Uashington, Ermonela Jaho rrëfen emocionet në çdo shfaqje

Muzikë

Uashington, Ermonela Jaho rrëfen emocionet në çdo shfaqje

Më: 6 maj 2017 Në ora: 14:21
Sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho

Sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho ngjitet për herë të parë në skenën e Operas Kombëtare të Uashintonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke nisur nga kjo e shtunë, me interpretimin e saj në rolin kryesor, në veprën e Xhakomo Puçinit, “Madame Butterfly”.

Ermonela rrëfen në një intervistë për Saimir Sulaj, emocionet që përjeton në çdo shfaqje, të cilat, siç shprehet, ajo i sheh gjithnjë si të jetë shfaqja e parë dhe e fundit e saj.

Artistja me famë botërore heq një paralele mes historisë së kësaj opere, si histori e ndjenjave njerëzore dhe alkimisë në mesin e grupit të këngëtarëve që interpretojnë në shfaqje.

Sopranoja jonë e njohur nuk e fsheh në asnjë çast dashurinë e madhe për Shqipërinë dhe për skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, të cilën e prek me emocionin më të madh, paçka se ka interpretuar në teatrot më të mëdhenj të botës. Madje ajo na rrëfen edhe një peng të jetës.

“Madame Butterfly” është një nga operat më të njohura botërore, e kompozuar nga italiani Xhakomo Puçini. Ajo përshkron historinë e adoleshentes japoneze Çio Çio San e cila me këmbëngulje dhe përkushtim arrin të mposhtë fatkeqësitë e jetës dhe beson deri në fund në dashurinë e vërtetë dhe familjen. Kur ëndrra e saj merr fund, ajo vret veten, duke e mbyllur çdo gjë tragjikisht.

Ermonela do të interpretojë në teatrin e Kennedy Center në kryeqytetin amerikan, duke nisur nga mbrëmja e kësaj të shtune, gjer më 20 maj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat