Inva Mula merr stafetën

Muzikë

Inva Mula merr stafetën

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 16:38
Inva Mula

Sopranoja Inva Mula do të marrë drejtimin e Festivalit “Marie Kraja”, pas emërimit të Zana Çelës në krye të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, e cila ka drejtuar deri më tani këtë ngjarje muzikore.

Inva duket se e ka pritur prej kohësh këtë moment.

“Duket sikur Zana më le stafetën dhe kështu është. Një lloj stafete, e cila më pëlqen dhe më përshtatet. Kur Zana më besoi të jem drejtore artistike e këtij festivali, do të thoja se e dëshiroja, pasi është një festival që fatmirësisht e fatkeqësisht është i vetmi në fushën e muzikës vokale e këtyre përmasave në Shqipëri”, tha Inva Mula, udhëheqëse artistike e Festivalit “Marie Kraja”.

Mula do të ruajë të njëjtën strukturë të ideatores së këtij festivali. Ajo që do të ndryshojë do të jetë një pjesëmarrje gjeografike jo aq e gjerë sa më parë, në kërkim të cilësisë vokale. Çela thotë se zgjedhja është bërë pasi asnjë këngëtar tjetër i niveleve të larta nuk ka qenë aq i pranishëm sa në këtë festival, sa Inva Mula.

“Unë do të doja shumë që të jetë vazhdimësi, por kjo është në dorën e Invës. Kam idenë se do ta testojë njëherë si vit i parë. E rëndësishme është që Festivali Marie Kraja kaloi në drejtimin artistik të një personaliteti kaq të madh, siç është Inva Mula”, u shpreh Zana Çela, drejtore e TKOB-së.

Edicioni i 16 i Festivalit “Marie Kraja” do të mbahet në Tiranë në datat 3, 4 dhe 5 Nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat