Fituesja e 559 milionë USD ka një hall: Frikë nga fati i keq

Ndryshe

Fituesja e 559 milionë USD ka një hall: Frikë nga fati i keq

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 23:40
Ilustrim

Gruaja nga New Hampshire, që fitoi lotarinë 559 milionë dollarëshe të muajit të kaluar, kërkon nga zyrtarët të mbetet anonime, me shpresën se kështu do të arrijë t’i shpëtojë mallkimit, të lidhur sipas saj me pasurinë e madhe që mbërrin në mënyrë kaq të befasishme.

Fituesja është përfshirë në një betejë të zgjatur ligjore për ta mbajtur të fshehtë emrin e saj, në një kohë kur organizuesit e lotarisë këmbëngulin se ligjet lokale kërkojnë të shpallet emri i fituesit, çmimi dhe qyteti, në mënyrë që publiku të mësojë se çfarë ndodh.

Por gruaja, edhe në dokumentet e paraqitura në gjykatë, e thekson se po përpiqet ta shmangë fatin e keq që ka pllakosur mbi disa fitues.

Në vitin 2006, 42-vjeçari Abraham Shakespeare nga Florida fitoi 17 milionë dollarë. Ai u vra 3 vite më pas nga DeeDee Moore, një grua që e vuri në shënjestër për paratë e tij.

Në vitin 1996, Jeffrey Dampier mori 20 milionë dollarë nga lotaria në Illinois. Ai jetoi i lumtur për disa vite, derisa në 2005-n u qëllua për vdekje nga kunata e tij, e cila donte ta zhvaste.

Doris Murray nuk i gëzoi dot 5 milionë dollarët e fituar në vitin 2007. I dashuri i saj e masakroi me thikë, sepse nuk binte dakord me mënyrën sesi donte ajo t’i shpenzonte paratë.

Deborah McDonald fitoi vetëm 5.000 dollarë përpara 8 vitesh, por edhe pse shuma ishte shumë e vogël krahasuar me të tjerët, as ajo nuk shpëtoi nga fati i keq. Rrugës për në shtëpi u godit nga një makinë dhe vdiq në vend.

Kur siguroi 31 milionë në lotarinë e Teksasit në vitin 1997, Billie Bob Harrell mezi priste të shijonte jetën e re dhe ishte shumë bamirës, por prej zemërgjerësisë së tij për të ndihmuar të huajt, familja u detyrua disa herë të ndërronte shtëpi e numra telefoni. Situata e krijuar e çoi drejt divorcit e në fund, dy vite pasi kishte marrë paratë vrau veten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat