Gjeniu i dytë i Vjenës, britanikja 11-vjeçare

Muzikë

Gjeniu i dytë i Vjenës, britanikja 11-vjeçare

Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 19:14
Vogëlushja britanike, Alma Deutscher

Është vetëm 11 vjeç dhe ia ka dalë mbanë të mahnisë një publik të vështirë dhe shumë kërkues, si ai i Vjenës. Vogëlushja britanike, Alma Deutscher është pritur me ovacione nga salla, pas premierës së operas së kompozuar prej saj, “Hirushja”.

Ajo thotë se e merr frymëzimin e saj muzikor nga kërcimi dhe e ka riimagjinuar fabulën e Hirushes, duke e zhvendosur atë në një sallë opere të drejtuar nga njerka e keqe.

Opera në gjuhën gjermane u shfaq në Teatrin “Baumgarten” të Vjenës, dhe Deutscher ishte e pranishme në performancë duke luajtur intervale muzikore në piano gjatë pushimeve, e madje në një moment shoqëroi edhe Hirushen me violinë.

Shumë nga të pranishmit në sallë e kanë krahasuar talentin muzikor të vajzës, me atë të më të famshmit fëmijë gjeni të Vjenës, Volfgang Amadeus Mozart, që pushtoi Europën me operat dhe kompozimet e tij në fund të shekullit të XVIII.

“Hirushja” e Deutscher është një vepër dy orë e gjysmë e gjatë, dhe skaleta muzikore ka gjithsej 237 fletë. Një version më i shkurtër, paraprak, ishte shfaqur në Izrael në korrik të vitit 2015. Ndërkohë që vogëlushja është ambicioze dhe shumë shpejt do të shfaqet me një koncert për piano, planifikon të shkruajë një libër e ta shndërrojë atë në film, duke e shkruar vetë skenarin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat