Gjykimi i simuluar, nderohen me mirënjohje studentët

Mitrovica

Gjykimi i simuluar, nderohen me mirënjohje studentët

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 14:00
Pamje nga takimi

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, dhe dekani i Fakultetit Juridik, Agron Beka, kanë ndarë mirënjohje për grupin e studentëve që kanë zënë vendin e parë në garën për gjykim të simuluar.

Gjithashtu janë nderuar me mirënjohje edhe dekani Beka dhe koordinatori i grupit të studentëve, profesori Zahir Çerkini, për këtë arritje në garën e organizuar nga “National Center for State Courts” (NCSC), në të cilën morën pjesë studentët nga 5 universitete publike në Kosovë.

Rektori Musaj, uroi stafin akademik dhe studentët e Fakultetit Juridik për këtë sukses.

“Suksesi juaj na bën krenar të gjithëve. Ju keni dëshmuar se përkundër kushteve jo të mira, me punë mund të bëhet shumë”, ka thënë ai.

Krenar me arritjen e studentëve është shprehur edhe dekani i Fakultetit Juridik, Agron Beka. Ai tha se nuk ka qenë e lehtë duke pasur parasysh konkurrencën e fortë që kanë qenë në këtë garë, mirëpo me punë dhe përkushtim të studentëve dhe stafit akademik është arritur një sukses që inkurajon për të ardhmen.

Ndërsa, profesori Zahir Çerkini, koordinator i grupit të studentëve, tha se studentët kanë qenë shumë të motivuar.

“Studentët kanë treguar përkushtim dhe vullnet, prandaj ia kanë dalur që të na nderojnë me vendin e parë”, tha ai.

Sipas tij, lajmi i mirë është se “Klinika” do të vazhdojë edhe për tre vjet si rezultat i suksesit që ka treguar.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat