Muzika klasike kineze vjen në Universitetin e Arteve në prag të Festës së Pranverës së Kinës

Muzikë

Muzika klasike kineze vjen në Universitetin e Arteve në prag të Festës së Pranverës së Kinës

Më: 13 janar 2017 Në ora: 23:49
Koncerti klasike kineze

Në prag të festës tradicionale kineze të Vitit të Ri ose “Festa e Pranverës”, ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të ambasadores Jiang Yu, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Publik Shqiptar, organizuan të premten në mbrëmje, në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, një koncert me pjesë të zgjedhura të muzikës klasike kineze, por jo vetëm, të interpretuara nga tre artistë kinez.

Në këtë koncert merrnin pjesë ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Jiang Yu, ambasadori  i Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës Selim Belortaja, zv.ministri i Kulturës Zef Cuni, zv.ministrja e Arsimit dhe Sporteve Nora Malaj,  personalitete nga fusha të ndryshme, të artit dhe kulturës, kinezë që jetojnë në Shqipëri, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Muzikantë të famshëm kinez e shqiptar interpretuan muzikë të zgjedhur dedikuar  miqësisë së thellë tradicionale kino-shqiptare, pjesë muzikore të dashura për të dy vendet tona.

Për të rikujtuar këtë memorie të bukur, në prag të Festës së Pranverës së Kinës, dirigjent dhe instrumentistë nga Orkestra Simfonike të Shenzhen me Orkestrën e RTSH-s interpretuan pjesë të njohura të muzikës klasike kineze për të shtuar një faqe të re në partiturën e miqësisë kino-shqiptare.

Në këtë bashkëpunim të Orkestrës së RTSH-së me tre instrumentistët kinezë, dirigjentin Lin Daye, violinisti Guo Shuai dhe instrumentistja Zhang Hongyan, programi muzikor përveç pjesës “Kapriço italiane” e Çajkovksit, të gjitha pjesët e tjera të  këtij koncerti që u interpretuan nga artistët kinez, u përkisnin kompozitorëve më të njohur të repertorit të muzikës klasike kineze.

Ky koncert organizohet  me rastin e festës së Pranverës Kineze, por edhe për traditën e miqësisë, që shqiptarët kanë pasur ndër vite me popullin kinez.

Koncerti vjen në diapazon të traditës kineze-shqiptare që zhvillohet mes dy vendeve jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe në fusha të tjera. Prandaj për të kujtuar këtë memorie të bukur, Ambasada Kineze në prag të festës së Pranverës Kineze ftoi këta tre instrumentistë që luajtën pjesë të kompozitorëve kinezë.

Veprat e përzgjedhura muzikore të interpretuara në këtë koncert ishin pjesë të bukura, të cilat përfshijnë muzikën klasike kineze në një shkallë pentatonike, shkallë që lëvrohet dhe në muzikën shqiptare, kryesisht atë të Jugut.

Në këtë drejtim muzika për instrumentistët ishte e thjeshtë dhe shume e mirepritur nga spektatoret ne salle. Muzika melodioze shumë unike u mirëprit me duartrokitje të gjata nga spektatorët e pranishëm.

Intonacionet e kësaj muzike ndonëse i përkasin muzikës tradicionale ato vijnë të përshtatura në kohën e sotme.

Tre artistët kinezë, që u ngjiten mbrëmjen e së premtes në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, janë të njohur jo vetëm në vendin e tyre, por në mbarë botën.

-Dirigjenti Lin Daye, drejtor muzikor i Orkestrës Simfonike të Shenzhenit, ka një eksperiencë ndërkombëtare. Ai është fitues i Çmimit të 6-të të dirigjentëve Ndërkombëtarë të Konkursit Sir Georg Soltri.

-Guo Shuai është një violinist shumë i mirë, i cili është pjesë i Orkestrës së Shenzhen-it, që nga viti 2013. Ai ka bërë turne koncertorë kryesisht në vendet e Europës Lindore dhe në vendet e SHBA-së.

-Ndërsa, Zhang Hongyan luan instrumentin e pipa-s. Ka filluar të mësojë t’i bjerë instrumentit të pipa-s në moshën 7-vjeçare. Sot vlerësohet si një instrumentiste e njohur e pipa-s në qarqet kineze dhe atij të huaj. Ajo është kthyer në një muzikante magjepse dhe e lirshme falë aftësive të shkëlqyera dhe tipike muzikore, si dhe temperamentit elegant oriental. Ka marrë mësime të suksesshme nga Zhang Shijuin, Sun Weixi dhe Lin Shicheng.

 Programi i koncertit

Programi i përzgjedhur me pjesë kineze, nga kompozitori Li Huanzhin u luajt “Spring Festival Overture  6”; “The Heroic Little Sisters on the Grassland  6” nga Liu Qichao dhe Zhang Yan; “Dance of the Yao Tribe  6” nga Liu Tieshan dhe Mao Yuan; “The Butterfly Lovers  28” nga Chen Gang  dhe He Zhanhao, “Capriccio italien 15”  nga Çajkovski; “Good News from Beijing to Borderland  5” me kompozitorë Zheng Lu dhe Ma Hongye dhe “Girls of Ali Mountain” me kompozitor Ng Chiu-Shing.

Viti i Ri  ose Festa e Pranverës Kineze        

Edhe pse festat kanë mbaruar, ka ende një Vit të Ri për të festuar. Është Viti i Ri kinez, që ndryshe nga sa mendohet nuk festohet në 1 janar, por çdo ditë ka një datë të ndryshme, si dhe një kafshë nga të zodiakut kinez me të cilin Viti i Ri personifikohet.

Pavarësisht se kjo festë festohet në kulmin e dimrit, emri zyrtar i Vitit të Ri kinez është Festa e Pranverës dhe lidhet me kalendarin tradicional kinez, që është i ndryshëm nga ai Gregorian: për këtë arsye data e vitit të ri kinez mund të variojë midis 21 janarit dhe 19 shkurtit.

Viti i Ri Kinez 2017 këtë vit festohet midis 28 janarit dhe personifikohet me shenjën e Gjelit. Festohet në Kinë dhe në shumë të Lindjes së Largët, si dhe në qytetet ku komuniteti kinez është në një numër të konsiderueshëm si Milano, Neë York, Londër etj. Festimet në teori zgjasin 15 ditë, dhe përfundojnë me festën e fenerëve kur fëmijët kalojnë me dritat shumëngjyrëshe në një paradë tradicionale, që korrispodon me mbërritjen e Hënës së Plotë. Në përgjithësi kulmi i festimeve është në dy ditët e para të vitit të ri, si dhe në përfundim të 15-ditëshit festiv, edhe pse kjo varion në zona të ndryshme të Kinës.

Si festohet Viti i Ri kinez?

Bëhet fjalë për një festë tipike familjare ku të afërmit mblidhen së bashku. Tryeza e Vitit të Ri është shumë e pasur dhe përfshin një menu tradicionale me që ka si bazë mishin e pulës. Shërbehen edhe disa pjata me peshkë, të cilat janë edhe fatsjellëse për vitin e ardhshëm, duke premtuar pasuri dhe fat. Shtëpia zbukurohet me dekorime të kuqe, si dhe me lule të freskëta që kanë një kuptim simbolik.

Secila nga 15 ditët e Vitit të Ri kinez përfshin një ritual specifik: Nga momentet e adhurimit dedikuar hyjnive te të cilët populli kinez beson, shijimi i pjatave tipike tradicionale, apo “Kërcimi i Luanit”, si dhe te vizitat, që ata bëjnë tek të afërmit. Dhe në fund festimet për Vitin e Ri shpërthejnë me “Festën e Fenerëve”: rrugët ndriçohen me fishekzjarre spektakolarë dhe të gjithë dalin në rrugë me fenerë shumëngjyrësh.

Tjetër gala për “Happy Chinese New Year”

Por, për herë të parë në Shqipëri vjen edhe mbrëmja gala “Happy Chinese New Year”, e cila do të zhvillohet në sallën e Universitetit të Arteve të Tiranës, më datë 24 janar ora 19:00. Një grup artisësh kinezë do të japin një performancë me valle dhe këngë për spektatorë shqiptarë e kinezë. Kjo gala është një eveniment i famshëm kulturor kinez, e cila ka dalë në skenë në më shumë se 400 qytete të 140 vendeve të botës për thellimin e njohurisë së popujve të vendeve të tjera për kulturën kineze. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat