Reformën në Drejtësi nuk e kryejnë dot vetë:as shoqëria, as politika shqiptare

Opinione

Reformën në Drejtësi nuk e kryejnë dot vetë:as shoqëria, as politika shqiptare

Nga: Nga Skënder S.KAPITI Më: 17 janar 2016 Në ora: 09:31

Nëse Reforma në Drejtësi do t’i lihej në dorë vetëm politikës dhe shoqërisë shqiptare do të ishte një dështim i sigurtë i saj, ashtu sic dhe ka dështuar deri më sot po për shkak të politikës edhe konsolidimi i sistemit të demokracisë, edhe ndërtimi i shtetit demokratik me standarte moderne shtetformuese. Dy krahët e politikës gjithnjë në këto 25 vite tranzicion sa herë e kanë marrë pushtetin politik gjënë e parë apo “reformën”e parë që kanë bërë ka qenë reforma e kapjes së sistemit të drejtësisë. Prandaj vetëm ndërkombëtarët, ndërhyrja vendimtare e tyre sidomos e SHBA-së mund ta bëjnë një reformë drejtësie të vërtetë duke e cliruar sistemin e drejtësisë të kapur nga politika, krimi dhe korrupsioni.

Në këtë periudhë tranzicioni Sistemi i Drejtësisë ka degraduar shumë rëndë, madje shumë më keq se ai i kohës së diktaturës, pasi në atë Diktaturë dihej se Drejtësia ishte ideologjike dhe politike dhe kush shkelte ligjin politik dhe ideologjik dënohej, si ai i përndjekuri dhe armiku i klasës por edhe komunisti dhe ai që kishte biografi “të mirë” politike , pra para ndëshkimit ishin të gjithë njëlloj pothuajse. Ndërsa në këtë farë demokracie drejtësia jo vetëm që mbeti politike në shërbimin partizan të partisë që qeveris, por ajo degjeneroi edhe më keq akoma se u bë tërësisht dhe e korruptuar dhe kriminale , u bë biznesi i së drejtës dhe i ligjit, gjë e cila e ka falimentuar shoqërinë dhe shtetin shqiptar, i cili është aktualisht një shtet inercial. Këtë kanë parasysh ndërkombëtarët që këmbëngulin për reformën në drejtësi si Reformën e Reformave dhe si Reformën më të madhe domosdoshmërisht të domosdoshme pas rënies së komunizmit dhe kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë për në BE.

Në Shqipëri, por pse jo edhe në Kosovë, se të njëjtën model politik të korrupsionit ka edhe ajo, jo vetëm politika e korruptuar dhe e kriminalizuar nuk e dëshiron dhe e ka të pamundur ta bëjë reformën në drejtësi, por është gati dhe e pamundur që t’i besohet edhe ndonjë lideri të shoqatave të shoqërisë civile, apo është gati si e pamundur që të gjesh përvecse shumë rrallë këtu në Shqipëri edhe ndonjë profesionist, ekspert apo dhe ndonjë media të pa kapur nga militantizmi politik dhe nga krimi i korrupsionit sidomos.

Që është e domosdoshme Reforma në Drejtësi, këtë e dimë të gjithë dhe prandaj ngulin këmbë SHBA dhe BE, dhe e vënë si kusht për antarsimin e Shqipërisë në BE, por pengesa kryesore është politika e korruptuar dhe e kriminalizuar shqiptare. Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri ka degraduar deri aty sa duhet demontuar i tëri , mirëpo kjo nuk do të thotë që pas këtij demontimi të montohet një sistem drejtësie me të njëjtët gjyqtare dhe që t’i shërbejë padronit të ri politik në pushtet , që do të thotë se Reforma në drejtësi do të ishte vetëm fasadë.

Dhe pyesim konkretisht, se a është dakord kjo përfaqësi opozitare për reformën në drejtësi pasi ka shumë e shumë mëkate mbi kurriz, të pandëshkuara e të mbrojtura prej kësaj farë drejtësie. Duhet të themi të vërtetën se autore e kësaj gjëndjeje të drejtësisë shqiptare është ishpushteti i tetë viteve të PD, që e montoi dhe e emëroi dhe e mbrojti politikisht këtë drejtësi dhe këta gjyqtarë po që tani kërkon t’i kapë e t’i vendosë në shërbim të vet pushteti i PS; po kështu autorësinë edhe për kriminalizimin e politikës e ka po PD, si autore kryesore në aleancë apo në “Konsensus” të plotë me simotren e saj PS-në , si dy bija të PPSH-së për ndryshimit të Kushtetutës dhe të kodit zgjedhor që e bënë të dyja brenda 24 orëve në vitin 2008.

Pra PD ka frikën se mos po vepron sot PS me drejtësinë për ta kapur atë , ashtu si ka vepruar vetë ajo kur ka qene në pushtet. Pse jo, edhe mund ta bëjë ashtu si e ka bërë edhe PS kur ishte në pushtet në vitet 1997-2005, e që të bindin për këtë fakt se edhe sot shumë vendime të qeverisë aktuale i ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese, ashtu si dhe shumë vendime te ishpushtetit të PD-së të viteve 2005-2013. Pra nuk kemi akoma ndonnjë ndryshim po vetëm zëvëndësim politike të së njëjtës fizionomije. Edhe sa për shoqërinë shqiptare në tërësi, e cila akoma vuan nga letargjia e mosndërgjegjsimit për shtetin ligjor, për patriotizmin dhe për demokracinë; një shoqëri që lëviz shumë ngadalë e që ka mbetur akoma e fundit në Europë në rrugën e emancipimit demokratik, mirëqënies dhe të integrimit në BE ; shoqëri dhe prej së cilës buron vazhdimisht një politikë e tillë e papërgjegjshme, e kriminalizuar dhe e korruptuar, jo vetëm sot po që prej 100 vitesh shtet.

Nëse politika e bën karrierën dhe e fiton pushtetin me ndihmën dhe merr “borxh” dhe kredi te krimi ajo kështu e kriminalizon veten dhe bashkëpunon dhe i bindet pastaj krimit dhe kapet prej tij, dhe për këtë arsye e ka gati krejtësisht të pamundur pastrimin e vetes dhe vetëndëshkimin. Dhe një politikë e tillë nuk e dëshiron as reformën në drejtësi, pasi një drejtësi e ndershme, e paanshme dhe jo e korruptuar dhe jopolitike e ndëshkon dhe dënon edhe krimin e politikës dhe të politikanëve, të zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Prandaj po pengohet dhe po sabotohet Reforma në Drejtësi nga politika shqiptare me lloj-lloj pretekstesh dhe arsyetimesh që nuk bindin askënd, as publikun dhe as ndërkombëtarët.

Reformën në Drejtësi e pengojnë dy palët politike, pasi edhe ambasadori gjerman e konstaton dhe i bën thirrje politikanëve që nuk e duan Reformën në Drejtësi që të qëndrojnë larg. Të dy palët politike i qëndrojnë besnikë edhe sot përvojës së kaluar që në sistemin e drejtësisë cdonjëri kah politik të ketë njerëzit besnikë të vet, që do të thotë se Drejtësia duhet t’i shërbejë interesave të politikës në dëm të interesit publik, në dëm të interesit të shtetit dhe të qytetarëve; dhe një drejtësi e tillë është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare dhe për demokracisë. Pra, nëse vazhdohet dhe realizohet Reforma kështu atëhere pritshmëria është dështimi i sigurtë i saj.

Është e lexueshme se argumentet e deritanishme që nxjerrin politika dhe politikanët për Reformën në Drejtësi fshehin vetëm hipokrizinë dhe pabesinë ndër vete të politikës dhe të politikanëve si dhe faktin se kjo politika kudoshqiptare , pra jo vetem kjo në Shqipëri po dhe ajo në Kosovë , dhe që të dyja janë bërë shqetësim dhe problem shumë i rëndë së pari për shqiptarët po madje dhe për ndërkombëtarët , si një politikë as që është e interesuar as për zhvillimin dhe as për interesin e përgjithshëm kombëtar por vetëm për interesin e vet , dhe përderisa ndërkombëtarët Reformën në Drejtësi e quajnë jetike për Shqipërinë, atëhere ata që e pengojnë këtë reformë jetike, a nuk po bëjnë tradhëtinë?

Dhe po kështu edhe ajo në Kosovë si një politikë, korrupsioni i së cilës për interesin e vet ka nxjerrë në ankand pasuritë, interesin publik dhe territoret në dëm të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar, ku nga papërgjegjshmëria , paaftësia dhe tradhëtia e pushtetit, Kosova sot është në krizë, zgjidhjen e së cilës me sa duket edhe atje nuk mund ta bëjë faktori politik shqiptar, dhe ndoshta do të duhet ndihma e ndërkombëtarëve për kapërcimin e krizës, ashtu si për Reformën aktuale në Drejtesi në Shqipëri dhe për cdo mosmavarrëveshje e grindje politike gjatë këtyre 25 viteve po në Shqipëri, zgjidhjen e ka bërë po ndërhyrja e ndërkombëtarëve , ndërhyrja vendimtare e të cilëve ka shmangur dhe konflikte civile madje, si në vitin 1997 ,1998 dhe me 21 Janar 2011.

Pra duhet të besojmë dhe të falenderojmë faktorin ndërkombëtar që po këmbëgul për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, pa ndihmën dhe rolin vendimtar të tyre dhe sidomos të SHBA –së do të ishte një gjë e pamundur për ta kryer këtë Reformë , jo vetëm politika po dhe as shoqëria jonë e paralizuar nga politika dhe drejtësia aktuale e kriminalizuar dhe e korruptuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat