Mallkimi i yjeve të Pop-it

Muzikë

Mallkimi i yjeve të Pop-it

Më: 26 dhjetor 2016 Në ora: 23:41
Michael Jackson

Luanë në skenë, flutura të brishta kur dritat fiken. Shumë prej idhujve Pop të viteve 80, fatin e patën të trishtë. Buzëqeshjet në gazeta, blicet e fotografeve, kopertinat e bujshme, miliona disqe të shitura, fshihnin në plot raste errësirën që pushtonte shpirtin e këtyre artisteve, pasiguritë dhe boshllëkun.

Nëse përpara publikut, idhujt e asaj kohe dukeshin të pathyeshëm, stadiumi bosh nxirrte në pah cenueshmërinë e tyre. Që prej 1987-tës “Need You Tonight”  ka qenë thuajse i përhershëm në diskotekat e të gjithë botës. 

Ishte pjesa më e famshme e INXS, këngëtari i të cilit, Michael Hutchence, njëkohësisht figura më karizmatike e grupit u gjet i vdekur në një hotel te Sydney-t kur ishte vetëm 37 vjeç. Një vetëvrasje e motivuar ndoshta prej depresionit kur ishte nën efektin e drogës dhe të alkoolit.

Po në një hotel gjeti vdekjen dhe Whitney Houston, zëri i mrekullueshëm që nuk njohu të dytë. Përfundoi e mbytur në vaske pas një overdoze qetësuesish e alkooli gjithashtu. 

Michael Jackson shpërtheu në1982-shin me “Thriller”, albumi më i shitur në historinë e muzikës. Një nga të paktët njerëz me ngjyrë që do të kishin asokohe një impakt të tillë. Pas djaloshit aq te talentuar ama fshihej një abis pasigurish, kompleksesh dhe frike deri kur imazhin ia dërrmoi akuza për pedofili. Vdekja erdhi si pasojë e një intoksifikimi të fortë nga qetësuesi i fuqishëm Propofol. 

Nuk ishin vite të lehta ato për t’u shfaqur publikisht si homoseksual. Boy George e pati shume të vështirë t’i bënte ballë presionit mediatik, ndaj dhe gjithë kohën shfaqej konfuz ne deklaratat e veta. 

Frika që të dilte publikisht si homoseksual e përndoqi gjatë gjithë jetës së tij edhe të madhin Freddie Mercury. Samantha Fox e vuajti shumë shndërrimin në seks simbol për meshkujt, kur dashuria e saj ishte Myra Statton.

Jim Kerr i “Simple Minds” është një ndër të paktët që arriti të rigjente ekuilibrin duke menaxhuar bilancin me drogat dhe dy martesa të dështuara. “Jemi ca të krisur dhe egoiste ne artistët”, thotë ai duke justifikuar në këtë mënyrë lajthitjet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat