Ligji për amnistinë amniston Thaçin...

Opinione

Ligji për amnistinë amniston Thaçin...

Nga: Agim Vuniqi Më: 8 korrik 2013 Në ora: 18:15

Qytetarët po e shohin zgjidhje të vetme angazhimin e drejtpërdrejtë në politikë. Vërtet nuk di se çka na ka ofruar politika diçka të veçantë, komunistët e përbetuar jugosllavë e ata të punës ndërruan gëzofin dhe komunizmin etatist e mbuluan me velin e kapitalizmit të egër të Wyaat Erp e Doc Holliday, ata bile ishin në anën e ligjit.

Zbavitja e deritanishme e qytetarëve me sindromin Thaçian nuk po bien nga repertori publik, ai herë rritet e herë zvogëlohet varësisht nga klima politike. Thënë të drejtën horruku hamletian "të jesh apo të mos jeshë" i protagonistëve që përmenden në skenarin e e tij është në akordancë me zgjedhjet 2013/2014, të imponuara nga kryeministri serb Daçiq, që është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në kushtetutën e Kosovës, këtë e ka të qartë edhe kryetarja e KQZ Valdete Daka, çuditërisht jo presidentja Jahjaga, dhe akoma nuk po i shihet fundi, puna e përditshme për të ndarë kulaçin e pushtetit po bëhet shumë më atraktive sesa statusi i brendshëm i Kosovës, athua vetëm i brendshëm?

Kosova e cila ngriti flamurin në Mont Everest, në bjeshkët e Himalajeve, që kishte marrë 216 jetëra, tregojë vendosmërinë dhe stoicizmin e njerëzve të rëndomtë për të ndërtuar themelet e qëndrueshme të shtetit më të ri në botë. Por përpjekjet e shumta të "bjeshkatarëve" kosovarë, edhe të shumë sportistëve...vullnetarëve të tjerë, përfshirë edhe dy pilotët njëri nga Amerika e tjetri nga Islanda po ua zw frymën atmosfera e korrupsionit, e cila shihet kudo, po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut? A nuk po shikojmë individë të caktuar, që manipulojnë me shuma të mëdha në duar, kërkojnë të tallen me varfërinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt? A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetet i papërcaktuar? A nuk është krijuar një situatë e tillë që ajo çka po mbetet nga liria e porsafituar të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit. Krejt ndoshta shkaku i një realiteti të hidhur që nuk duam ta pranojmë se Kosova nuk e ka pasur të zhvilluar asnjëherë shoqërinë civile për shkaqe historike. Prandaj qytetarët po e shohin zgjidhje të vetme angazhimin e drejtpërdrejtë në politikë. Vërtet nuk di se çka na ka ofruar politika diçka të veçantë, komunistët e përbetuar jugosllavë e ata të punës ndërruan gëzofin dhe komunizmin etatist e mbuluan me velin e kapitalizmit të egër të Wyaat Erp e Doc Holliday, ata bile ishin në anën e ligjit.

Në Kosovë politika ka gjeneruar shumë konflikte dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës. Shoqëria Civile, Media, rrethet akademike të cilat duhet të ndikojnë në zhvillimin e jetës normale në vend, nuk duken fare, përveç ndonjë promovimi, apo takimi kurtuoz. Kush mbetet të gjykojë atëherë pengesat kryesore në ngadalësimin e zhvillimit politik, ekonomik dhe social në vend, nëse janë në deficit mungesa e besimit dhe e bashkëpunimit reciprok?

Krahas zhvillimit të ndërtimit të institucioneve të shtetit dhe funksionimit të tyre normal drejtësia ka çaluar seriozisht, zhvillimet ndërkombëtare pas opinionit këshillëdhënës të GJND-së nuk janë përcjellur me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërshtetërore, sidomos me shtetet të cilat e kanë pranuar shtetësinë e Kosovës, ka munguar bashkëpunimi ndërministror i MPJ-së dhe Ministrisë së drejtësisë, por edhe nënshkrimi bilateral ndërshtetëror i marrëveshjeve për ekstradim, pastaj kërkesa për mbrojtjen juridike të qytetarëve të Kosovës, të cilët gjenden në listën e Interpolit, të kërkuar nga Serbia, apo ligji për amnistinë i propozuar nga Serbia prej qindra rasteve disa edhe të karakterizuara si akte terroriste, si djegia e pikave doganore 1 dhe 31, pastaj vrasja me snajper e Enver Zymberit, i aminuar nga Thaçi, amnistia përfshinë interesimin më të zëshëm të qeverisë, sidomos të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me ligjin i cili është më tepër politik se sa që ka të bëjë me natyrën juridike të marrëveshjes Ahrisaari dhe të Kushtetutës së Kosovës.

Prej idesë së konservimit të statusit të Kosovës-Moratoriumi i Thaçit deri te Marrëveshja BE-Serbi

Propozimi dhe diskutimi publik i "Moratoriumit" për "konservimin" e zgjidhjes së statusit final të Kosovës i lansuar nga Thaçi më 2003, nga disa qarqe të caktuara politike në Kosovë thuhej se nuk është aspak në hap me kohën, as me zhvillimin e ngjarjeve politike në Kosovë. Në vend që, para bashkësisë ndërkombëtare, të shtrohej kërkesa konsensuale e të gjitha subjekteve politike shqiptare në Kosovë, me qëllim që sa më parë të vihej në "rend dite" diskutimi i statusit të pavarësisë së Kosovës, bëhej e kundërta, pezullohej për kohë të pacaktuar debatimi i tij. Pse veprohej në këtë mënyrë, kur askush nga fuqitë evropiane, as nga Amerika, nuk i patën paraqitur ultimatum Kosovës dhe shqiptarëve, që të marrin një vendim të këtillë politik absurd dhe regresiv, në stilin stereotip popullor: "do të bie shi, nuk do të bie shi"(!)

Prishja e balancës së strukturës etnike të popullsisë

Një potez i tillë, i papeshuar politik, ishte "një e papritur", më së pari për opinionin shqiptar në Kosovë, si dhe në diasporë, e më pastaj edhe për faktorin ndërkombëtar, pasi pat krijuar nebuloz të panevojshme, sidomos tek politika zyrtare amerikane. Nëse propozuesit e "moratoriumit" pandehnin politikisht se, me shtyrjen për më vonë të zgjidhjes së statusit të Kosovës, pala shqiptare, do të jetë në përparësi, atëherë u mashtruan keq, sepse ndodhi e kundërta. Derisa Thaçi propozonte të zgjaste "death like silence" (vdekja në heshtje) e të ashtuquajturit "moratorium", ai tash bënë të kundërtën ngutet të zbatojë marrëveshjen, e cila, do të prish seriozisht jo vetëm balancën e strukturës etnike të popullsisë, por edhe do të përkeqësojë në shkallë edhe më drastike grafikonin e papunësisë së shumicës dërmuese shqiptare, dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë. Do të krijohen probleme të mëdha në rivendosjen e serbëve dhe malazezëve nëpër lokalitete rurale, si dhe nëpër qytete të Kosovës, ku ata do të kenë statusin e autonomisë territoriale, vetë fakti se janë përcaktuar kufijtë e atij territori me marrëveshje, do të thotë se zyrtarët serbë kanë kompetenca shumë të gjëra, dhe ato kompetenca të deleguara nga marrëveshja zënë frymën edhe pjesës tjetër të banuar me shqiptarë dhe të tjerë. Kush garanaton që edhe të tjerët nuk do të shtrijnë të njëjtat kërkesa, pse jo edhe nga shqiptarët, p.sh., asociacioni i Drenicës, i Llapit, i Dukagjinit, i Nerodimës, i Ana Moravës... etj., apo shndërrohet ky shtet miniaturë në disa kantone, që me gjuhën e marrëveshjes po u thuhet asociacione. A nuk kishte një pretendim të ngjashëm Thaçi më 2003, dhe tash bëri çdo gjë për të shpëtuar veten nga linçi politik...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat