Gazetaria shqipe është e sëmurë

Opinione

Gazetaria shqipe është e sëmurë

Nga: Gëzim Mekuli Më: 14 gusht 2016 Në ora: 10:28
Gëzim Mekuli

Gazetaria shqipe është dogmatike. Gazetaria politike shqipe është e sëmurë. Ajo është e infektuar nga tregimet erotike dhe nga gazetaria sportive. Gazetara shqipe vuan nga cektësia dhe mungesa serioze e “rëndësisë”. Simptomat e kësaj gazetarie janë: “mentaliteti tufë”, “skandalet”, “konfliktet”, dhe trullosja nga lajmi.

Si pasojë e këtij komunikimi, politika po budallakizohet dhe fuqia e politikës po dobësohet. Sëmundja ka përfshi dhe ka dëmtuar mbulimin e lajmeve. Sëmundja ka kaluar tek debatet televizive si dhe tek opinionistët/analistët politik: Kohë nuk ka, shërimin duhet gjetur.

Gazetaria e Tiranës dhe Prishtinës nuk ka plotësuar kërkesat kryesore profesionale dhe, nuk ka njohuri të mjaftueshme për të kuptuar rolin e saj si aktore politike në punën e tyre. Thënë ndryshe: Gazetarët shqiptarë janë një bandë amatorësh që, si lëmoshë, u është falë një pjesë e mirë e fuqisë politike - dhe kjo është serioze për hapsirën tonë publike.

Po, akuzoj gazetarinë shqipe sepse kjo po e shmangë vëmendjen publike nga çështjet politike në personifikim të politikanëve. Mendoni se është e rastësishme bërja publike e përgjimeve telefonike të njerëzve kryesorë të politikës së Kosovës? Mendoni se bërja publike e përgjimeve është e padjallëzuar dhe qëllim-mirë. Dyshoj! Dihen kriminelët dhe banditët e qeverive të Kosovës edhe para këtyre përgjimeve. E keni ndjekur kritikën e partisë opozitare, Vetëvendosje? Keni harruar se si ajo argumentonte dhe specifikonte krimin e këtyre njerëzve? Pse tani ky shpërqendrim i opinionit nga çështja politike (shenjimi i kufirit me Malin e zi), tek fokusimi në person: Tek Adem Grabovci, tek Hashim Thaci, tek Kadri Veseli e tek banditët e tjerë?!

Është bërë zakon i gazetarëve shqiptarë, që sapo një politikan të jetë shprehur në publik, këta menjëherë fantazojnë një interpretim autoritativ të politikanit dhe pyesin se “çfarë po ndodh brenda kokës së tij” dhe se “çka në të vërtetë, është duke u përpjekur për të arritur ai”. Gazetarët zgjedhin këtë mënyrë për të folur rreth politikanëve, në vend se të flasin drejtëpërdrejtë me ta. Ata kapen më shumë për individët, intrigat dhe lojërat e pushtetit, sesa me atë, që në fakt është duke ndodhë me ne si qytetarë: siq janë çështjet politike, argumentet, dilemat, dështimet...

Votuesit janë, kryesisht, të preokopuar me çështjen, jo me lojën. Shikuesit televiziv duan të kenë politikanë të cilët paraqesin zgjidhjet e tyre politike, e jo grindjet dhe veçoritë e tyre personale. Politikanët duhet të vënë përpara mendimet e tyre në mënyrë të duhur. Por, mungon gazetari dhe gazetarja e painfektuar. Kjo logjikë mediatike po sajon politikanët dhe po brymosë procesin e keq politik. Kjo gazetari e sëmurë po krijon edhe të mënduarit kolektiv…

Cfarë politikanësh e cilin proces politik po sajon kjo gazetari?

Politikanët po përkeqësohen, ndërrimi i fjalëve në publik po budallakohet dhe njerëzit janë më pak të angazhuar në politikë sesa që ishte dashur të jetë.

Këta, ndoshta, edhe e duan një situatë të re, ku: "Gazetaria dhe politika vendosin për «të bërë njëri-tjetrin të pastër e të mirë". Kjo është e keqe. Këtë përkeqje itnelegjente kolektive e pashë dhe e përjetova vet sa isha në shtëpi në Kosovë, e në pushime, në Shqipëri.

Gazetarët shqiptarë duhet ta dinë se nuk janë spektatorë të lojës politike. Ata janë edhe lojtarë aktiv, të cilët vëndosin në skenë lojën politike dhe, janë ata që po bashkëndihmojnë për të krijuar realitetet e rrejshme politike. Këta janë aktorë politik. Vështrues janë më pak por, këta njëkohësisht po kontrollojnë edhe mediat e tyre. Si pasojë ne po bëhemi më budallenjë dhe më dekadent.

Pse e them këtë e pse mendoj kështu ?

Gazetarët flasin shumë për qytetarët që përbuzin politikanët - përbuzje që këta e kanë ndihmuar në mënyrë aktive për të krijuar. Atë, që gazetarët shpesh nuk e shofin, është se këta kanë tërhequr vehten në këtë përbuzje. Sondazhet dhe reagimet e qytetarëve na tregojnë se përbuzja ndaj gazetarëve dhe medias është një fenomen po aq i përhapur në shoqërinë tonë sa edhe përbuzja ndaj politikanëve.

Për një debat më të mirë politik në Tiranë e Prishtinë do të duhej:

1. Shfuqizimin e diktaturës së opinionistëve/analistëve. Le të kemi më pak gazetarë-specialistë, të cilët do t’i tregoni popullit « të vërtetën » me lugë çaji.

2. Hedhja në plehra e shumë udhëheqësve të emisononeve debatuese, që paguhen me mijëra euro nga grupet e ndryshme të interesit.

3. Bërja e disa lloje të programeve të lajmeve dhe të debateve. Të krijohet hapsirë dhe kohë për debatet me mundësi për arsyetime e argumentime të mëtejshme publike për çështjet më komplekse kombëtare.

4. Ringritja e informimit publik si dhe bërja e disa programeve televizive, të cilat kanë të bëjnë për të gjitha çështje politike, çfarë palët mendojnë rreth tyre, e jo për politikanët dhe lojërat në mes tyre.

5. Më shumë debat për media në media. Është koha e fundit që gazetarët të zgjasin mandatin e tyre për kritikën dhe të jenë, gjithashtu, kritik për gazetarë të tjerë.
Në fund fare; Politikanët kurrë nuk do ta rimarrin fuqinë e tyre që e dorëzuan dhe, gazetarët kurrë nuk do ta pranojnë se ata kanë një rol djallëzor në politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat