Disonanca kognitive: Lufta nëmes qëndrimit politik dhe privat

Opinione

Disonanca kognitive: Lufta nëmes qëndrimit politik dhe privat

Nga: Vesel Memedi Më: 14 korrik 2016 Në ora: 15:18
Vesel Memedi

Disonanca kognitive është një nga teoritë më me ndikim dhe më të studiuara në psikologjinë sociale, dhe nënkupton një stres mental ose shqetësim i lartë i një individi që mban dy ose më shumë besime, ide, ose vlera kontradiktore, në të njëjtën kohë. Disonanca kognitive është një kontradiktë e mbrendshme që krijon një strukturë të sjelljeve mjaft të hulumtuara dhe të parashikueshme të një individi ose grupi që është ose janë nën ndikim të çuditshëm të saj. Sipas kësaj teorie, qeniet njerëzore orvaten rregullisht të arrijnë konsistencë të mbrendshme nga disonanca që ekziston gjithandej në mendjen e njeriut. Një individ që ndjenë kundërthënie ose disonancë ka tendencë të jashtëzakonshme që mentalisht të jetë i shqetësuar, dhe kjo i motivon njerëzit fuqishëm të reduktojnë këtë disonancë, si dhe të punojnë aktivisht që t’u largohen situatave dhe informatave që kanë mundësi të rrisin disonancën. Njerëzit maksimalisht mundohen të reduktojnë disonancën duke ndryshuar qëndrimet, besimet, dhe sjelljet e tyre, ose duke justifikuar ose racionalizuar sjelljet, qëndrimet, ose informatat e reja që na servohen. Disonanca kognitive kryesisht është një proces i nënvetëdijes sonë, sepse ne nuk jemi të vetëdijshëm se mbajmë dy besime ose sisteme vlerash kontradiktore në të njëjtën kohë.

Asnjë qenie njerëzore nuk është imune ndaj kësaj njolle të verbër, dhe e gjith kjo ka një kosto të lartë në kohë, finansa, shëndet, si dhe në lumturinë e njerëzve në përgjithësi. Kontradikta nëmes dy bindjeve ose besimeve krijon njëfar presion vakumi që në mënyrë spontane do të krijojë një besim të tretë me qëllim që të përmbushet ky vakum. Disonanca kognitive është si një emergjencë në mendjen njerëzore. Asnjëri nuk mund ta përballoj këtë proces. Qeniet njerëzore kanë vetëm tri rrugë të ndryshme për t’u përballur me disonancën. Opcioni i parë është të ndryshojmë ose besimin ekzistues që të kuptojmë informatën e re ose të ndryshojmë infrmatën e re, ose të justifikojmë informatën e re që të përputhet me besimin ekzistues. Opcioni i dytë është të pranojmë se ju nuk keni të gjitha informatat për të kuptuar informatën që ke. Opcioni i tretë është rruga drejt çmendurisë. Kur njerëzit kanë dy realitete kundërthënëse në mendjen e tyre, atëherë ata do të shkojnë drejt çmendurisë deri në shkallën e vetëvrasjes, kërkimit të ndihmës profesionale, ose shkrirje të konfuzionit ekzistues me qetësues të ndryshëm.

Tani, ku është lidhshmëria nëmes këtij fenomeni dhe sjelljes politike? Sjellja politike është përshkrimi më i mirë i fenomenit të disonancës kognitive. Politikanët, por edhe votuesit, ballafaqohen me raste të panumërta të sjelljes së tyre politike ku përfshihet fenomeni i disonancës kognitive. Politikanët janë ata më të ekspozuarit ndaj bombardimeve të shumta të informatave të reja që nuk përputhen me qëndrimet apo informatat ekzistuese. Në politikë, këto informata janë të fuqishme të ndryshojnë qëndrimet dhe sjelljet e politikanëve në mënyrë drastike, por që nuk përputhen me personalitetin dhe karakterin e individit apo grupit, duke patur parasysh formimin e qëndrimeve dhe sjelljeve paraprake të këtyre politikanëve. Në këtë moment, paraqitet një disonancë e jashtëzakonshme kognitive nëmes qëndrimeve dhe sjelljeve paraprake, dhe ballafaqimit me informatat e reja që me automatizëm nënkupton ndryshim të qëndrimeve dhe sjelljeve, ose manipulim me informatat e reja që të adaptohen me qëndrimet dhe sjelljet paraprake.

Politikanët në Maqedoni kryesisht prezentojnë qëndrime dhe sjellje artificiale që nuk përputhet aspak me personalitetin natyral të këtyre politikanëve vendas. Kjo sjellje artificiale, me automatizëm shkakton një disonancë të fuqishme kognitive që e tërheq politikanin nga njëra ose nga ana tjetër. Orvatjet për të reduktuar këtë disonancë e detyron politikanin që të ndryshojë qëndrimin dhe sjelljet natyrale, me qëllim që të kemi konsistencë dhe përputhshmëri me informatat e reja që i servohen nga qeveria ose partia. Ilustrim më të mirë për këtë tendencë të reduktimit të disonancës kognitive erdhi nga publikimi i telefonatave të përgjuara ku në mënyrë eksplicite dhe natyrale shprehej dyluftimi dhe kundërthënia nëmes qëndrimeve dhe sjelljeve publike të politikanëve dhe asaj që shprehnin në komunikimet private. Qëndrimet se ne ‘nuk kemi para për bukë ndërsa harxhojmë për çokollatë’ është një shembull eklatant i disonancës kognitive që më në fund rezultoi me ndryshim të sjelljes duke deponuar dorrëheqje të parevokueshme. Sjellje të kësaj natyre të disonancës kognitive kemi patur me bollëk te partitë politike shqiptare, ku në njërën anë politikanët shqiptarë luftojnë për kauzën kombëtare ndërsa në anën tjetër bashkëpunojnë rregullisht me gjith ata që kanë qenë kundër kësaj kauze, ose theksojnë se janë në gjendje të ‘rrënojnë një fshat të tërrë,’ në njërën anë se janë për kauzë kombëtare ndërsa në anën tjetër tentojnë të bindin popullatën se ‘luani ka elemente kombëtare,’ në njërën anë se luftojnë për kauzë kombëtare ndërsa në anën tjetër janë ‘besnik deri në vdekje’ kundër të njëjtës kauzë kombëtare, dhe shumë shembuj tjerrë të disonancës nëmes qëndrimeve dhe sjelljeve publike dhe atyre private. Rezultati i gjith kësaj te disa politikan solli dorrëheqje nga pozicionet apo politika, te disa ndryshim të qëndrimeve dhe sjelljeve, ndërsa te disa të fundit çregullime edhe mendore.

Ballafaqimi me disonancën kognitive nuk është ekskluzivitet që karakterizon vetëm politkanët tanë, por edhe votuesit në përgjithësi. Votuesit në përgjithësi ballafaqohen me një shqetësim të jashtëzakonshëm kognitiv nëmes qëndrimit dhe sjelljes së tyre rreth organizimit politik dhe shoqërorë, dhe përfaqësimit adekuat ose joadekuat të politikanëve në përgjithësi. Votimi i një partie politike dhe zhgënjimi i përfaqësimit të votës shkakton disonancë të jashtëzakonshme kognitive te votuesit, rreth votimit paraprak dhe qëndrimit dhe sjelljes së votuesit në të ardhmen. Votuesi që gjendet para këtij shqetësimi mental duhet ose të ndryshojë qëndrimin dhe sjelljen duke votuar një parti tjetër politike që do të ishte një përfaqësim adekuat me qëllim të reduktimit të disonancës, ose të manipulojë tërrësisht me informatën e re, duke adaptuar që të përputhet me vet qëndrimin dhe sjelljen, dhe sërrisht të votojë të njëjtën parti, pavarsisht faktit se partia në fjalë mund të ketë devijuar tërrësisht nga kursi paraprak. Psikologjia sociale thekson se njerëzit kanë tendencë që mos të pranojnë se janë gabim me qëndrimin dhe sjelljen e tyre të votimit ndaj një partie politike, dhe për këtë arsye do të orvaten maksimalisht të justifikojnë ose racionalizojnë informatat e reja që janë në kundërshtim me sjelljen paraprake të votimit.

Në konkluzë të gjith kësaj, disonanca kognitive është një fenomen i pashmangshëm për qeniet njerëzore dhe shumë i parashikueshëm për shkenctarët, analistët, dhe profesionistët e manipulimit politik. Duke patur parasyshë se ky proces është automatik që ndodh në nënvetëdijen tonë pa mos qenë të vetëdijshëm, atëherë të gjith duhet kuptuar për pasojat e ballafaqimit me këtë kundërthënie mentale të të vepruarit dhe jetuarit në këtë botë komplekse. Pasojat e këtij fenomeni janë edhe më të mëdha në vendin tonë përshkak të ndryshimeve të mëdha konstante dhe radikale të qëndrimeve dhe sjelljeve të politikanëve dhe votuesve në përgjithësi. Qëndrimet dhe sjelljet e njerëzve ndryshojnë si ndrrimi i çorapeve. Të shpresojmë se kjo nuk do të rezultojë në opcionin e tretë drejt rrugës së çregullimit total për të gjith të involvuarit. Të shpresojmë se disonanca kognitive do të qetësohet në nivelin e duhur të gravitetit që e tërheq, dhe do të sjell harmoni nëmes qëndrimeve dhe sjelljeve publike dhe atyre private. Të shpresojmë se është drejtimi i duhur!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat