Katër vjet nga rivendosja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”

Mitrovica

Katër vjet nga rivendosja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 07:13
“Parku i paqes”

Vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, si dhe me mbështetjen dhe në praninë e autoriteteve të Serbisë, më 18 qershor të vitit 2014 serbët lokalë serish vendosën barrikadën e ashtuquajtur Parku i paqes në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës.

Edhe pse heqja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” si dhe lirimi i kësaj ure për qarkullim, është pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, e cila është arritur në bisedimet në Bruksel, ndarjet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, serbët lokalë e patën vlerësuar “Parkun e paqes” jo si barrikadë, por si dorë e zgjatur për pajtim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Mitrovicë.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës patën reaguar duke thënë se barrikada e mëparshme është zëvendësuar me një të re, por vetëm me pamje tjetër dhe se ky veprim e shkel marrëveshjen për qarkullimin e lirë, të arritur në dialogun në Bruksel.

Më 18 qershor, të vitit 2014, kur edhe u vendos barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës, pati theksuar se vendimi për ndërtimin e parkut mbi urë është marrë në konsultim me Qeverinë e Serbisë.

Më 10 shkurt të vitit 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, në takimin me kryeministrin e atëhershëm serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel, ndër të tjera pati kërkuar hapjen e urës qendrore mbi lumin Ibër dhe largimin e barrikadës të quajtur "Parku i paqes".

Më pas, të dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, Agim Bahtiri i komunës jugore dhe Goran Rakiq i komunës veriore, deklaruan se kanë marrë mbi vete obligimin që të gjejnë një zgjidhje për heqjen e barrikadës “Parku i paqes”.

Barrikada e ashtuquajtur Parku i paqes” ka zëvendësuar barrikadën e mëparshme me rërë e gurë në urën kryesore mbi lumin Ibër , që ishte vendosur nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës zyrtare për të vendosur autoritetin në veri.

Përfundimisht, i ashtuquajturi Parku i paqes është larguar nga vetë serbët më 26 tetor 2016.

Përmes buldozerëve dhe me ndihmën e mekanizmave tjerë, ata kanë hequr barrikadën e cila është gjendur në afërsi të shkollës teknike në këtë pjesë të Kosovës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat