7 marsi, fustane për drejtoreshat

Opinione

7 marsi, fustane për drejtoreshat

Nga: Lis Bukuroca Më: 12 mars 2016 Në ora: 21:00

Një mike që në fillim ishte skeptike për konstatimin tim se dhënia e luleve mësuesve, është korrupsion, sot më shkruan dhe tregon se në qytetin e saj, përveç luleve nga nxënësit, mësuesit paskan mbledhur lekë dhe u kanë blerë drejtoreshave fustane për shtatë marsin.

Nëse kolegët blejnë një tufë lule, mund të kuptohet. Nëse kolegët blejnë një gjësend përkujtues, mund të arsyetohet dhe ruhet si kujtim, por kur kolegët të blejnë pantallona, ose fustan, atëherë është edhe poshtërim se prodhon konotacione mjerimi, nevoje dhe pamundësie për ta blerë vet.

Pra jo vetëm abuzim me fëmijët duke i detyruar t'u japin lule mësuesve, por nga epidemia e korrupsionit, qenkan përfshirë edhe krejt kolektivet e shkollave: njerëzit me fakultete dhe shkolla të larta. Nuk ka asnjë dyshim se abuzimin me fëmijë e ndalon ligji në çdo shoqërie europiane, por tek ne, duket se ndjejnë një kënaqësi të veçan dhe të pashpjegueshme, kur shohin fëmijët e ngrysur, të poshtëruar, të shfrytëzuar nga të rriturit, që mbajnë lule në banka para vete. Se është korrupsion dihet, edhe se shpërfillet akoma ajo dukuri dihet, por mund të ketë edhe tendenca tjera, që akoma nuk i njohim. Ndoshta edhe një pedofili latente shpirtërore. Nuk duhet shtuar asnjë fjalë se blerja e luleve dhe dhuratave nga nxënësi mësuesit, që paguhet për punën e kryer, është abuzim shpirtëror, pervers me të mitur. Sikur ideja të vinte nga nxënësi, me vullnetin e tij, me vendimin e tij, atëherë mund të kuptohej, por jo si veprohet, ku një kope arsimtarësh pret dhurata nga nxënësit e manipuluar. Ja një fragment nga emali i parë nga Kosova:

“i nderuar, disi me intrigove me ate minikorrupsionin, qe mund te behet neper shkolla me rastin e festave -aktuale. Doli te jete ashtu, fatkeqesisht ! Ne dy shkolla fillore ne..., arsimtaret kane mbledhur para nga koleget-mesueset, qe t u blihen dhurata (fustan) drejtoreshave. Definitivisht jemi per analize. une s pata edhe si ta bej publike, ...por u trishtova dhe s pata si mos te them se :KISHE TE DREJTE ! Ndaj, po ua them keshtu-ilegalisht, hahha klmm.”

Dy drejtoreshave kolegët u pakan blerë fustane. Bukur shumë. U duhen. Kjo dihet. Kështu mirëpo korruptohet drejtori i shkollës dhe i pezullohet mundësia për të udhëhequr objektivisht ato institucione arsimore. Drejtoreshave u duhet fustani. Kjo mund të kuptohet, por nuk mund të kuptohet se si mund të shkojë nesër në shkollë me atë fustan, që i kanë financuar kolegët. Duhet edhe pak dinjitet edhe pak sedër: fustani i kolektivit mund të prodhojë pritshmëri, shpresë për favore dhe dikush mund të kërkojë që ai fustan të vishet për një ditë të caktuar, kur kolegut i pëlqen. Në atë çast drejtoreshat humbin integritetin e vet dhe bëhet e sulmueshme dhe e përdorshme. Dhe, merreni me mend, kur kolegët që nuk kanë dashur të financojnë blerjen por e kanë bërë nga frika e organizatorit, thonë: “Shiko fustanin tonë nëpër korridor!”

Sidoqoftë në testin e PISA-së në vitin 2013 Shqipëria pat zënë vendin e fundit në Europë. Kjo nuk pengoi asnjë mësues, asnjë mësuese, që të festojë “martirizimin” në arsim, edhe atë, duke qenë të paguar, në liri, duke pasur sigurim shëndetësor dhe duke mos qenë të ndjekur nga ndonjë pushtues si kryekreje, por të përkëdhelur. Arsimi shqiptar qe rreshtuar në vendin e 57, nga 63 shtete pjesëmarrëse në test, por Shqipëria edhe këtë vit rirreshtoi nxënësit e abuzuar, kurse manipuluesit prisnin të buzëqeshur. Asnjë psikolog nuk do të kishte mundur t'u shpjegojë fëmijëve, pse ai që ka aq shumë autoritet mbi ta, duhet të marrë dhurata nga nxënësi? Pse eprori nga vartësi?

Si të rritur kemi kuptuar pse kemi hedhur lule pas shputave të Enverit dhe Titos. Kemi kuptuar atëherë apo me vonesë, pse duhej përkulur kurrizin para diktatorëve, por si t'i shpjegohet nxënësit se korrupsioni dhe bakshish-mentaliteti, duhet mësuar në shkollë? Këtë duhet ta shpjegojë një sociopsikolog.

Politika shqiptare duhet ta kuptojë dhe ndalojë manipulimin me nxënës dhe ta riemrojë festën si Ditë të Shkollës Shqipe, çfarë në fakt ishte, por jo ditë të mësuesit. Gjendja jonë në mars të vitit 2016 ishte kjo: shkollat fillore më të dobëta në Europë. Shkollat e mesme më të dobëta në Europë. Fakultetet më të dobëta në kontinent, por ata që prodhojnë mediokritete falënderohen, shpërblehen dhe festohet DITA e atij MËSUESI. Dikur talleshim me kremtimin e serbeve të luftërave të humbura, ne festojmë ditën e mësuesit, që alfabetizon fëmijët, por nuk është në gjendje as t'i edukojë, as tua mësojë gjuhën shqipe, e as t'i arsejë si duhet. Ne festojmë mediokritetin me idiokracinë tonë.

Sidoqoftë urime atyre dy kolektivave në Kosovë, që paskan pasur ide aq origjinale dhe paskan blerë fustane për drejtoreshat dhe vet paskan marrë lule nga nxënësit. Vitin e ardhshëm duhet më shumë se fustane. Mund të blini edhe televizorë dhe kompjuterë. Kështu keni në duar drejtoreshat.
Me profilet që po nxjerr tani për tani shkolla shqipe, më mirë të festohet dita e pastruesit të shkollës se sa e mësuesit. Duket se ai është personi më i arsimuar nëpër shkollat shqiptare. Urime Dita e Mësuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat