Politika e jashtme turke në Ballkan dhe rikonfirmimi i Kosovës drejt Evropës

Opinione

Politika e jashtme turke në Ballkan dhe rikonfirmimi i Kosovës drejt Evropës

Nga: Ma.Ridvan EMINI Më: 27 korrik 2016 Në ora: 15:34
Ma.Ridvan EMINI

Kosova si vend i vogël me një kapacitet të limituar në politikën e jashtme si rezultat i shtet krijimit të vonshëm, nuk do të thotë se nuk mund të jetë e vendosur  dhe stabile përballë stuhive politike të Turqisë nga njëra anë dhe të Rusisë nga ana tjetër. Këto dy të fundit kanë interesa të veçanta strategjike në Ballkan. Kosova është gërshetimi më i madh i interesave të tyre, andaj edhe  trysnia dhe influenca e tyre është mjaftë e madhe.

Sa i përket Rusisë, ndikimi i saj nuk mund të quhet se bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nëpërmjet mekanizmit të quajtur Serbi, Rusia ushtron presionin e saj në Kosovë. Për shumë këndë duket si absurde nëse thua se  Rusia ka interesa në Kosovë, mirëpo është realitet. Planet e politikës së jashtme ruse në Ballkan janë afatgjata. Se a janë të lëkundura këto plane, mund të themi se po. Nënshkrimi i protokollit nga ana e Malit të Zi (vend ky i njohur historikisht si një vend pro rus) me NATO-n, ka hequr dorë nga politikat e saja pro ruse, dukë bërë kthesën e madhe drejt Evropës. Këtë pikë kthese nuk do të mund ta bënte po të ishte ende pjesë e konfederatës me Serbinë. Vitet e daljes së saj nga kjo konfederatë, janë vite të vështira për këtë vend, pasi që ndikimi i Serbisë dhe vetë Rusisë në Malin e Zi ishte i shumëfishtë. Humbja e një zone të influencës siç ka qenë Mali i Zi, nga ana e Rusisë, padyshim se si objektiv tjetër për influencë është Kosova. Nga ana tjetër është tepih i kuq Serbia për Rusinë, por nuk mjafton të kesh vetëm një lojtarë në lojë. Kosova dhe politika e saj as bëhet fjalë se mund të jenë pro ruse (as sot e as nesër, por as në të kaluarën). Destabilizimi i Kosovës nga ana e Rusisë është provuar të bëhet, por një Kosovë e qetë dhe stabile dhe me politika perëndimore natyrisht se nuk është në funksion të politikës së jashtme ruse, pasi që në mënyrë automatike Kosovën e fut nën masat mbrojtëse raketore të NATO-s. Hapësira ajrore dhe gjeografike e Kosovës pavarësisht se është e vogël luan një rol kyç në politikat e mburojës raketore në Ballkan. Politika e jashtme ruse bie ndesh pikërisht në Kosovë me politikat e vendeve perëndimore, përkatësisht me Aleancën Veri-atlantike, përfshi këtu edhe Turqinë.

Nga ana tjetër politika e jashtme e Turqisë në Ballkan është mjaftë në ofensivë. Sidomos në dhjetë vitet e fundit Turqia ka investuar në Ballkan. Investimi ekonomik i saj kryesisht ka ndodh në Serbi, ndërsa investimi kulturor ka ndodh në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në Maqedoni. Kur themi investimi kulturor, bëhet fjalë për rimëkëmbjen e xhamive të vjetra në këto vende, të ndërtuara kryesisht nga periudha osmane, por edhe në ndërtimin e xhamive të reja. Invazioni kulturor nuk ndodh vetëm në xhamia, por edhe në media, këtë e bënë kryesisht nëpërmjet filmit. Serialet turke në mediat kosovare janë përtej limiteve mendore. Ato janë të dhëna dhe të ritransmetuara për disa herë brenda 24 orëve të një dite, e kjo ndodh për gjatë 7 ditëve të javës, e duke vazhduar për gjatë tërë muajit e vitit, madje një gjë e tillë ndodh tash e disa vite. Ky është një invazion kulturor i cili ndodh çdo ditë në vend. Pa dyshim se mund ta quajmë edhe një shpëlarje të trurit. Në emër të lirisë së shprehjes dhe në emër të fjalës së lirë, politika shtetërore e Kosovës nuk ndërhynë në media, andaj edhe liria e tyre duket se ka rënë prehje e një invazioni kulturor(natyrisht me dëshirë të mediumeve). Kjo ka ndodh vetëm me një qëllim, i cili është mjaftë i pamatur, pra që të kap sa më shumë shikueshmëri, pavarësisht se çfarë transmeton.

Pas tentim puçit në Turqi, tensionet dhe situata duket se ka marr një kahe tjetër. Arrestimet e shumta duket se nuk kanë të ndalur, madje atje po arrestohen jo vetëm ushtarakë edhe mësues por edhe gjyqtarë e gazetarë. Pra, këtu duket se pushteti atje i cili deri më tani nuk e ka shpërfaqur vetën në këto përmasa, edhe pse në raport me popullin kurd ka një sjellje flagrante. Kosova për dallim me Rusinë, me shtetin turk, ka zhvilluar relacione të mira shtetërore. Këto relacione janë kurorëzuar me disa investime për Turqinë në Kosovë edhe në aspektin ekonomik, ndërsa qytetarët e Kosovës nga kjo e fundit kanë përfituar një liri të lëvizjes. E kjo pa dyshim se e ka bërë që Turqia të shihet si një vend ku mund ta blesh dhe ta sjellësh lëndën e parë për çfarëdo biznesi. Kështu edhe në aspektin ekonomik përfituese është Kosova, mirëpo përfituese me e madhe del të jetë Turqia, pavarësisht kapaciteteve të blerjes së kosovarëve.  

Mirëpo, ndërhyrja e Turqisë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, nuk duhet toleruar për asnjë moment. Një tendencë e shfaqur nga Turqia disa vite më parë është ajo e ndërhyrjes në tekstet shkollore. Ndërsa së fundmi e kemi një tendencë për ndërhyrje edhe në lirinë e shprehjes. Kërkesa e bërë nga qeveria turke nëpërmjet mekanizmave të saja të instaluara në Kosovë për arrestimin e një gazetari, pse ai ka postuar në një rrjet social ca fjalë, duket se i tejkalon limitet. Pa dyshim se shteti i Kosovës duhet të rishqyrtoj raportet me Turqinë, pas kësaj kërkese dhe të analizoj me kujdes situatën e zhvilluar në Turqi pas puçit ushtarak, pasi që atje pushteti i ushtruar tanimë nga Erdogan duket se po rrëshqet drejt një diktature, për të mos thënë është duke ushtruar tashmë një gjë të tillë.

Deklarimet e ministrit të punëve të jashtme të Kosovës z.Enver Hoxhaj lidhur me kërkesën e Ambasadës së Turqisë në Kosovë për ndëshkimin e gazetarit z.Berat Buzhala, duket të jetë mjaft stabil dhe mjaftë i qartë. Kosova si shtet i vogël dhe me kapacitete të limituara në politikën ndërkombëtare, natyrisht se duhet të jetë e prerë kur bëhet fjalë për ndërhyrje në politikën e brendshme të saj. Rreshtimi i Kosovës për një Kosovë evropiane dhe pro perëndimore, do të thotë se ajo respekton lirinë e shprehjes dhe lirinë e fjalës, andaj deklaratën e ministrit z.Hoxhaj mund ta quajmë rikonfirmim për këtë rreshtim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat