“Kënga dëgjohet me shpirt e veshë dhe jo me sy”

Muzikë

“Kënga dëgjohet me shpirt e veshë dhe jo me sy”

Nga: Mimozë Lakna Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 17:53
Arsim Bunjaku

Arsim Bunjaku është një ndër tekst shkruesit më të njohur, jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë trojet shqiptare. Ai ka realizuar një numër të madh të projekteve muzikore të cilat kanë mbetur gjatë në kujtesën e dashamirëve të muzikës. Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, Arsimi ka treguar më shumë rreth profesionit si tekst-shkrues dhe aranzhues. Ai ka treguar se shumica këngëtarëve vazhdojnë të jenë besnik ndaj këngëve dhe teksteve të tij, për shkak të mënyrës së stilit në të cilin shkruan. 

Bota Sot: Arsim me çfarë po merreni aktualisht?

Arsim Bunjaku: Aktualisht jam duke punuar në disa projekte muzikore, të cilat si zakonisht janë më të shumta, dhe më të larmishme gjatë festave të fundvitit. 

Bota Sot: Ku e gjen më mirë veten, kur këndon vetë,  apo kur shkruan tekste dhe bën muzikë për të tjerët?

Arsim Bunjaku:  Mund të them lirisht se kur i këndoj këngët të cilat i kam punuar vet, si tekstin ashtu edhe muzikën, ndjehem më mirë dhe më i plotë muzikalisht. Është një ndjenjë e veçantë kur e komponon, e shkruan tekstin, e përcjellë me gitarë dhe e këndon vet. Në këto raste jam njëqind përqind me shpirt dhe zemër në këngë. Nuk po them që nuk jam ky që jam, edhe në punën që e bëjë për të tjerët, por kur këndoj vet është një emocion tjetër, jam i pa ngarkuar nga orkestrimi, bëhem një me këngën. 

Bota sot: Më shumë keni shkruar tekste për këngëtarë të muzikës popullore apo zbavitëse?

Arsim Bunjaku: Të them të drejtën, nuk e di sigurtë, se a kam shkruar më shumë zbavitëse apo popullore, gjithsesi mund të them se mund të jetë një mes. Përafërsisht mund të them se numri mund të jetë i njëjtë edhe pse dihet se kërkesat janë më shumë të zhanrit popullor.

Bota sot: Tekstet që janë shkruar më parë, a janë më të fuqishme se tekstet që po shkruhen tani?

Arsim Bunjaku: E gjithë kjo varet prej autorit, sepse autori e ka gjithmonë një pikësynim para se të filloj të shkruaj, e ka një përgjegjësi morale për atë se çfarë shkruan. Sepse tek ne është interesant, pasi disa sikur presin që të gabosh dhe ti si autor pa marrë parasysh se a shkruan për zhanër zbavitës apo popullor nuk të lejon ndërgjegjja me lënë diçka që nuk të pëlqen. Por, mund të them se për balada hapësirë poetike ka më tepër. Po e quaj poetike,  sepse jo të gjitha poezitë mund të bëhen këngë, edhe është shumë vështirë, sepse poezia është poezi e kënga është këngë, ka  të tjera kritere, mirëpo tek baladat e them më mirë atë se çfarë duhet të them. Dhe meqë tek baladat,  ke hapësirë për t’u shprehur edhe baladat dalin më të fuqishme, sepse edhe këngëtari duhet me qenë më i fuqishëm që ta këndoj baladën. Pasi, baladë është si një test për një këngëtar se a është profesionist a jo, sepse aty nuk mund t’ia rregullosh zërin me efekte, pasi është si një shtrirje, kush këndon kush jo, nuk është profesional.

Bota Sot: Cili është teksti i juaj, për të çilin mund të thoni se keni arritur kulminacionin në karrierë?

Arsim Bunjaku: Kam pasur një fat të mirë që aty ku kam qenë autor i teksteve, por kanë qenë edhe të orkestruarit e mirë, këngëtarët e  mirë,  dhe këto gjëra e bëjnë një këngë hit. Nuk mjafton vetëm teksti ose vetëm muzika, duhen shumë faktorë, që faktikisht janë si hallkat e zinxhirit, ku nëse njëra hallkë është e dobët aty edhe këputet. Që të jetë një këngë hit, së paku duhet të ketë një tekst të mirë, një melodi që të mbetet në shpirt, një orkestrim, dhe kuptohet një interpretim të mirë, nëse njëra nga këto mungon kënga nuk do të dalë ashtu si e duam.

Bota Sot: Të gjitha këngët dhe tekstet e shkruara nga ju janë hite, a mund të na tregoni, se çilat janë kërkesat më interesante të këngëtarëve për tekste?

Arsim Bunjaku: Për sa i përket kërkesave paraprake të këngëtarëve apo temat e preferuara të tyre për ndonjë tekst, është një drejtë që nuk mund të refuzohet, edhe pse kam pak të tilla, zakonisht kërkesat janë për tema sociale apo tema ku trajtohet shuarja e një jete të ndonjë personi të dashur. Kurse për temat që zakonisht i trajtoj, i kam duart e lira.

Bota Sot: Kur ju bëjnë kërkesë për tekste artistët e ndryshëm, a i kanë të bazuara kërkesat në jetën e tyre personale?

Arsim Bunjaku: Kjo është një pyetje e cila bëhet shpesh në mes të fansave, ku thjeshtë duan ta dijnë, se tek këngët e tyre të preferuara a ka edhe ndonjë temë që ka të bëjë me jetën personale të këngëtarit. Përgjigja është jo. Nuk kanë të bëjnë aspak me gjëra personale, ata ma lënë mua në dorë që të vendosë për temën dhe nuk bënë ti portretizojmë këngëtarët me temat e këngëve, sepse po të ishte ashtu asnjë këngëtarë nuk do të kishte jetë personale do të ishte e gjitha publike.

Bota Sot: Cili është mendimi juaj si kompozitor dhe tekst-shkrues për brezin e ri të këngëtarëve, a kemi talente që ia vlejnë?

Arsim Bunjaku: Mendoj që kemi një brez të ri tepër të talentuar, të cilët fatkeqësisht nuk e kanë edhe aq sa duhet ndihmën institucionale. Shumë nga këta thyhen qysh në këngën e parë, sepse presin sukses të menjëhershëm dhe tërhiqen nga bota e muzikës, duke mos e kthyer kokën pas, dhe duke e lënë këngën e ëmbël shqipe të pa freskuar me gjak të ri, me mendime të reja, dhe kjo është një humbje e madhe sepse bota udhëhiqet nga ëndrrat rinore, prej syve që e shohin botën nga një këndvështrim tjetër, këndvështrim të cilin brezat e vjetër nuk mund ta kenë dhe as të shohin.

Bota Sot: Çfarë duhet të këtë një këngë që të mbijetojë dhe mos të vdes kurrë?

Arsim Bunjaku: Kënga duhet dëgjuar me shpirt, me vesh dhe jo me sy. Ajo duhet të ketë vijën melodike, aranzhmanin, tekstin dhe mesazhin bartës në fund patjetër. Kënga duhet të ketë një mesazh në vete, dhe asnjëherë teksti nuk duhet të jetë në vetën e parë. Një këngë e mirë duhet dëgjohet nga të gjitha brezat edhe nga të rinjtë edhe nga të moshuarit. Nëse një këngë është e kompletuar dhe natyrisht e interpretuar mirë, ajo mbetet përgjithmonë në kujtesë dhe dëgjohet gjeneratë pas gjeneratë. Por në Kosovë fatkeqësisht, disa këngëtarë e kanë keqkuptuar këtë, sepse muzika është bërë komercialitet,kënga më shumë po shikohet, se sa po dëgjohet, dhe kjo është me të vërtetë për të ardhur keq.

Bota Sot: Vite më parë ju jeni përzgjedhur edhe si një ndër tekstshkruesit më  të mirë në Shqipëri, për këngën e Genta Ismailit “ E kam provuar ? Cfarë ndjenje ishte kjo për ju?

Arsim Bunjaku: Të vlerësohesh nga një juri profesionale sigurisht se është një ndjenjë e mirë, që të bën të ndihesh i kompletuar. Thashë edhe më parë se kënga, teksti duhet të ketë vijën melodike, një mesazh nga brenda,vargje që burojnë nga shpirti, dhe që këndohen me shpirt, natyrisht. Iniciativa nga drejtuesit e teksteve shqip për ti shpallur 10 tekstet më të mira për vitin 2013, ishte një gjë e shënuar atëkohë. Më erdhi mirë kur e pashë se teksti që e kam shkruar unë për këngën "E kam provuar" e cila gjithashtu është e kompozuar nga unë, e aranzhuar nga Virusi, dhe e kënduar nga Genta Ismajli u rendit në vendin e dytë. Mendoj, se çdo kush, mund ta gjej veten tek një këngë.“Për një person që e ke dashur shumë, në zemër do të ketë gjithmonë një vend të zbrazët, të ruajtur për të, edhe nëse nuk është më ty”. Pra ky ishte mesazhi i kësaj balade të bukur dashurie, dhe natyrisht thashë edhe më parë, se të vlerësohesh nga juri profesionistësh nga të gjitha trevat shqiptare, do të thotë shumë për një autor. Edhe pse ky nuk ka qenë “kulmi” im, pasi kam pasur edhe shumë këngë  të tjera, të cilat vazhdojnë të dëgjohen edhe në ditët e sotme. Vlerësimet e tilla më bëjnë të ndihem krenarë dhe të jem edhe më i përkushtuar në punën time të mëtejshme.

Bota Sot: Po për tregun muzikorë në përgjithësi çfarë mendoni?

Arsim Bunjaku: Nuk besoj që ka dikund në Evropë treg më të çoroditur se në Kosovë. Punoj me shumë produksione, njëri ndër ta është edhe “Emra Com” një lider në botën e muzikës shqipe, dhe e di se sa humbje ka vetëm nga piratëria që i bëhet nga shitja e paautorizuar e materialeve muzikore. Ai e ka potencuar shpesh këtë, por si duket lypset kohë, deri sa gjërat të jenë në vijë, dhe ta kemi një treg të qëndrueshëm, ku ai që investon edhe të mbrohet ashtu si do të duhej nga organet kompetente. Sepse ju e dini që e drejta e autorit duhet të mbrohet me ligj.

Bota Sot: Keni këngëtarë që u kanë qëndruar përherë besnikë teksteve tuaja, apo kërkesat janë të ndryshme?

Arsim Bunjaku: Është fat që kam shumë këngëtarë, më të cilët punoj një kohë të gjatë, dhe ende besojnë në punën time tash e sa vite. Ju e dini që shijet e muzikës ndryshojnë, dhe ndihem i privilegjuar që edhe pas gjithë këtyre viteve puna ime ka mbetur e parapëlqyer tek këta, dhe kjo më jep motiv që të vazhdoj tutje. Dhe shumica e tyre ende janë besnik ndaj këngëve dhe teksteve të mia, ndoshta për faktin, se e kanë gjetur veten tek tekstet e mia, apo pse iu ka fjetur në shpirt mënyra e stilit tim të shkruar.

Bota Sot: A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri, duke i marrë parasysh festat e fundvitit?

Arsim Bunjaku: Po, aktualisht jam duke punuar në disa projekte muzikore, të cilat si zakonisht janë më të shumta, dhe më të larmishme gjatë festave të fundvitit. E kjo mbetet të shihet dhe të vlerësohet pastaj nga dashamirët e këngës. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat