja 24 orë do të jem vet i pranishëm këtu, deri sa të ketë qetësi absolute. I ftoj të gjithë qytetarët pa dallim etnie, që të kontribuojnë në drejtim të bashkëpunimit, mirëqenies dhe fqinjësisë së mirë, sepse kjo na nevojitet shumë tash dhe në të ardhmen.

Këto komente i bëri sot nga veriu kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas sulmit në ambulantën e fshatit  Suhodoll në veri të Mitrovicës, e cila frekuentohet kryesisht nga banorët serbë të kësaj pjese. 

Ai ka dënuar çdo veprim të dhunshëm nga kushdo qoftë, ndërsa bëri thirrje për qetësi, dhe jo për ashpërsim të situatës.

Bahtiri ka garantuar banorët serbë të Suhodollit se do të jetë 24 orë në dispozicion të tyre me të gjitha organet relevante, vetëm që të ketë ruajtje të qetësisë në këtë pjesë.

Ai ftoi po ashtu homologun e tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, që me deklaratat e tij të kontribuojë për qetësi të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Bahtiri: Do të jem vet i pranishëm këtu deri sa të ketë qetësi absolute

“Do të jem shumë këmbëngulës që asnjë qytetarë në këtë pjesë të mos ndihet i shqetësuar për asgjë. Nëse është nevoja 24 orë do të jem vet i pranishëm këtu deri sa të ketë qetësi absolute dhe ftoj qytetarët pavarësisht cilit nacionalitet i përkasin, që të kontribuojnë në drejtim të bashkëpunimit dhe mirëqenies për të gjithë, por edhe të fqinjësisë së mirë, sepse vetëm bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë na nevojitet në këto momente por edhe në të gjitha momentet në të ardhmen. Prandaj, i garantoj qytetarët e Suhodollit të nacionalitetit serb se kryetari Bahtiri do të jetë 24 në dispozicion të tyre me të gjitha organet e nevojshme… Nuk kemi nevojë të ashpërsojmë situatën, por ta normalizojmë dhe apeloj edhe tek Rakiqi që të dal edhe ai me një ofertë konkrete për qytetarët sepse është në të mirë të të gjithë qytetarëve sepse kjo është Republika e Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me kryetarin e veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, si dhe me policinë në veri, për të kuptuar më shumë rreth këtij sulmi, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndryshe, në ambulantën e Suhodollit që dyshohet të jetë sulmuar me gurë gjatë natës së mbrëmshme, janë dëmtuar një pjesë e dritareve, ndërsa nuk ka të lënduar.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat