Terrorizmi nuk zgjedh mjete

Opinione

Terrorizmi nuk zgjedh mjete

Nga: Ma.Ridvan EMINI Më: 26 korrik 2016 Në ora: 14:32
Ma.Ridvan EMINI

Terrorizmi në emër të Islamit, në Evropë vetëm sa ka filluar të shpërfaq vetën. Herë në Paris,e herë në Bruksel e Stamboll, e herë në Nice, e në Londër e së fundi edhe në Munih e Ansbah. Terrorizmi si dukuri ka qenë e përhapur edhe më herët, mirëpo, që nga shembja e kullave binjake në Nju Jork nuk  ka ditur së ndaluri. Shpërthime e vrasje kanë ndodhur shpesh edhe në qytete e kryeqytete të Evropës. Shumicën e sulmeve në botën perëndimore por edhe në vende të treta të ndodhura pas 11 shtatorit, për disa vite rresht i kishte marrë përsipër Al Kaida.

Me fillimin e  luftimeve në Siri, ku u shfaq për herë të parë një organizatë e re e vetëquajtur “Shteti Islamik”(ISIS), shumicën e sulmeve terroriste të realizuara në Evropë dhe më gjerë, i kishte marrë për sipër ajo. Sulmet terroriste të kësaj organizate po marrin jetëra gjithandej globit. Dy ditë më herët një sulm i tillë i fuqishëm ishte kryer në Kabul, duke marrë jetrat e mese 90 personave.

Fronti i kësaj organizate duket se është mjaftë i zgjeruar. Mirëpo, lufta ndaj saj nuk është duke u bërë në mënyrën e duhur. Të gjitha vendet perëndimore i dënojnë sulmet e ISIS-it, por pak po bëjnë që të shuajnë tërësisht këtë organizatë. Strumbullari i kësaj organizate duket se tashmë është i lokalizuar, ndërsa të vetëfliuarit e saj duket se me anë të refugjatëve të arritur në kontinentin e vjetër kanë arritur që të futen edhe ata, ndërsa numri i tyre vetëm në Gjermani konsiderohet se tejkalon shifrën prej 3000 ‘luftëtarë’. Nën petkun e refugjatit, ata tanimë gjinden gjithandej Evropës.

Sulmet e tyre gjakatare mund të shfaqen gjithandej, duke lënë shumë viktima pas. Sulmuesit shpeshherë  janë edhe të lindur e të rritur në Evropë. Ky është rreziku edhe më i madh, pasi që të huajt(refugjatët) mund të kontrollohen më lehtë, mirëpo indoktrinimi i rinisë evropiane, kryesisht me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme është i pakontrollueshëm. Ata shpeshherë mund ta kenë një të kaluar të pastër, andaj edhe mundësitë për të detektuar personat të cilët potencialisht mund të jenë terroristë është mese e vështirë.

Taktikat kanë ndryshuar tashmë. Ato janë të të gjitha natyrave të mundshme. Por, ajo çfarë ndodhi në Nice të Francës, ishte krejtësisht ndryshe nga ato të shfaqura më parë. Zakonisht sulmet terroriste janë kryer me anë të shpërthimeve të ‘xhihadistëve’, të cilët ose kanë sulmuar me armë ose kanë veshur jelek shpërthyes, apo edhe me autobombë. Shtypja e qytetarëve në Nice me anë të kamionit ishte një taktikë krejtësisht e re kur bëhet fjalë për terrorizmin në kohët e sotme.

Evropa duke pranuar refugjatët nga Siria dhe vendet e tjera të krizës, ka pranuar bashkë me ta edhe ‘xhihadistë’ të cilët në çdo moment mund të kryejnë sulme terroriste gjithandej Evropës. Andaj rreziku nuk është tejkaluar, përkundrazi ai është në mes të secilit shtet evropian. Ajo çfarë ndodhi në Paris, Bruksel, Nice, etj, mund të ndodh edhe në vende të tjera. Ndërsa qytetarët evropian duhet të jenë vigjilent sikurse që duhet të jenë edhe strukturat shtetërore të cilat janë të thirrura për të mbrojtur rendin dhe qetësinë, dhe mbi të gjitha qytetarët e tyre. Frika mund të rritet, por atë duhet mundur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat