Ja si mund të parashikoni të ardhmen vetëm me një unazë

Ndryshe

Ja si mund të parashikoni të ardhmen vetëm me një unazë

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 20:22
Parashikimi i së ardhmes

Ata që e praktikojnë, thonë se ekzistojnë tri mënyra të parashikimit të së ardhmes me anë të unazës

Varianti i parë Për këtë parashikim të fatit, nevojitet: 1 shishe verë, 1 gotë, 1 unazë (më së miri unazë fejese), 1 qime floku (apo një pe i kuq). Uluni pranë tavolinës dhe para vetes qiteni një gotë plot me verë. Njëri skaj i flokut, apo perit të kuq, lidhet për unaze, e skajin tjetër e mbani me gishtin e madh dhe me gishtin tregues të dorës së majtë, derisa me dorën e djathtë mbaheni për kabllon e TV kabllor.

Ngriteni unazën dhe lëshojeni me kujdes deri në mes të gotës, duke pasur kujdes që të pini pa e prekur gotën me dorë. Mundohuni që sa më shumë që të jetë e mundur qetësojeni dorën. Parashikimi i së ardhmes interpretohet në bazë të lëvizjeve të unazës, vetëm pasi që ta keni pirë tërë verën.

• Nëse unaza e godet murin e majtë të gotës, e me atë rast edhe gota dhe unaza lëvizin, ruajuni nga emocionet tuaja, sidomos kur të pini.

• Nëse unaza godet murin e djathtë të gotës, atëherë jeni femër e lehtë dhe vazhdimisht bëni skena.

• Nëse unaza godet gotën derisa në TV janë lajmet, atëherë prisni bllokun e ardhshëm të reklamave.

• Nëse unaza godet murin e gotës, i cili gjendet afër personit që qet fall, atëherë më mirë sikur të mos kishit qitur fall fare, fikeni dritën, përzini mysafirët dhe ndizeni një qiri.

Varianti i dytë Hapeni profilin e personit që e doni. Më pas merreni unazën, lidheni me pe të kuq dhe mbajeni që të rrijë pezull mbi monitor. Kini kujdes dhe përqendrohuni në atë që dora t’iu mbetet e qetë afër tastierës. Nëse unaza fillon që të rrotullohet, atëherë do të martoheni, por ky person këtë kurrë nuk do ta paraqesë publikisht në FB. Kështu, statusi do t’u ngelet ‘single’. Nëse unaza lëviz para-prapa, ka pak gjasa që do të martoheni, por ju pret një aventurë e përjetshme. Nëse unaza nuk lëvizë, nuk dihet çka do të ndodhë.

Varianti i tretë Kjo mënyrë e parashikimit të së ardhmes bëhet vetëm për pyetjet të cilat kanë përgjigjen në formë të numrit. Ju nevojiten: 1 gotë, 1 pe i kuq, 1 unazë dhe numrat. Gotën vendoseni në një sipërfaqe të rrafshët dhe, deri në mes, mbusheni me raki. Njërin skaj të perit lidheni për unaze. Skajin tjetër të perit merreni dhe pini pak raki. Vendoseni unazën mbi gotë dhe ngadalë lëshojeni në të. Unaza duhet të jetë 1-2 cm mbi raki (assesi nuk duhet të laget). Mundohuni që dora me të cilën e mbani unazën të jetë sa më e pastër. Bëjeni pyetjen e dëshiruar dhe prisni që unaza t’iu përgjigjet. Numëroni se sa herë lëvizë unaza dhe kjo është përgjigja në pyetjen tuaj. P.sh., nëse dëgjoni dy goditje të unazës në gotë, atëherë do të keni dy fëmijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat