Presidenti Nishani u jep titullin ''Mjeshtër i Madh'' ansambleve ''Shota'' dhe ''Rugova”

Muzikë

Presidenti Nishani u jep titullin ''Mjeshtër i Madh'' ansambleve ''Shota'' dhe ''Rugova”

Nga: Zymer Ujkan Neziri Më: 20 korrik 2017 Në ora: 11:52
Ansambli ''Shota'' merr titullin ''Mjesh­tër i Madh''

Presidenti Bujar Nishani, më 28 qershor 2017, miratoi edhe pro­po­zimin për dekorimin e ansa­mblit ''Shota'', Prishtinë, me rastin e shënimit të 66-vjetorit të veprimtarisë së tij etnokulturore. Me dekretin nr. 10544, 28.6.2017, ansamblit ''Shota'' ia dha titullin ''Mjesh­tër i Madh'', për vep­rimtari etnokulturore. Propozimin e kompozitorit Fahri Beqiri, e kanë përkrahur Rexhep Muni-

­shi, etnomuzikolog, dhe Zymer U. Neziri, epikolog. Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve "Shota" është themeluar më 30 shtator 1950, në cilësinë ansambël shtetëror, me vendim të Ku­vendit të ish-Krahinës Autonome të Kosovës dhe të Meto­hisë. Ai është njëri ndër ins­ti­tu­cionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore. Më 18 mars 1954 ndërpritet funksionimi i këtij ansambli. Pas një pauze dhjetëvjeçare, në mars të vitit 1964, u kri­juan sërish kushtet për rithemelimin e tij. Ansambli "Shota" luajti një rol të madh për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe të valleve popu­llore të Kosovës, e në veçanti të këngëve dhe të valleve shqiptare. Nga viti 1999, vepron me emërtimin e ri: ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota.” Tash, “Shota” ka 57 anëtarë, të ndarë në tri grupe artistike: Grupi i Va­lle­ve, Gru­pi i Solistëve Vokalë dhe Orkestra.

Qëllimi kryesor i themelimit të këtij ansambli, siç thuhet edhe në aktin e themelimit të tij, është ruajtja dhe zhvillimi i folklorin burimor (këngët dhe vallet popullore), hulumtimi i formave të reja të përpunimit të artit të traditës popullore, ruajtja, përpunimi artistik dhe prezantimi i fol­klorit  dhe i vlerave të trashëgimisë shpir­tërore dhe materiale të popullit tonë.

''Shota'' vërtet ka pasur rolin udhëheqës në fushën e traditës dhe të prezantimit të folklorit bu­ri­mor: këngë, valle, rituale, lojëra popullore dhe kostume të zonave të ndryshme.  “Shota” ka përg­a­titur koreografi nga të gjitha zonat e banuara me shqiptarë: “Vallja e Rugovës”, “Dasma e Opo­jës”, “Vallja e Përdrinit”, “Vallja e Drenicës”, “Vallja e Karadakut”, “Vallja e Dibrës”, “Vallja e Podgurit”, “Vallja e Shqipeve”, “Kaçakët e Jugut”, “Dasma Arbëreshe”, “Vallja e Malësisë së Madhe”, “Vallja e Tiranës”, “Vallja e Peshkopisë”, “Vallja e Librazhdit” etj. 

Ky ansambël afirmoi vlerat e mirëfillta kulturore kombëtare, siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike, me të cilat është paraqitur në më se 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet. Sipas evidencës, gjatë kësaj periudhe mbi 60-vjeçare, ansambli “Shota” ka shfaqur mbi 7 500 koncerte në Kosovë, ish-Jugosllavi, Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi dhe Australi. Nga këto paraqitje, “Shota”, të shumtën e rasteve, është kthyer me kupa dhe diploma nderi, e ndër to edhe ''Gjerdani i Argjendtë” në festivalin ndër­ko­mbëtar të Dizhonit, në Francë. Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve ''Shota'', me veprimtarinë e vet artistike bën pjesë në radhën e institucioneve me pe­shë të madhe për etno­kulturën shqiptare.

Ansambli ''Rugova'' merr titullin ''Mjesh­tër i Madh''

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Bujar Nishani, më 28 qershor 2017, miratoi pro­po­zimin për dekorimin e ansamblit folklorik autokton ''Rugova'', me rastin e shënimit të 70-vjetorit të veprimtarisë së tij etnokulturore. Me dekretin nr. 10543, 28.6.2017, AFA ''Rugova'' ia dha titullin ''Mjesh­tër i Madh'', për veprimtari etnokulturore. Propozimin e Zymer U. Nezirit, epikolog, e kanë përkrahur etnologu Bashkim Lajçi, pro­fesori i folkloristikës Enver Mehmeti, dhe etnomuzikologu Albin Sadiku.

AFA ''Rugova'' u themelua më 14 qershor, nga Kë­sh­­i­lli Popullor i Komunës së Rugovës, Drelaj. Drejtues të tij ishin ishte Ramë K.Nikçi, jurist, kurse drejtuesi i tashëm është Vesel Nikçi, in­xhe­nier. Gjenerata e parë kishte mbi 8o anëtarë, kur­se sot ka po ashtu mbi 8o anëtarë aktivë, sak­të­sisht 52 meshkuj dhe 32 femra. Programi i këtij ansambi përmban vlera autoktone të trashë­gi­misë kulturore të krahinës së Rugovës: doke, zakone, rite pune, rite dasme, rite lufte, këngë të kre­shnikëve me lahutë, valle, kënga malësorçe, këngë epike historike,  këngë me gisht në fyt, këngë lirike të vajzave dhe të nuseve, këngë dhe valle me tepsi, loja e dyluftimit me jatagan, loja e dyluftimit me pisqolla, loja e luftës me pushkë, dhe lojëra të tjera popullore.

AFA ''Rugova'' është paraqitur në Kosovë, në të gjitha festivalet dhe në manifestimet kulturore, në fes­tivalet gjithë­kombëtare, nga Drenasi e deri ne Gjirokastër, në shume festivale ndër­komb­ëtare në Ballkan e Evropë. Ai është vlerësuar me vende të para nga juritë ndërkombëtare rreth dyzet herë. Ka marrë edhe 5 medalje  të  arta dhe 11  medalje të argjendta.

Me dekret të veçantë, nr. 10545, 28.6.2017,  në këtë përvjetor edhe Kapllan Kapllan Nikçit iu dha titulli ''Mjeshtër i Madh''. Ai është anëtari më i vjetër i amsamblit ''Rugova'', i lindur më 1939 në fshatin Shtupeq i Madh, Rugovë, mjeshtër i kavallit, i fyellit, i gjethit, i myshnicës dhe i surlës. Kapllani, për 65 vjet në ansamblin ''Rugova'', ishte i dalluar edhe në këndim dhe në vallëzim të valleve rugovase. Ai është po ashtu lahutar i dalluar dhe rapsod. Me bash­kë­vep­rimtarët Baj­ram Ibishi dhe Hysen Asllani kënduan këngë malësorçe, këngë të kresh­nikëve dhe ekze­ku­tuan melodi  baritore në 1966 në Langolen të Anglisë, ku zunë vendin e parë: gjeth, çif­teli, la­hu­të, kavall. Dha kon­tri­but të madh edhe në aftësimin e brezave të rinj në instru­mentete frymore.

AFA ''Rugova'', në këtë 70-vjetor të themelimit, kujtohet se ka kaluar një rrugëtim historik shumë të suksesshëm. Kishte edhe vështirësi të mëdha. Në punën e ansamblit ka ndikuar edhe gjendja politike nën robërinë jugosllave, sidomos në periudhat e rënda që i përjetoi populli i Rugovë: dënimi i komandantit Zhukë Haxhia, vrasjet dhe burgosjet, mbledhja e tepricave, aksioni i armëve, shpërngulja për Turqi, burgosjet politike, nga brezi i Sylë Mehmetit të NDSH-së e deri te brezi '68 i Republikës i Isa Demajt, brezi '81 i Ali Lajçit e brezi i luftës i Se­lman Lajçit në brigadën 136 ''Rugova''.

Ansambli i folklorit autokton ''Rugova'' është institucion me peshë të madhe etnokulturore për etno­kulturën shqiptare dhe botërore, ku janë ruajtur vlera të larta artistike edhe të shkallës së UNES­CO-s, sidomos vijimësia e traditës së hershme ilire e riteve, e dokeve  të lashta, e veshjes dhe e folklorit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat