Vështrime nga poshtë

Opinione

Vështrime nga poshtë

Nga: Lis Bukuroca Më: 16 korrik 2016 Në ora: 11:09
Lis Bukuroca

1. Sikur në pleqëri të shqyrtoheshin të bëmat e njeriut dhe aty të merrej vendimi se a shkohet tani në fund të jetës si gjallë në parajsë apo ferr, do të kishim besuar të gjithë, por se duhet të vdiset një herë, për t'u ringritur pastaj pa këmbë e pa trup, e për të shkuar diku tjetër, vështirë të besohet. Kjo është arsyeja pse kemi mijëra religjione në botë. Janë përpjekje të njerëzimit për ta qerasur vetveten dhe për të vizatuar një iluzion, një shpresë. Zoti nuk ka nevojë ta vdesë njeriun, për ta rikrijuar si frymë. Kuptohet ëndërra e njerëzve për të fluturuar diku pas vdekjes, por vështirë të besohet se mund të shkohet diku. Nuk janë të sigurta udhëtimet pa sy dhe pa trup. Ka mundësi të bëhet ndeshje dhe njeriu të rivdesë para se të arrij në gjykatën supreme. Politeistët besonin ndryshe, monoteistët shpallën zotin babadimër dhe ai na parapëlqen vetëm si të nënshtruar. Mund të besohet se ai bën punët e veta, ne tonat. Bëjmë jetë paralele dhe nuk pengojmë njëri tjetrin. Ai nuk dëshpërohet pse ne nuk i besojmë, as ne nuk dëshpërohem pse ai nuk na beson, edhe kur vdesin tre milion fëmijë në vit nga uria.

2. Erdogani mbetet lojtar i madh në skenën botërore, por demokracia turke do ta paguajë me lirinë e reduktuar. Europa dhe SHBA do të kundërshtojnë sa për ta qetësuar opinionin, por duke parë gabimet që kanë bërë me pranverat arabe, më mirë do t'ishte të heshtin. Ashtu si heshtin edhe për Arabinë Saudite, ku për konvertim dhe homoseksualizëm pritet koka, kurse për vjedhje dora. Perëndimi duhet të pushojë me imponimin e demokracisë, edhe atë në emër të paqes. Demokracia është rezultat i iluminizmit, çfarë Lindja nuk ka përjetuar. Është shumë lehtë të shiten avionët, kompjuterët dhe prodhimet tjera industriale, por iluminizmi nuk blihet, nuk shitet, sepse është vetëdijesim. Këtë dëshmon Ballkani. Me evitimin e luftës qytetare në Turqi, shpëton edhe Europa. Miliona refugjatë, do ta kishin shpërbërë dhe 'exitet' si ajo e Anglisë, do të bëheshin njëri pas tjetrit.

3. Jemi përçarë aq në mënyrë të përkryer, sa harruam dhe rehabilituam Serbinë. Hashim Thaçi që deri dje quante Qosjen udhëheqës shpirtëror, tani i prezanton popullit udhëheqësin tjetër shpirtëror Naim Tërnavën. Në shtetet laike europiane nuk është aspak normale kryetari i shtetit të ftojë për darkë klerin dhe t'u dorëzojë krejt integritetin/autoritetin e vet edhe pse ky është votuar nga Kuvendi, kurse tjetri, as nga Kuvendi, as nga populli...Rroftë Hashimi dhe udhëheqësi i Ri Shpirtëror i Kosovës...

4. Kosova ka sot nevojë për një personalitet të pakontestueshëm, i cili do të ulte në një tryezë përfaqësuesit kryesor të rrymave të ndryshme, ku do të nxirreshin konkluzione për ardhmëri dhe pajtim. Lufta psikologjike duhet të pushojë dhe respektohet kushtetua. Nga gjendja e tanishme kemi vetëm një përfituese: Serbinë. Dhe, vetëm një humbëse: Kosovën. Për këtë marrëveshje si bazë mund të merre Kontrata Shoqërore e Rousseaus: Gjendja natyrore dhe gjendja qytetare.

5. Citat nga biografia e Thaçit në faqen e presidencës: "Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi."  Pra paska hyrë në politikë për ta emancipuar pozitën e shqiptareve ne Jugosllavi. Kjo flet për nivelin e tij dhe për këshilltarët e tij. Mjerimi intelektual nuk ka brinjë, por ka boshësi dhe është cjap shyt!

6. Nga biografia e Isa Mustafës në faqen e Kryeministrisë: “Para kësaj periudhe ka punuar si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, katër vjet ka udhëhequr me ekzekutivin e Komunës së Prishtinës dhe rreth tre vjet ka qenë drejtor i Entit për Zhvillim të Kosovës.” Me fjalinë 'para kësaj periudhe', mendohet në epokën e Millosheviqit. Kur biografia është për të ardhur keq, e telendisur, atëherë gjuha ofron mundësi tjera për ta teletisur.

Bereqetversen Hashim Oglu! Në 38 komuna gjuhë zyrtare turqishtja. Mashallah! Një për qind e popullsisë së Kosovës është turke, por sulltan Erdogani ka thënë: Kosova është Turqi dhe po vazhdon me ndihmën e Hashimit aty ku ngeli Kalifati Osman. Nuk është aspak keq kur barazojmë njerëzit me ligj, edhe kur janë një grup i vogël, por të mos krkohet e njëjta edhe për shqiptarët jashtë, është oportunizëm.

7. Nëse shqiptaret e Turqisë se bashku me kurdët dhe me ndihmen e Kosovës, Shqipërisë dhe ndonjë ndihme të vockël amerikane, pushtojmë Turqinë, atëherë nuk është pushtim, por e bëjmë për të ruajtur vëllazërinë, miqësinë dhe në vitin 2516, pasi të çlirohet Turqia, i urdhërojmë asaj të shpall Erdoganin terrorist sepse 25 vite kishte bërë rezistencë, ishte tradhtar dhe se ne kishim pushtuar popullin vëlla  për ta çliruar nga vetvetja dhe kështu, patëm shpëtuar kombin turk nga asimilimi ne rus, që patën zaptuar plazhet turke...

8. Pasi te nënshkruhet demarkacioni me Malin e Zi dhe pasi të formohet Asociacioni (Republika Serspka II), Thaçi do të dërgohet me shokë në Hagë. Ai do të kthehet, shokët do të mbeten atje. Kështu lexova sot në filxhanin e kafesë. Nëse nuk e besoni, pini një kafe dhe prapësojeni filxhanin dhe lexoni befasinë!

9. Se çfarë ardhmërie ka një shtet, kur bashkëvepron me klerin, din shumë mirë Serbia. Edhe Arabia Saudite...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat