Me emrat më të rëndësishëm të artit tonë, solistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit kanë korrur një tjetër sukses në Edicionin e 23-të të “Festivalit Ndërkombëtar Multi-Art”, në Kuvajt.
Himnet kombëtare të dy vendeve, Shqipëri dhe Kuvajt kanë hapur perfomancën e trupës tonë atje.
Programi i koncertit përfshiu kompozitorët më të njohur shqiptar si Çesk Zadeja, Thoma Gaqi, dhe kompozitorët me famë botërore si Lehar, Strauss, Verdi, Rossini, etj..
Në edicionin e 23-të të eventit më të rëndësishëm ndërkombëtar, performuan trupat artistike të vendeve si Meksika, Belgjika, Greqia, Spanja, ndërsa mbyllet me shfaqjen e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit me 28 janar.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve, mori pjesë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar me ftesë të Teatrit të Operas të Kuvajtit, mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Ambasada Shqiptare në Kuvajt, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të shtetit të Kuvajtit, Sheikh Jaber Al-Mubarak dhe Këshillit Ndërkombëtar të Kulturës, Artit dhe Letrave.
Ky është një event tradicional, ka për synim bashkimin e kulturave të vendeve të ndryshme. Kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit të Teatrit të Operas dhe Baletit tonë me Teatrin e Operas së Kuvajtit.