Cfarë po ndodh me daljet publike të qeveritarëve shqiptarë ?

Opinione

Cfarë po ndodh me daljet publike të qeveritarëve shqiptarë ?

Nga: Aurenc Bebja, © DARS (KLOS), MAT – ALBANIA – OPINION Më: 13 nëntor 2015 Në ora: 13:47

Kohët e fundit, daljet publike të disa qeveritarëve (politikanëve – zyrtarëve të lartë), që do shohim në vazhdim, na bëjnë të reflektojmë mbi sjelljen tonë publike, dhe mbase do të na ndihmojnë në të ardhmen të përmirësojmë edhe stilin e komunikimit. Fjalët tona nuk analizohen dhe interpretohen një lloj kur flasim si një person i shoqërisë civile apo si një qeveritar - politikan. Natyrshëm, lind pyetja nëse disa qeveritarë nxitohen disi në mënyrën e tyre të të shprehurit në publik ? A po këshillohen si duhet ? A janë të ndërgjegjshëm për gafat që bëjnë apo është një metode komunikimi e tyre ?
Tre shembuj konkretë, të marrë në aktualitetin shqiptar (median televizive dhe të shkruar) dëshmojnë që daljet publike të zyrtarëve të lartë, mbase dhe të pa përgatitura, nuk janë gjithmonë profesionale :
Së pari, Ministri i Shëndetësisë deklaronte [1] para disa ditësh në emisionin Opinion se nëse sëmuresh nga zemra përgjatë fundjavës vdes. Për fat të mirë gjatë javës në vazhdim, ky problem do zgjidhej dhe nuk do të vdisnim më përsa i përket zemrës. Domethënë gjatë qeverisjes dy vjeçare të koalicionit « ASE » jo vetëm që shëndetësia nuk u bë falas, ashtu si u premtua gjatë fushatës elektorale, por zbulojmë se situata ishte më kritike. Mund të vdisnim gjatë ç’do fundjave në rastin e sëmundjeve të zemrës, sepse nuk kemi patur shërbim mjekësor (urgjencë) për të. Dhe diçka e vërtetuar nga vetë ministri rëndon akoma më shumë çështjen e shëndetësisë dhe ngre dyshime mbi nivelin mjekësor (njerëzor dhe logjistik) në Shqipëri.
Së dyti, Ministri aktual i Drejtësisë, po në emisionin Opinion (ende jo ministër), fyente [2] në mënyrën më banale kancelaren gjermane, Angela Merkel, gruan më të pushtetshme në botë, duke paragjykuar fizikun e saj : « Për fund s’është ajo. Ajo s’është e mirë për grua…duhet të pyesim burrin e saj…noj hallexhi duhet të jetë…nana e dreqit ». Në nivelin e tij politik dhe drejtues nuk është e këshillueshme të përdoret një fjalor i tillë në daljet publike, sidomos për një shtet si Shqipëria, kur pretendojmë të futemi në Bashkimin Europian, dhe ku influencën e Merkelit e njeh e gjithë Europa dhe Bota, ashtu si dhe Kryeministri i këtij ministri. Eshtë Merkeli, ajo që të kalon ose të ngel në klasën europiane, prandaj nevojitet kujdes kur e sulmojmë atë. Dhe le të imagjinojmë pak sikur Zonja Merkel të kishte thënë një gjë të tillë ndaj ministrit të sotëm të drejtësisë apo ndonjë politikani tjetër shqiptar, çfarë reagimi do kishim ?
Së treti dhe së fundmi, Kryeministri i Shqipërisë, qëllimisht ose jo, « sulmoj » publikisht [3] median shqiptare : « Media këtu ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ashtu sikundër unë besoj se media nuk mund të sillet si lulja mos më prek ». Mbase pas reagimëve të Kryetarit të Parlamentit [4] dhe të OSBE-së [5], ai u detyrua të tërhiqet [6] : « Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet te jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit ! ». Të shpifësh, nuk është aspak profesionale dhe është e nevojshme të përmirësohemi në këtë fushë, por të shtypësh lirinë e fjalës, është diçka anti -demokratike dhe e pa tolerueshme për një vend si ne që aspirojmë të futemi në BE.

Si përfundim, ç’do dalje publike kërkon me siguri të plotë një përgatitje serioze në prapaskenë, sidomos në nivelin e zyrtarit të lartë, sepse fjalët që thuhen ose shkruhen, analizohen dhe interpretohen, dhe kanë efekt të shpejtë (pozitiv ose negativ) në opinionin publik.

Burimi : © DARS (KLOS), MAT – ALBANIA – OPINION

REFERENCAT :
[1] Lapsi.al, 28 Tetor 2015 : « Gafa e Beqajt: Nëse sëmuresh nga zemra në fundjavë, vdes sepse nuk ka mjek në spital. »

[2] Opinion – TV Klan, 26 Tetor 2015 : « Gra të bukura dhe të pushtetshme ! »

[3] Syri.net, 11 Nëntor 2015 : « Pas kërcënimit që i bëri medias dje, Rama rikthen shpifjen vepër penale. »

[4] Panorama, 12Nëntor 2015 : « Shpifja, Meta : Ka një keqkuptim, besoj se do të ketë reflektim. »

[5] Tema, 12 Nëntor 2015 : « OSBE : Parlamenti ta refuzojë nismën e qeverisë për shpifjen.»

[6] Shqiptarja.com, 12 Nëntor 2015 : « Shpifja, Rama : Ndjesë ! Dënimi për gazetarët ishte keqkuptim. »

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat