Politika pa etikë është shpërdorim i politikës!

Opinione

Politika pa etikë është shpërdorim i politikës!

Nga: Albinot Maloku Më: 28 korrik 2016 Në ora: 16:51
Albinot Maloku

Me raportin në mes të etikës dhe politikës janë marr shumë studiues e teoreticient të rretheve të ndryshme ideologjike e shkencore. Rrjedha e qasjes tonë të të shtjelluarit të kësaj teme si pikënisje ka praktikat e të bërit politik me mungesë të theksuar të etikës. Politikanët shqiptar nuk është se nuk kanë lexuar asnjëherë për etikën, por që me praktiken e tyre po bëhen shkollë që etikën dhe politiken i ndajnë si dy fenomene krejtësisht të ndryshme e që faktikisht të dyja duhet të shkojnë bashkë për ta plotësuar njëra tjetrën.

Marrëdhënia e etikës dhe e politikës siç e thamë është çështje e shqyrtuar nga shumë teoreticient të shkencave politike e sociale në përgjithësi, mirëpo kjo çështje është shumë aktuale për kohën në të cilën po jetojmë, si në aspektin brenda-shtetëror por edhe në atë ndërkombëtar. Parimet të cilat i parashtron etika nuk po i merr në konsideratë politike e përkundrazi po demonizohet politika si fenomen pa etikë. Kjo gjë po bëhet aq irrituese sa dita-ditës opinioni i gjerë po i pranon tamam si fenomene të ndara që nuk kanë asgjë të përbashkët. 

Këtu lindë pyetja a kanë vlerë parimet etike në politikë si në fushat tjera çofshin ato individuale ose kolektive të veprimit, ose mos ndoshta politika është diçka ndryshe? Nëse politika nuk është subjekt i parimeve etike dhe rregullave që i përfshijnë fushat tjera, atëherë politika qenka krejt jo etike, ose ndoshta ka një etikë dalluese të politikës! Neve na intereson çështja e raportit të etikës dhe politikës, e etikës patriotike, e gënjeshtrës në politik, e pa dëgjueshmërisë qytetare, e dhunës politike si edhe të etikës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Etika dhe politika – shumë do të thoshin që janë krejtësisht dy fenomene të ndryshme, e sidomos në hapësirat tona shqiptare, dhe kjo nga se që të dyja fenomenet po relativizohen dita – ditës. Fryma politike në vitet e fundit ndër këto hapësira e ka përkryer mendimin se këto dy fenomene nuk puqen mes veti. Është krijuar përshtypja se ka një etikë dalluese për politikën dhe se etika që e njohim botërisht si shkencë e të eksploruarit dhe të studiuarit të standardeve të moralit, kritereve themelore të të jetuarit me vlera morale, dallon nga etika e politikës. Ky është dëmi më i madh që në këto dy apo tre dekadat e fundit intensivisht po ia bënë politikës e të bërit politik, politikanët me sjelljet e tyre jo etike në politik. Politika po mendohet si zotësi e të vepruarit pa etikë e moral, pa standard vlerësimi, pa respekt ndaj normave fondamentale njerëzore. Kjo është baza nga e cila ka filluar të mendohet për etikën e politikës.

Si lëndë etika politika është pjesë kurikulës së çdo fakulteti të shkencave politike e edhe sociale në përgjithësi, por si e tillë në të njëjtat fakultete të hapësirës shqiptare nuk studiohet. Konfrom kësaj shkollën për këtë e luajnë politikanët që etikën vetëm e kanë dëgjuar dhe nuk e njohin në veprimtarin e tyre politike dhe si e tillë kjo “mësimdhënie” e tyre po pranohet si e pranuar ose se “kështu është politika, ajo nuk ka etikë”.

Politika e cila zhvillohet në hapësirën shqiptare ka nevojë për evolucion të vazhdueshëm, real dhe të qëndrueshëm në rivlerësimin, rinovimin dhe rindërtimin e saj mbi vlerat themelore që proklamon etika politike. Konstatimi se politika pa etikë është shpërdorim i politikës vije si pasojë e veprimeve jo etike në politikë. Definicioni i politikës si përgjegjëse ndaj problemeve të shoqërisë, të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve për ndryshimin, duhet të jetë shtytësi kryesor i vënies së standardeve etike si parimi kryesor i funksionimit të politikës në shoqëri. Shteti e shoqëria jonë ka nevojë pa dallime ideologjike e politike, të reja apo të vjetra për veprime etike brenda politikës. Një politikë pa etikë, është mos vlerësim i vlerave kombëtare, shtetërore, moderne e tradicionale.

Nisur nga problemet shoqërisë së sotme, e sidomos ato ekonomike e financiare që e kanë tronditur botën, të vepruarit e të menduarit e politikës pa etikë, mbyt shpresën dhe vullnetin për të tentuar angazhimin për ndryshimin e çdo gjendjeje negative në shoqëri.

Në kuadër të këtij mendimi, mund të themi se të inkuadruarit e etikës në politikë është i domosdoshëm dhe i shumë kërkuar nga të gjitha shtresat shoqërore në hapësirën shqiptare dhe si e tillë etika dhe politika duhet të ngjiten fortë mes veti për të jetësuar, nëse asgjë tjetër, shpresën në një të ardhme të ndershme për vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat