Pavarësia dhe dilemat e saj

Opinione

Pavarësia dhe dilemat e saj

Nga: Florim Zeqa Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 13:03

Në përvjetorin e pestë të shpalljes së pavarësisë, të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, qytetaret urojnë njëri-tjetrin me ndjenja të përziera. Krahas urimit nderojnë e kujtojnë të gjithë dëshmoret e martirët, nderojnë rezistencën e sakrificën e shumë brezave, por në mënyrë të veçantë kujtojnë sakrificën sublime të familjes Jashari.
Gjatë intonimit të himnit, heshtës pa tekst, shqiptarët me nostalgji të madhe kujtojnë e nderojnë liderin shpirtëror, arkitektin e shtetit të Kosovës, presidentin historik Ibrahim Rugovën, duke kënduar nën tingujt e zemrës himnin e shtetit të tyre; "Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë", dhe me ndjenjë të veçantë e imagjinojnë valëvitjen e flamurit Dardan në vend të këtij lara-lara.
Si në çdo përvjetor të shtetit të Kosovës, edhe kësaj radhe qytetarët do të kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, në vitet e '90-ta, kur në Kosovë sundonin vlerat, dominonte morali i pastër njerëzorë, kur durimi rugovian sfidonte dhunën serbe, solidariteti fitonte ndaj varfërisë, e mira ndaj të keqes.
Pushteti moral dhe funksionimi i shtetit paralel janë produkt i atdhedashurisë së pa fundme dhe vlerave shqiptare si: besa, humanizmi, dashuria, respekti ndaj njëri-tjetrit,...e shumë traditave të bukura kombëtare.
Republika e Kosovës, në mendjet e zemrat e shqiptarëve ekziston që nga 2 korriku i vitit '90, kur deputetët shqiptar shpallën Kosovën njësi të pavarur e të barabartë më republikat tjera të ishë federatës Jugosllave.
Njohja formale e pavarësisë së Kosovës ishte kërkesë e vazhdueshme e presidentit historik Ibrahim Rugova, e cila u bë realitet më 17 shkurt 2008-të, kur bashkësia ndërkombëtare Kosovës i dha sinjalin për njohjen e saj shtet të pavarur e sovran.
Ekzistonte bindja e përgjithshme qytetare se pas aktit të (ri)shpalljes së pavarësisë, të njohjes ndërkombëtare të saj, gjërat do të marrin të mbarën siç është; zhvillimi ekonomik, hapje e vendeve të punës, për rritje të mirëqenies qytetare, ulje të varfërisë, sundim të ligjit dhe prosperitet në të gjitha lamitë e jetës.
Jo vetëm që nuk u realizuan këto pritje, mirëpo edhe pesë vite prapa, Kosova gjendet ende larg shtetit të dëshiruar.
Për arsye se pavarësia nuk erdhi e plotë dhe u dëmtua rëndë gjatë dy viteve të fundit përmes procesit të bisedimeve "teknike" e politike me Serbinë,...kualiteti i ulët i pavarësisë dhe largimi i lidershipit aktual nga vlerat kombëtare ka bërë që identiteti i shtetit të tjetërsohet nga një shtet etnik (mbi 92% shqiptar) në një shtet "multietnik" (të pakicave).
Për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës edhe në ketë pesëvjetor, pavarësia vazhdon të mbetët vetëm një ëndërr e pa realizuar.
Ndërsa për të harruarit nga shteti; të varfrit, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve është thyerje e madhe shpirtërore kur shohin pasurimin e "komandantëve" dhe "emisarëve politikë" të luftës çlirimtare.
Barrikadimi i pjesës veriore nga ana e serbëve është rezultat i dialogut "teknik", ndërsa lënia në harresë e Kosovës Lindore nga qeveritaret e Kosovës është fryt i dialogut politik.
Përderisa autonomia e komunave serbe në brendinë e vendit (decentralizimi etnik), dhënia e pronave të shqiptarëve kishave serbe (metohija) është realizim i planit të Ahtisarit dhe Ban Kimunit për shtrirjen gjeografike të serbëve në Kosovë. Kurse shitja e pronave publike kompanive te huaja (turke) ndihmon humbjen e pronësisë së shtetit mbi pasuritë e vendit.
Të gjitha këto së bashku kanë ndikuar në uljen kualitetit të shtetit, duke krijuar kështu dilemën e madhe se a është Kosova e pavarur apo jo?
Heqja e një kolonializmi (nga Serbia), dhe futja nën një tjetër (nën tutelën e BE-së), jo vetëm që nuk është pavarësi,...është varësi akoma më e madhe nga e cila vështirë do të dilet !
Mungesa e zhvillimit ekonomik, mungesa e ushtrisë si element i sigurisë së vendit (KFOR-i), sistemi i drejtësisë në duart e ndërkombëtarëve (EULEX-i) dhe mungesa e sovranitetit, janë elemente të mjaftueshme që tregojnë varësinë ekstreme të shtetit të Kosovës ndaj faktorëve ndërkombëtar (SHBA dhe BE).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat