Eliza Hoxha vjen me 'Ecjen ti vazhdo', për muajin e ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit

Muzikë

Eliza Hoxha vjen me 'Ecjen ti vazhdo', për muajin e ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit

Më: 30 shtator 2016 Në ora: 16:28
Eliza Hoxha

Këngës i është realizuar edhe videoklipi, i cili vjen me regji të regjisores Burbuqe Berisha dhe do të publikohet nesër në mbrëmje.

Muaji tetor është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, kjo për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.

E ky muaj nuk kalon asnjëherë pa ndonjë prurje nga ana e artistëve në fusha të ndryshme në mënyrë sensibilizimi, duke synuar që të shpërndahet informacioni në lidhje me shëndetin e gjirit dhe kësisoj të arrihet ndërgjegjësimi për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin.

Në mëngjesin e ditës së sotme, artistja Eliza Hoxha ka postuar një fotografi ku është shfaqur me kokën e rruar. Por, Eliza Hoxha tregoi për KultPlus se një gjë të tillë e ka improvizuar në mënyrë perfekte make-up artistja Vjosa Metaj Cena dhe kjo gjë nuk është bërë pa shkas.

Artistja Hoxha, tregoi se meqë është muaji tetor, muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ajo ka vendosur ta sjellë një këngë pikërisht për këtë kauzë. Kënga e cila titullohet “Ecjen ti vazhdo”, vjen e punuar nga Florent Boshnjaku, përderisa tekstin e ka shkruar vetë artistja. 
Këngës i është realizuar edhe videoklipi, i cili vjen me regji të regjisores Burbuqe Berisha dhe do të publikohet nesër në mbrëmje.

Kjo ide është organizuar nga organizata Jeta – Vita, nga Nafije Latifi.

Nuk është hera e parë që Eliza Hoxha i këndon kauzave të ndryshme dhe provon të sjellë dritë mbi debatet e humbura. Para disa vitesh ajo solli “Për ata që s`janë”, një këngë për të kujtuar të gjithë ata që janë ende të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Më pas, “Heshtja e Këngës” erdhi në vitin 2014-të, edhe ky një videoklip që sjellë dhimbjen e grave të dhunuara gjatë luftës. 

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat