Analistët e Prishtinës dhe “Konspiracioni” Kumanova

Opinione

Analistët e Prishtinës dhe “Konspiracioni” Kumanova

Nga: Nga Kolec TRABOINI Më: 17 maj 2015 Në ora: 22:48

Ata që i stigmatizuan komandantët e ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët u vranë në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 maj 2015, të rrethuar dhe në përleshje mbrojtëse të trojeve shqiptare, ( se Kumanova është shqiptare e jo sllave), më vinë kësisoj si të ishin zëra kukuvajkash qaramane në pranverë që duan ta lëshojnë ndonjë vezë ndokund dhe për këtë kanë gjetur faqet e gazetave dhe televizioneve. Kur të keni lexuar shkrimet e Enver Robellit tek "Koha ditore" do të kuptoni edhe konkluzionet mbi konspiracionin e Kumanovës 2015 të Xhemal Ahmetit (përndryshe Jon Leka) tek “Tetova sot”. Njësoj thuaj gjithë analistët e Prishtinës thua se e shohin Kumanovën nga Prishtina me të njëjtën tejqyrë. Gjithçka është konspiracion gjigand i armikut. Sipas këtyre( por edhe Emin Azemit në Shkup që shkon më larg duke shkruar: “njëfarë ‘’lufte heroike’’ ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë), pra ne shqiptarët nuk bëjmë asgjë, as luftë e as trimëri, veç kokrisje dhe armiku na lëviz me konspiracione si gurë shahu në histori. Kështu shkruanin ca mediatikë në 1998 për UÇK, po kështu në 2001 për ngjarjet në Maqedoni. Këta mediatiket e Kosovës mbështetur edhe nga Shkupi e bëjnë edhe priftin me barrë. Gjithçka që bëjnë shqiptarët ua veshin të huajve, si puna e Dronit në stadium të Beogradit (u bashkuam edhe ca mediatike nga Shqipëria për këtë përrallën me dron ballisti), një mendim skematik gati primitiv gëlon kuintave mediatike. Kështu na thonin në kohën e monizmit e diktaturës.Të gjitha gurët i luan armiku. Të gjitha fajet i ka armiku. Këta mediatikët tanë nuk të lënë as të jesh atdhetar, as të vdesësh për atdhe e për komb - i shërben të huajve thonë. Konspiracione gazetash, sallatë radiosh, televizionesh tregti e paskrupullt lajmesh nga më të çuditshmet. Sikur armiku qënka aq i zgjuar sa na përdor të gjithëve, ndërkohë që na del në media që po ky armik është aq qullac e mediokër sa mund ti vriten deri në 8 policë të armatosur deri në dhëmbë, apo, vini vesh o milet, mund ti ikësh me duar lidhur me pranga siç bëri ai Sulejman Osmani, e të prrallisësh në media se si e qysh ua drodhe pasi u tregove depon e armëve diku në gji të kodrave apo rrezë maleve në fshatin Malinë. Ngjarja në të vërtetë është e thjeshtë e këta kot e ndërlikojnë me konspiracione ndërkombtare sikur gjithë bota merret me ne dhe se nuk kanë punë tjetër. Këtu është kërthiza. . Nuk besoj e ka sajuar shërbimi sekret i ndonjë shteti dërgimin e atdhetarëve shqiptar në Kumanovë, por në nisiativën e tyre për të gjallëruar rezistencën kundër shtypjes që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni. Apo këta analistë mendojnë se shqiptarët në Maqedoni jetojnë në lumturi përrallore sa të mos kundërshtojnë e të mos kërkojnë liri. Pra grupi është dekonspiruar( Ali Ahmeti i ka ditur lëvizjet e tyre mirëfilli dhe ishte aleat në qeveri me Nikoll Gruevskin. Kishte edhe njohje të afërt dhe komunikim me pjesëtarët e grupit te UÇK), kësisoj nuk ka qenë vështirë që shërbimi sekret maqedonas ta ketë përgjuar që në zanafillë veprimtarinë e tyre, si puna e zbulimit të një bombe të fshehur dhe kur ta dish ku është e pëlcet kur të duash. Po kjo nuk do të thotë se e vure bombën ti i policisë, por se e manipulon kur ta zbulosh kur e si të duash pa e ditur ai që e ka vënë atë. Këta kur shkruajnë kështu, as e kanë në konsideratë se ka edhe njerëz atdhetarë, të thjeshtë, që sakrifikojnë për atdheun si djali i Dukagjinit trimi Begë Rizaj, të cilin nuk mund ta njollos asnjë gazetë apo bisedë televizive mediokre, sepse si atdhetar e njeri të mirë, besnik, e familjar njeh mbarë Kosova, pjesëtar në tre lufta kombëtare në rradhët e UÇK. Dhe të gjithë këta djem që ranë duke luftuar si heronj të vërtetë i konsiderojnë se punonin për shërbimet sekrete. Punët atdhetare nuk mund ti bëjnë njerëzit disfatistë. Punët atdhetare i bëjnë ata që kanë vizion, plus kurajo për të realizuar idealet e veta edhe duke sakrifikuar. Zbythës kemi pasur shumë në histori, por tashmë ështe koha për të ecur përpara. Dhe popujt i kanë çuar përpara idealistët kombëtare e jo fshatarët pashkollë që kanë rolin e tyre por jo vizionin udhëheqës, prandaj mos na thoni se a duan fshatarët a qytetarët të formësojnë një komb, aq më tepër kombet nuk ndërgjegjësohen e formësohen me plebishite. Se përrallisje pseudo intelektuale në Prishtinë tashmë janë kthyer në humor banal barcaletash mbi krijimin e kombit kosovar. Dhe e quajnë veten intelektualë ata që sajojnë të tilla kukulla prej lecke me të cilat losin në opinionin publik. Jo veç ata që shpik-shpifin kombin kosovar, por edhe këta analistë me këto konkluzione habitore që Kumanovën e bëri armiku e jo shqiptarët atdhetarë anipse të tradhetuar, na fyejnë inteligjencën. Përfundimisht mund të thuhet se Prishtina nuk ka analistë që mund tu besohet. Janë më tepër fantazistë dhe me prirje sajime misteresh si në romanet policore. Edhe kur shfaqet Baton Haxhiu në Tiranë ndjeksit e ekranit të vogël më së shumti qeshin anipse është jo pak për të qarë. Por gjithësesi, është më se e qartë se këndej nga Tirana opinioni publik nuk mund ta hajë fort lehtë sapunin e Prishtinës për djathë. Ata që u vranë nuk ishin as kolonë e pestë e as e pesëmbëdhjetë siç paragjykohen në disa koka dyshuese në gjithçka, por luftëtarë që e donin Shqipërinë e pjesë e grupimit për realizimin e Bashkimit Kombëtar. Përmendem vetëm një emër Beg Rizaj, që udhëhoqi qëndresën duke marrë me sy edhe vdekjen, emri i tij thotë gjithçka, nuk ka burrë që mund të njollosë atë hero prandaj të mos ngutemi. A ka tradhti në këtë histori ku humbën jetën 10 luftëtarë shqiptarë dhe 8 policë sllavo-maqedonë? Sigurisht, tradhtar ka pas mbas shpine edhe Gjergj Kastrioti, por historia e tij është lavdi. Duhet ti japim gjithkujt atë që i takon. Bashkimin Kombëtar e duam të gjithë mos vallë bash për këtë edhe ne jemi pjesë konspiracionesh. Nuk besoj. Ata u detyruan të luftonin. Nuk e nisën sulmin luftëtarët e UÇK-së. Ata u mbrojtën kur kishin përballë një policie të armatosur gjer në dhëmbë, te motorizuar, e që përdori armatim të rënde sikur të ishte në një front të hapur e jo në një qytet. Kemi një dhunë të shfrenuar ushqyer nga racizmi dhe shovinizmi në këtë masakrim që i bëri qytetit të Kumanovës qeveria Gruevski. Djemt e UÇK, në qëndresën e tyre mbrojtëse padyshim janë heronjtë tanë. Kanë lënë fëmijë jetimë, kanë dhënë jetën, a e dini çfarë do të thotë kjo? Çfarë tjetër duhet të japësh për të qënë një dëshmor i Atdheut? E ky nihilizëm për të mos i pranuar trimat si luftëtarë kombëtarë por thjeshte si konspiratorë është për tu parë me kujdes pse ndodh tek ne ajo çfarë nuk ndodh ndër popujt e tjerë. Aq më tepër se nuk ka ngjarje në jetën tonë, nuk ka atdhetar që ka bërë trimëri që të mos i nxjerrin bishta, që të mos e përdhosim figurën e tij me gjoja ca mendime tona gjeniale e duke vënë në dyshim gjithçka. As pikë respekti për djemt shqiptarë që bien për një ideal kombëtar dhe fjala e parë dhe e fundit e nihilistëve është se ata ishin të manipuluar nga armiqtë për ti prishur qetësinë botës. Na ruaj Zot. E neveritshme. Po na e pështirosin çdo gjë që lexojmë me këto fantazmagori konspiracionesh që janë të denja për një çmendi... Por...mund të ndodh edhe ndryshe. Le të fantazojmë fundja edhe ne meqë na sollën deri këtu: mos vallë dikujt i intereson që çdo gjë që bëjnë shqiptarët për zgjimin e ndërgjegjes së tyre kombëtare e dinjitetin të nëpërkëmbur, të drejtën e mohuar për bashkim, ta zgërlaqin, ta fashisin, ta shuajnë duke i vënë soj-soj epitetesh si vegla qorre të armikut e tjera kësillojshe? Le të pyesim edhe ne ashtu siç pyet ta zëmë Enver Robelli në shkrimin e vet: "Kujt i shërben kjo?" Ky shpirt mohimi pra... Vriteni mendjen pak dhe do ta kuptoni groteskun e teorive konspirative mediatike "Kumanova 2015", si një fantazi guzhine me qepe e me rigon. Përndryshe: Të gjithë zogjtë kanë të drejtë të këndojnë,... mjerisht edhe qyqet!

Dhjetë luftëtarët shqiptare që u vranë në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 maj 2015:

Beg Rizaj - 1977, Mirsad Ndrecaj - 1979, Xhafer Zimberi - 1972, Valon Kabashi - 1985, Turgaj Gashi - 1978, Arben Rexhaj - 1971, Samit Kastrioit - 1975, Hisen Rushiti - 1965, Fatlum Vishesella - 1983, Nusret Kaloshi -1975.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat