Trendi më i ri që po pushton Meksikën

Ndryshe

Trendi më i ri që po pushton Meksikën

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 23:59
Trendi

Meksika po pushtohet nga një trend i ri estetik: vendosja e akrepave në thonj si pjesë e manikyrit. Mania po përhapet me shpejtësi të madhe në rradhët e vajzave të reja, të cilat zgjedhin të jenë të veçanta me anë të kësaj tendence. Ideuesja e manikyrit me akrepa ka shpjeguar procesin që ajo ndjek dhe ka siguruar se akrepat që ajo përdor, nuk janë të rrezikshëm për njerëzit.

Njerëzit që vizituan panairin e punimeve të dorës në Meksiko, u surprizuan këtë vit, teksa një stendë ofroi “manikyr me akrepa”, që konsiston në ngjitjen e akrepave në një ose dy thonj, si pjesë e trendit më të ri të bukurisë që po pushton Meksikën.

Stenda tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve kuriozë të cilët e ndoqën procesin me interes. Lupita Garcia, artizane e akrepave, e filloi këtë trend vitin e kaluar, në qytetin e saj të Durango-s. Ideja është bërë kaq popullore saqë Garcia vendosi të hapë një sallon të quajtur “Aries”, ku ajo dhe punëtorja e saj kujdesen për manikyrin me akrepa.

Dyshja vizitoi panairin javën e kaluar, ku më shumë se 20 gra në ditë paguan rreth 50 dollarë për të ngjitur një akrep në thonjtë e tyre. Lloji i akrepave që Garcia blen, mund të gjendet lehtësisht në malet e Durango-s. Të mbash një akrep në thonj nuk është diçka që mund ta bëjnë të gjithë.

“Mund të gjeni çdo gjë. Ka njerëz që reagojnë pozitivisht dhe thonë: ‘Uau, më pëlqejnë thonjtë!’ dhe të tjerë që thonë: ‘Jo, është një trend i tmerrshëm.’ Jemi akuzuar madje për mizori ndaj kafshëve.”

Ajo këmbëngul që akrepat nuk janë helmues pasi kanë ngordhur, dhe kapen gjithnjë me pinceta. Në pjesë të ndryshme të Meksikës veriore, ka ndjesi të ndryshme mbi akrepët. Në shumë raste, njerëzit vendosin akrepa në varëset e çelësave ose në tavlla zbukuruese, një biznes në të cilin Garcia ishte e përfshirë para se t’i përkushtohej idesë së saj më popullore. Njëra nga klientet e saj tha se e kishte vënë këtë manikyr në emër të modës.

“Motivimi kryesor është se po fillon të jetë shumë në modë. Mendojmë se duket bukur. Është ndryshe, është inovative dhe zbavitëse më shumë se çdo gjë tjetër.”

Garcia, e cila shtoi se është pickuar tre herë nga akrepët në jetën e saj, tha se ajo është e lumtur për idenë që është përhapur masivisht mes vajzave të reja. Ajo thotë se bebet akrepë nuk përdoreshin dot në punimet me dorë të saj, kështu që ajo mendoi t’i përdorte në manikyr.

“I harxhuam akrepët kot. Njerëzit mendonin se ishin tepër të vegjël dhe thonin: ‘Jo, nuk kanë vlerë dhe është e vështirë sepse janë të vegjël’. Por një akrep i madh kushton sa i vogli kështu që ne vendosëm t’i vinim në thonj. I jepet më shumë vlerë, janë më autentike. Unë jam nga Durango dhe më pëlqen t’i mbaj.”

Akrepët pickojnë rreth 10.000 amerikanë çdo vit, më së shumti në Arizona, si dhe më shumë se 250.000 meksikanë, sipas prodhuesve të kundër-helmeve. Njihen më shumë se 1.000 lloje akrepash dhe 50 prej tyre janë të rrezikshëm për njerëzit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat