Pranvera Sula Çobo dhe kënga me vallen shqipe në Amerikë

Muzikë

Pranvera Sula Çobo dhe kënga me vallen shqipe në Amerikë

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 12:23
Pranvera Sula Çobo

Pranvera Sula Çobo, emigroi në Amerikë në vitin 2000 nëpërmjet programit të ofruar nga US Emigration -Llotary Division Program. Profesioni i saj sot, është Music Director at Liberty International Montessori Schools. Njëkohesisht, për më se 11 vjet punon në Çobo Music Studio, duke dhënë  kontributin  e saj në komunitetin e Westchester County Families,  si mësuese muzike në degën e pianos, kitarrës dhe violinës.

Pranvera ka katër vite që drejton  Ansamblin Artistik, “Kënga dhe Vallja Shqiptare”.  Ideja për të krijuar një Ansambël artistik i lindi si domosdoshmëri e komunitetit shqiptar  në USA. Fëmijet e lindur në Amerikë, për të ruajtur traditën, kulturën dhe ritet shqiptare, duhet  t’u krijohej, një ambjent frytëdhënës, ku një herë në javë me moshatarët që jetojnë në qytete të ndryshme, të kalojnë një mbasdite ku të marrin njohuri muzikore dhe  [pran5] koreografike. Si mësuese muzike e përgatitur, në dy shkollat e artit klasik, nga Europa dhe Amerika, Pranvera ndjeu detyrim moral dhe shpirtëror të jepte kontributin e saj personal në fushën e artit muzikor kombëtar.

Ajo, mendon se çdo mësues muzike nga vende të ndryshme të botes mund t’u japë mësime muzikore në gjuhën angleze, por gjuhën, këngën dhe vallen shqipe, nuk munden  t’ua kultivojnë. Ndër shumë aktivitete në Amerikë, ajo përmënd, Festivalin e Fëmijëve, “Zërat e Rinj”, që për katër vite ka hyrë si ngjarje unike për fëmijët shqiptarë në diasporën e Amerikës. Fëmijë nga shtete të Amerikës, vijnë në NY, takohen me bashkëmoshatarët e tyre, duke shpalosur talentin si këngëtarë. Festivali, është dita më e bukur, kur fëmijët shqiptarë në Amerikë,  ndihen  krenarë për çfarë përfaqësojnë, duke i ofruar Amerikës, bukurinë e muzikës kombëtare.

Cila ka qënë fëmijëria e Pranverës?

P.Ç : Fëmijëria e Pranverës në drejtim të karrierës artistike, nis në grupet artistike pranë Shtëpisë së Pionierit në Shkodër. Isha 9 vjeç kur fillova mësimet e para në instrumentin e violinës. Më pas në moshën 10 vjeçare nisa instrumentin e kitarrës për të vazhduar studimet në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”,  në degën e kontrabasit. Gjatë shkollës së mesme kam marrë pjesë në shumë aktivitete artistike në qytetin e Shkodrës, me orkestrën simfonike ,orkestrën popullore , orkestrën  profesionale të teatrit ‘Migjeni”. Në vitin 1987, përfaqësova , Shqipërinë në Festivalin Ballkanik që u zhvillua në Prevezë të Greqisë si kitarriste.

Disa nga modelet që ju kane drejtuar në karrierën tuaj?

P.Ç : Në karrierën time, kam patur fatin të drejtohem nga shumë baballarë të historisë së muzikës në Shqipëri duke përfshirë, Çesk Zadeja dhe Albert Paparisto, të dy profesorët e mi gjatë studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë. Në listën e pedagogëve të mi janë dhe profesorët dhe muzikantët e nderuar,  Sandër Çefa , Simon Gjoni , Gjon Simoni, Pandi Bello, Kristofor Xhokaxhi, Fatmir Hysi, Ilirjana Dema. Modeli më i shkëlqyer, që më frymëzoi të bëhesha muzikologe kanë qënë dy profesoret e mi të dashur nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”,  Elsa Kola dhe Rafael Shabani.

Cilat kanë qënë pikat më të bukura të karierrës tuaj?

P.Ç : Janë shumë aktivitetet dhe festivalet që kam marrë pjesë, por do të përmëndja, Festivalet e fëmijëve në Shkodër gjatë fëmijërisë sime, Festivali Ballkanik në Preveze-Greqi. Por po ashtu do të kujtoja,  pranimin në Akademinë e Arteve në vitin 1990, performancat me Orkestrën Simfonike të Lehman College University of  NY , Graduation from Lehman College University of NY dega Music Education -2008, Festivalin e Fëmijëve ne USA, “Zërat e Rinj”, që për katër vite hyri si  ngjarje unike për fëmijët shqiptarë në diasporën e largët të Amerikës. Fëmijë, nga 5-6 shtete të Amerikës, vijnë në NY dhe takohen me bashkëmoshatarët e tyre, duke shpalosur talentin si këngëtarë. Dhe po këta talente, do të jenë e ardhmja dhe stafeta në breza të këngës dhe valles popullore.Festivali, është dita më e bukur ku fëmijët shqiptarë në Amerikë,  ndihen  krenarë për çfarë përfaqësojnë,  duke i ofruar Amerikës, bukurinë e muzikës tonë kombëtare. Syte e tyre ndriçojnë skenën si një buqetë e bukur dhe dhurate për komunitetin.

Si dhe pse erdhët në Amerikë?

P.Ç : Kam emigruar në Amerikë në vitin 2000, nëpërmjet programit të ofruar nga US Emigration -Llotary Division Program .

P.Ç : Si emigrante e ardhur në Amerike pa patur asnjë mbështetje dhe ku nisi një jetë të re, kjo kohë ka qënë më e vështira për mua në të gjitha aspektet. Vinim nga një vend me jetë sociale të papërgatitur që t’i përballemi shoqërisë dhe sistemit kapitalist amerikan. Normalisht, fillimi ka qënë i vështirë, por nëse e shohim në një vështrim më të gjërë, ja ka vlejtur mundimi -si thotë populli.

Si do ta përcaktonit jetën në kontinentin amerikan?

P.Ç : Jam një grua dhe nënë me fat që në krahun tim kam patur  mbështetjen e familjes time për të arritur ëndrrat e mia në këtë kontinent të madh dhe  kolosal ku çdo gjë në jetë ka një çmim dhe si i tillë çdo çmim është vlerësim .

Çfarë bëni ju sot në Amerikë?

P.Ç : Profesioni im në Amerikë, është Music Director at Liberty International Montessori Schools. Njëkohesisht, për më se 11 vjet punoj në Çobo Music Studio, duke dhenë  kontributin tim në komunitetin e Westchester County Families,  si mësuese muzike në degën e pianos, kitarrës dhe violinës . Kam 4 vite që drejtoj Ansamblin Artistik,  “Kënga dhe Vallja Shqiptare”.

Si ndiheni që punoni me fëmijë?

P.Ç:  Është kënaqësi e madhe të punosh me fëmijët .Është një profesion sa i vështirë por dhe i bukur, pasi tek një fëmijë është shumë i rëndësishëm,  personaliteti, karakteri dhe vlerësimi të cilat vetem arti dhe sporti mund t’i ofrojë .

Si ju lindi ideja të krijni një grup me fëmijë artistë?

P.Ç:  Ideja për të krijuar një Ansambel artistik më lindi si një domosdoshmëri e komunitetit tonë në USA. Fëmijet e lindur në Amerikë, për të ruajtur traditen, kulturën dhe ritet shqiptare, duket t’i krijohej një ambjent frytëdhënës ku një herë në javë së bashku me moshatarët e tyre që jetojnë në qytete të ndryshme,  të kalojnë një mbasdite kulturore ku të merrnin njohuri muzikore dhe koreografike që të ndjehen krenarë për rrënjët e tyre. Si mësuese muzike e përgatitur me baza profesionale në të dy shkollat e artit klasik nga Europa dhe Amerika, e ndjeja detyrim moral dhe shpirtëror,  të jepja kontributin tim personal në fushën e artit muzikor kombëtar. Mendoj që çdo mësues muzike nga çdo vend i botës mund të japin mësime muzikore në gjuhën angleze, por gjuhën, këngën dhe vallen shqiptare nuk munden dot t’ua kultivojnë .

Cilat janë disa nga veprimtaritë që keni  organizuar?

P.Ç : Mund të përmënd një seri aktivitetesh si, Festivali Shqiptar për të rritur organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” 2010-2015, Festa e Pavarësisë, 28 Nëntor organizuar nga Shoqata PanVatra 2012-2015, Festa e pavarësisë së Kosovës 17 Shkurt 2012-2015, Festivali Ndërkombëtar “Golden Fest  “2014 me përfaqësues të Shqipërisë, Festa e nënës  më 7-8 mars organizuar nga AAWO “Motrat Qirjazi ‘,  2013-2015, Festivali i Fëmijëve në USA, “Zërat e Rinj”,  2013,2014,2015,2016.

Disa nga qëllimet më të afërta që ju keni për të realizuar?

P.Ç:  Kam idënë e organizimit të një evenimenti tjetër për fëmijët shqiptar në Nju Jork,  “Albanian Junior Talent Show”.

Cili mendoni se është imazhi i gruas shqiptare të shekullit të XXI?

P.Ç:  Gruaja shqiptare në Amerikë është shumë e emancipuar dhe aktive në profesione të ndryshme dhe disa prej tyre , janë dhe shumë aktive në  aktivitetet tonë në Amerikë.Unë  e shoh nënën shqiptare si pishtar që nuk shuhet kurrë në edukimin e fëmijëve të tyre dhe punën e madhe që bëjnë për ti përgatitur fëmijët  e tyre për një familje të shëndoshë, emancipuese në një shoqëri multikulturale si ajo amerikanë.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat