Takim shpirtëror përmes muzikës, sporanoja Inva Mula përkujton nënë e saj Nina Mula

Muzikë

Takim shpirtëror përmes muzikës, sporanoja Inva Mula përkujton nënë e saj Nina Mula

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 20:32
Nina Mula

Një takim shpirtëror përmes muzikës, në 85 vjetorin e lindjes së artistes së njohur shqiptaro-ruse Nina Mula.

E bija e saj, sopranoja shqiptare më famë botërore, Inva Mula  zgjodhi këtë mbrëmje, katedralen “Shën Pali”, për të kujtuar me muzikën e të mëdhenjve artisten që gjeti dashurinë dhe lëshoi rrënjë muzikore në Shqipëri.

Me emocion u kujtua përmes këtij koncerti, Mimi i operës “La Boheme”, Rosina e operës “Il Barbiere di Seviglia”, Norina e operës “Don Pasquale”, Drita e operës “Pranvera”, Olimbia e operës “Lulja e Kujtimit”, Susana e operës “Le nozze di Figaro”, Leila e operës “Peshkatarët e Perlave”, Violeta e operës “La Traviata” Gilda tek “Rigoletto”, Mrika e operës “Mrika, Donika e “Skënderbeut”, Butterfly e operës “Madama Butterfly” etj. Koncerti i realizuar në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, u drejtua  nga dirigjentja Suzana Turku dhe veprat u vunë në këtë skenë të Katedrales me interpretimin e Genc Tukiçit si dhe ish studentëve të Nina Mules, si mexosopranoja Irida Dragoti, që ka ardhur posaçërisht nga Roma për këtë event dhe tenori Klodian Kaçani.

Inva Mula e konsideron një figurë shumë të rëndësishme nënën e saj, sepse thotë që për të ka qenë profesoreshë, nënë, si artiste, dhe ka ndikua mjaft në zhvillimin e karrierës së saj.

”Por edhe studenti i fundit i cili ka marrë mësime nga nëna ime disa ditë përpara se ajo të ndahej nga jeta ka qenë Klodian Kaçani. Dhe unë e kam quajtur gjithmonë që Klodi ka marrë një testament të fundit, ai ka punuar me të. Jam shumë e lumtur sot për ecurinë e karrieres së Klodit, por kemi dhe Irida Dragotin një mezosoprano shumë e suksesshme e cila sot punon dhe jeton në Romë, e ka ardhur enkas për këtë koncert”, është shprehur para koncertit Inva Mula.

Sopranoja e dhjetra roleve në operën shqiptare, Nina Mula u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2011 në moshën 80-vjeçare. Lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi, Nina do të korrte suksesin e parë në jetë, duke fituar konservatorin e Moskës, vendi i cili do të bëhej shkak për të njohur studentin shqiptar, Avni Mula, dashuria për të cilin do të bënte ta ndiqte në Shqipëri.

Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70. Në vitin ’58, së bashku me të madhin Avni Mula, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë.

Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhri “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat