Belaja gjermane me azilantët politik shqiptar

Opinione

Belaja gjermane me azilantët politik shqiptar

Nga: Nga Artan Hoxha Më: 13 gusht 2015 Në ora: 08:06

Dy ditë më parë u raportua numri prej afro 7000 azilkërkuesish nga Shqipëria për në Gjermani për muajin korrik nga afro 6000 në qershor, afro 5000 në maj, afro 4000 në prill, afro 3000 në mars, afro 2000 në shkurt dhe afro 1000 në janar.

Shifrat i kam rrumbullakosur për të treguar sa më thjeshtë se numri i azilkërkueseve çdo muaj i ngjan serisë së numrave natyrore 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7… (në mijë vetë) shumën e së cilës Gauss-i, matematicieni i famshëm gjerman, e llogariti saktë e thjeshtë me një formulë brilante që e gjeti që kur ishte ende fëmijë. Më këtë formulë shuma matematikore del respektivisht 1, 3, 6, 10, 15, 21, 28 –mijë e afërsisht po kaq është numri progresiv muaj pas muaji i azilkërkuesve nga janari në korrik 2015.

Pas çdo përpjekjeje gjermane numri i azilkërkuesve në vend të zvogëlohej rritej. Kur në janar u bënë 1000 azilkërkues gjermanët thanë se “azilkërkuesit shqiptarë janë mashtruar” por nuk u shqetësuan edhe aq shumë. Kur u bënë 2000 në shkurt u preokupuan dhe filluan të flasin kundër mashtrimit. Kur u bënë 3000 në mars u alarmuan dhe lajmëruan se “as 99% nuk kanë shans të marrin azil përveçse ata me profesione të veçanta”.

Kur u bënë 4000 në prill u mobilizuan e thanë se “as 99.99% nuk kanë shans të marrin azil”. Kur u bënë 5000 në maj menduan se duhet të dërgojnë policë gjermanë në Shqipëri që ta ndalojnë të keqen në burim e ndonëse e zbatuan këtë mase në qershor numri i rrit në 6000. Dërguan Kancelaren në korrik, iu dhanë para e iu paguan harxhet e udhëtimit azilkërkuesve që pranonin të ktheheshin vullnetarisht e, megjithatë, shifra u rrit në 7000.

Asgjë nuk funksionoi kundër rritjes kokëfortë të shifrës mujore dhe shumës rritëse progresive që del nga formula e Gauss-it rritje e cila, në mungesë të shpjegimit të arsyeshëm që u rrekën ta gjejnë gjithë këtë kohë e se gjetën dot, i ka lënë pa fjalë gjermanët, shtetarë e qytetarë bashkë.

Por, me vullnetin që i karakterizon dhe këmbënguljen për ta çuar deri në fund ate që nisin, gjermanët po marrin masa për kthim masiv e të përshpejtuar, shoqeruar me penalizime mbi azilkërkuesit. Kanë arritur deri aty sa të (para) lajmërojnë se edhe harxhet e kthimit do ti heqin vetë të kthyerit – veprim ky i padëgjuar më parë në kthimin e azilkërkuesve. Të shohim nëse në gusht shifra do bëhet 8000 apo do të fillojë të zvogëlohet.

Në çdo rast, nëse nuk kuptohet se, së pari është rritur potenciali emigrator për shkak të rritjes e varfërisë dhe rënies së shpresës për dalje prej saj dhe se dyti është forcuar prirja për të ndërmarrë efektivisht hapin emigrator për shkak te trysnisë së ushtruar në kohë të shkurtër nga politikat e ashpra dhe aksionet edhe më të ashpra të qeverisë shqiptare atëherë, edhe nëse bien shifrat e kërkimit të azilit do të rriten shifrat e një forme tjetër emigrimi dhe pra, formula e Gauss-it do të japë rezultate numerike në rritje të frikshme.

Të frikshme për gjermanët se, sa për qeverinë tonë këtu, ajo ka kohë që s’po e bën me qejfin qeder për këtë problem.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat