Dënohet me 12 vjet burg për vrasjen e partnerit me të cilin bashkëjetonte në veri të Mitrovicës

Mitrovica

Dënohet me 12 vjet burg për vrasjen e partnerit me të cilin bashkëjetonte në veri të Mitrovicës

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 15:12
Ajo akuzohej se më 10 maj 2017, në veri të Mitrovicës e ka vrarë Sllavisha Vllashkoviq, me të cilin e pandehura ka bashkëjetuar.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka dënuar me 12 vjet burgim të akuzuarën për vrasje të rëndë, Mirzeta Shuntiq.

Ajo akuzohej se më 10 maj 2017, në veri të Mitrovicës e ka vrarë Sllavisha Vllashkoviq, me të cilin e pandehura ka bashkëjetuar.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga  kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Burim Ademi, pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave dhe provave, ka gjetur se e akuzuara është fajtore për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë’.

Në dënimin me burgim prej 12 vjetësh, të akuzuarës sipas gjykatësit Ademi, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 10 maji i vitit 2017 e deri tani, me ç’rast sipas gjykatës, të akuzuarës do t’i vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Sa i përket kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në procedurë civile.

Njëherësh, e akuzuara po ashtu është obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 542 euro dhe për paushall gjyqësor shumën prej 160 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërinë së këtij aktgjykimi.

Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykatësi Burim Ademi tha se gjykata në këtë rast posaçërisht ka pasur parasysh tre rrethana, gjendjen psikike dhe të alkoolizuar të të akuzuarës si dhe rrethanën e cila sipas gjykatësit Ademi, nuk mund të anashkalohet nga trupi gjykues, faktin lidhur me raportet e të akuzuarës me tashmë të ndjerin.

Lidhur me këtë, sipas gjykatësit Ademi, të gjithë dëshmitarët e dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë pohuar se e akuzuara dhe i ndjeri Sllavisha Vllashkoviq kanë pasur probleme dhe se ato kanë qenë rrahje në raport me të akuzuarën.

Në fund, palët u njoftuan se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankesa brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Mirzeta Shuntiq akuzohet se më 10 maj 2017, rreth orës 18:15, në veri të Mitrovicës,  ka vrarë viktimën Sllavisha Vllashkoviq, me të cilin e pandehura ka bashkëjetuar.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pas një zënke me viktimën, në gjendje të dehur ku përqindja e alkoolit në gjak ka rezultuar 3.29 %, e akuzuara me rrip e shtrëngon viktimën në fyt, me ç’rast si pasojë e mbylljes së rrugëve të frymëmarrjes dhe në mungesë të oksigjenit në organet vitale jetësore, viktima Sllavisha Vllashkoviq vdes.

Me këtë, Shuntiq akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 179 parag 1 pika 1.3  e KPRK-së, vepër e cila ndëshkohet me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat