“Grusht Shteti” në Turqi, një doganë e “Erës Erdogan”

Opinione

“Grusht Shteti” në Turqi, një doganë e “Erës Erdogan”

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 17 korrik 2016 Në ora: 12:40
Ramiz LUSHAJ

          1. “Grushti i Shtetit” në Turqi ishte i paralajmëruar edhe para tre vitesh, edhe para tre muajsh.  Gazeta londineze “Guardian”, në korrik 2013, kur e rrëzuan nga pushteti presidentin egjyptian Mohamed Morsi, e paralajmëronte si sinjal për Turqinë e Erdoganit. Gazeta amerikane “Washington Times” e 7 prillit 2016 paralajmëronte se Erdogani do puç ushatarak në Turqi për të rritur pushtetin e tij.
 
Tashti, “lira” e politikës neo-otomane dhe e islamit modern, në të dy anët e saj ka “grushte shteti”: me 15 korrik ia nisi ushtria e shtetit militar turk e me 16 korrik ia nisi Erdogani,“militari demokrat”, ky lider i shekullit për Turqinë euro-aziatike.
I pari Grusht Shteti ishte antidemokratik kunder Erdoganit, ndërsa i dyti Grusht Shteti po bahet i tillë – antidemokratik nga vet Erdogani.
E, këto dy grushtshtete në Turqi janë veçse “bubullima” që kanë me sjellë tevona “rrufenë” e një tjetër grusht shteti në Turqi, si para nji gjysëm shekulli - më 1960 apo rreth nji çerek shekulli ma herët – më 1997. Ndoshta, do të jetë ndryshe nga këta të dy. Ndoshta këto “dy grushte shteti” në një ditë apo në dy ditë kohë, janë “telenovela” më e re turke… Edhe në televizione na u duk e tillë.
           
           2.  Në këto dy grushte-shteti pati e ka “teori konspiracioni” gjithafërësh e kryesisht të stilit (neo)otoman.
Në këto dy grushte-shteti pati e ka dukuri paranoike që nga vet Erdogani kur akuzoi imamin 75 vjeçar Fetullah Gylen, mikun e kahershëm e rivalin e vonshëm, i cili prej 15 vitesh jeton në Amerikë, të cilit i janë lëshue tre mandat-arreste në Turqi dhe e kanë fut në listën e terroristëve në Turqi, etj.,
Ky dijetar e lider i Lëvizjes “Gylen” me shtrirje mbështetëse në turqi, Azinë Qendrore e disa vende të botës, i një lëvizjeje që flet për Islam të Moderuar, i një lëvizje e pranueshme për Perëndimin, deklaroi se nuk ka dorë në Grushtin e Shtetit në Turqi, se Qeveria nuk duhet të ndryshohet me forcë, po përmes nji proçesi demokratik, etj.
Në këto dy grushte-shteti pati e ka shfaqje të viktimizimit prej grushtit të shtetit si nga Erdogani dhe nga të tjerët, bashkëpunëtorë kabineti e mbështetës rrugëtimi historik-politik-fetar të tij.
 
          3.Grushtet e Shtetit në Egjypt më 2011 dhe më 2013 ishin e mbeten  paralajmërim për ish-kryeministrin e presidentin Erdogan, sepse ky donte e me sa po duket ende don t’i shembëllej Hosni Mubarakut, presidentit egjyptian të para 2011-tës, për nga kohëzgjatja në pushtet, në sjelljet ndaj opozitës turke, etj.  Në shumçka, po don të jetë edhe si Muhamet Morsi në karierën e tij politike drejt fronit të presidentit të shtetit turk, etj.  Edhe këta dy ish-presidentë egjyptianë kishin nevojë e interesa për Erdoganin. Vet presidenti i 5-të i Egjyptit, Mohamed Morsi, në vjeshtën 2012, në Kongresin e partisë së tij “Partia për Drejtësi e Liri”, e propogandoi partinë e Erdoganit, Partinë për Drejtësi e Zhvillim, si “model për demokratizimin e Botës Arabe”.
Në këta shembuj e lidhje ka udhë e gufime dhe grusht-shteti zinxhir në Turqinë e 2016-tës.
 
           4. Erdogan dhe partia e tij, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, në verën e vitit 2013, kur protestuesit antiqeveritarë që dolën në Parkun Gezi në Sheshin Taksim të Stambollit, i quajtën në metaforë si “Grusht Shteti”. Kjo iu shkoi për shtrat e shtat politik, por nji ditë do t’u shkonte dhe në prag, tek dera e Presidencës së tij, si në natën e 15 korrikut 2016.
Erdogan, si rrallë kush, e dinte fort mirë ato çka thoshte Hatam Ete, nga Instituti SETA, institut i afërt me partinë e tij (Partia për Drejtësi e Zhvillim): “Ajo për të cilën kishte pasur përpjekje në Turqi, pati sukses në Egjypt”. E, kjo thanie, u botue në disa media të botës, nga Atlantiku në Paqësor.
A thue, për Erdoganin, do të jetë i rastësishësh ky fakt i njëjtë në të dy rastet?!
Kur ndodhi “Grushti i Shtetit” ndaj presidentit Mohamed Morsi në Kajro e Aleksandri kryeministri turk, Erdogani, ndodhej me pushime verore larg kryeqytetit Ankara dhe u kthye me emergjencë nga brigjet e Egjeut duke organizuar një mbledhje të shpejtë me ministrant kryesorë të kabinetit të tij dhe e cilësoi këtë Grusht Shteti si “vrasje të demokracisë e të ardhmërisë”, po nuk i ceku aspak të metat e qeverisjes së Morsit.
E, prapë, pas tre vitesh, kur i ndodhi Grusht Shteti në Turqi, në Ankara e Stamboll, presidenti Erdogan gjendej me pushime, larg kryeqytetit të vendit?!

            5. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, për fitoren ndaj Grushtit të Shtetit të 15 korrikut 2016 duhet t’i jetë mirënjohës popullit turk, mbështetësve të tij. Këtë e thotë dhe vet Erdogani në thirrjen e tij në orët e para dhe në disa deklarata të orëve të fundit.
Ajo çka nuk e thotë Erdogani me zë e figurë, ajo çka nuk e deklaron në Ankara e në mediat e botës është fakti që Erdogani duhet t’i jetë mirënjohës dhe Euro-Atlantikës, SHBA-ve, NATO-s e BE-së.
Këto ngjarjet e ditëve të fundit në Turqi treguan dhe një herë tjetër se Turqia është një vend europian ma shumë se aziatik, se Europa e bashkuar e don të tillë. Edhe Amerika e don të tillë Turqinë: Euro-Atlantike.
Përndryshe, sido që të ishte skena apo skenari, Turqia do të ishte në valët e Grushtit të Shtetit të përgjakshëm apo të një lufte civile sin ë disa vende aziatike e afrikane. E, ndoshta, pse jo, dhe Erdogani i Turqisë do ta kishte pësuar si Gadafi i Libisë apo fqinji i tij, Sadami i Irakut.
        
            6. Sidoqoftë, Erdogani, që pa mëdyshje është mik i mirë i shqiptarëve, një nga tribunalët e Pavarësisë së Kosovës, etj.,  po shohim kah sillet në dekadat e fundit si një Ertu?rul neo-otoman i Turqisë së sotme moderne, që e ka ba Turqinë fuqi rajonale dhe popullin turk e ka kthye për veti në shumësi, pasi ky po eksporton nji lloj islamizmi demokratik populist në Lindjen e Mesme, po dhe në Gadishullin e Ballkanit, në Kosovë, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, etj.
Erdogani i fillim shek. XXI po i ikën dhe Ataturkut të fillim shek. XX, pasi Erdogani e ka gdhend emrin e vet piedestalor në Turqi e po kërkon të ketë emrin e vet dhe në historinë euroaziatike e botërore.
Erdogani po kërkon një “erë të re”, përndryshe: ”Era Erdogan”.
Këto dy grushtshteti janë “doganë” për Erdoganin, ku ai aq sa mund të marrin “liçensë” për “Erën Erdogan”, po sa kaq mund të marrin dhe “leçitje” për “Erën Erdogan”. Ai, Erdogani, si po vjen i madh, mund të ikin dhe i vogël.
 
Këto “dy grusht shteti” të ditëve të fundit në Turqi janë fati e fataliteti i Erdoganit, i cili ëndrron disi të kaluaren otomane. Njëherash, janë dhe  fati apo fataliteti i Turqisë së sotme që po ecën drejt të ardhmes moderne, euro-atlantike, edhe me identitetin e vet nacional historik otoman (sulltanor), Ataturk e Erdogan.
Turqia e sotme euro-atlantike nuk duhet t’iu ngjajë fqinjëve të vet të sotëm: as Irakut, as Sirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat