Pronarët e Havzi Nelës, Edi Rama dhe unë

Opinione

Pronarët e Havzi Nelës, Edi Rama dhe unë

Nga: Rexhep Shahu Më: 28 gusht 2016 Në ora: 21:54
Rexhep Shahu

Pasi botova shkrimin, Havzi Nela vazhdon të lëkundet i varur në litar, reaguan në mënyra të ndryshme ato që vetquhen apo vetshpallen pronarë të Havzi Nelës dhe filluan të më tregojnë mua e të tjerëve se si duhet të flasim, të shkruajnë e si duhet të sillen njerzit e vdekur e të gjallë me Havzi Nelën, sa e si e deri ku kemi të drejta të merremi me Havzi Nelën.

Mua që nuk reagova, nuk fola, nuk protestova, nuk ulërita, nuk i dola asnjë tanku para që të paktën ta pështyja, nuk u dogja me benzinë si ai fansi i Edi Ramës për lekët e burgut dhe për sjelljen në pushtet të Partisë së Edi Ramës, kur e varën Havzi Nelën, sot nuk ka turk a kaur që ma mbyll gojën, edhe pse Edi Rama më ka dënuar me përbuzje, lëçitje e uri, duke më dëbuar me dhunë prej hises time të shtetit që në nëntor 2013.
Kush janë pronarët e Havzi Nelës. Unë nuk jam pronar i tij. A ka ndonjë pronar ai? A e rren mendja ndokënd se vertetë mund të jetë apo të bëhet pronar i Havzi Nelës? Kush sillet si pronar i Havzi Nelës, sikur e ka me tapi Havziun dhe gjithë trashëgiminë e jashtëzakonshme që ai ka lënë për lirinë, trashëgimi të fituar me çmimin e jetës, gjë të cilën e kanë bërë pak njerëz të kësaj bote.

Aq sa mund të jetë ndokush pronar i lirisë aq është pronar i Havzi Nelës. 
Aq sa mund të jetë dikush pronar i të vërtetës aq mund të jetë pronar i Havzi Nelës. Nëse thotë dikush se jam pronar i të vërtetës, do ta pranojmë se ka aksione pronësie mbi Havzi Nelën, njeriun që e kanë varë në litar me 10 gusht 1988 në skajin verior të qytetit të vogël të Kukësit, në një vend që kurrë se bëmë shesh të tij, as të shenjtë, dhe s’e kujtuam, që e kanë lënë të varur natë e ditë që ta shihnin njerzit e të zinin mend, të mos guxonin të mos i besonin partisë a të dyshonin te partia. Në fakt vetë sigurimi e policia sekrete shkruajnë se pas varjes së Havziut u shtuan pëshpëritësit e ata që dyshonin te Partia e Punës Shqipërisë, disa prej të cilëve i njoh nga afër.
Di se askush nuk është pronar i Havzi Nelës. Ai nuk ka pranuar të ketë pronar kurrë dhe kjo ka qenë vlera më e madhe e tij. Ai nuk ka pranuar të ketë tutor, t’ia fusin gishtat në hundë, ta bëjnë lopë. Përkundrazi ishte aq shumë naiv, aq i bindur në vetën e tij sa në përballje me deshmitarët në gjyqe ai nuk mohon asgjë, pranon me qetësi çdo gjë që i thonë, bile edhe shtesat e spiunëve e bashkëpunëtorëve i pranon. Në burgun e gjatë u kualifikua e çertifikua si disident politik, qëndrestar, dashnor i lirisë. Ata që kishin rezerva në burg ndaj tij, mbetën gjallë, ai u var. Partia nuk varte miqtë e bashkëpunëtorët e sigurimit, ato i linte gjallë se i duheshin të spiunonin e të përgjonin njerzit antiparti si armikun Havzi Nela.

As nëna e tij, e vetmja për të cilën ai qau dhe e vetmja besnike për të, tek e cila ai u nis të shkonte pa leje prej internimi se e kishte marrë malli apo se e ndjente trokun e orëve të fundit të jetës, as ajo nuk ishte pronare e tij edhe pse e e kishte sjellë në këtë jetë. 
Unë, jo e jo, nuk kam asnjë të drejtë mbi të. 
Pronarët e vetshpallur të Havzi Nelës, pronarët e herojve në tërësi, ata ose baballarët a nënat, motrat apo vëllezërit, dajët apo hallat e të cilëve janë mëkatarë në një mënyrë a një tjetër dhe roje të mëkatit, (mëkati është i shumëllojshëm dhe mëkat është përshembull edhe sot me lëpi eshtrat e Havzi Nelës, me u ngatërrue për paret e Havzi Nelës, për sponsorizimet për Havzi Nelën, dhe me lëndue apo kërcënue të tjerët si argatë të vdekjes së Havzi Nelës, nisur nga thashethemet e tipit se askush nuk mori përsipër atëbotë Havzi Nelën dhe mos arratisjen e tij…), vrajnë e kthjellin pse ne të vdekshmit e të gabueshmit, ne tokësorët flasim a shkruajmë për to pa leje të këtyre pronarëve.
Unë kam shkrue shumë rrallë për Havzi Nelën dhe kjo nuk më nderon, edhe pse në tavolina kotësie kam qenë një përrua me lumin e pafund të fjalëve për të, por sa herë kam shkrue unë kam bërë llogari me vdekjen dhe me asnjë të gjallë jo. 

Sepse unë mbroj sot me shkrim qetësinë dhe lirinë time në varr.
Të më falin pronarët e Havzi Nelës por unë e kam quajtë Havziun gjithmonë hero. Ai ka mbetë i tillë përgjithmonë dhe është mbase i vetmi hero që do të vazhdojë të rritet, nuk i është ndalë asnjëherë rritja. Ndoshta kjo ka ndodhë se atë e kanë varrosë në këmbë duke e mbjellë në gropën e çelur të një shtylle betoni.
Kur kam shkrue për Havzi Nelën kam pasë parasysh se po flas me e për një njeri hero të jashtëzakonshëm që s'e ka ditë kurrë se është hero, me një njeri që po ta kishte të vetin Parisi, Londra, Berlini, Roma apo kushdo tjetër, siç e kemi ne Kukësi e Shqipëria, do ta kishin bërë kalorës lirie, do të kishin zbukurue me të sheshet e kryeqendrat e tyre. 

Bulevardi Dëshmorët e Kombit në Tiranë, që në fakt është Bulevardi i Mbretit se e ka ideuar dhe ndërtuar mbreti Zog në kundërshtim me katundarët e kohës që u dukej i madh ai bulevard pa qytet, ai bulevardi i të nesërmes së tyre të vogel, siç e kam shkruar në poezi, nuk e ka askund bustin e Havzi Nelës, siç nuk e ka askund as Formulën e Pagëzimit në një pllakë, as Mesharin e Gjon Buzukut në një pllakë, asnjë bust të vogël të Budit, Bogdanit, Bardhit, Buzukut, as të Fishtës as Migjenit edhe pse i ka vëllezërit Frashëri, por Naimi ndjehet jetim, është i vogël vetëm, i vjen vertetë turp të jetë i vetmuar dhe i paqetë dhe i zbuluar pa Fishtën dhe paraardhësit e tij, mësuesit e tij që ndritën në shekuj para tij.

Gjithë hienat që i janë sulë dikur me e gri në makinë mishi dhe me e ba shembull për të gjithë se diktatura e proletariatit është në kulmin e fuqisë së vet, gjithë hienat e tjera që ia thithën palcën në demokraci, duhen trembë, të ikin prej Havzisë se po ia thithin kocat keq.
Kur kam shkrue, e tash që po shkruaj për Havzi Nelën pa u marrë leje pronarëve të tij, unë kam detyrimin të them se diktatura dhe propaganda e saj përfide kishin për qëllim që me vrasjen e Havziut të vrisnin çdo shpresë e ëndërr të njerzve, të vrisnin jo veç fisin e Havziut por gjithë rrethin e tij të gjërë, të mbillinin frikë e përçarje në popull e në rrethin e gjërë të Havziut, të nxisnin njerzit që të bëheshin e shpalleshin anti Havzi, të mbathnin njerzit e familjes të deklaroheshin anti Havzi. Mundësisht njerzit e farefisit të Havziut t'i shkatërronin, t'i përqanin e shpërbënin keq, t'i kundërvinin kundër njëri - tjetrit për me krijue idenë se ja çfarë fisi i keq janë, ja si e luftojnë dhe spiunojnë njëri - tjetrin, ja si shkojnë keq me njëri - tjetrin sikur nuk kanë asnjë lidhje gjaku dhe nga një fis i tillë i keq del një i keq si Havziu. 
Për të arritë këtë qëllim të përqarjes diktatura angazhoi çdo individ e strukturë pa ditur ata se janë organizuar apo i ka vënë ndokush në shërbim.
Ditën që Havziu kishte ikë nga internimi në Arrën dhe deri sa ai u kap, policia dhe gjithë strukturat e shtetit, organet e sigurimit, ushtarët e kufirit, çetat vullnetare, ROGL-të (Rojet operative të gadishmërisë luftarake) kishin marrë urdhër dhe ishin në gadishmëri të plotë, kishin çuar njerëz në çdo familje e vend që mendohej se mund të strehohej Havziu, vetëm nga frika se mos ai arratisej për në Jugosllavi. Ankthin e policisë, se ajo ishte përgjegjëse për arratisjen e Havziut nga internimi në Arrën dhe ankthin e shtetit në tërësi e mësova rastësisht nga një shpallje në kërkim dhe alarm të shpallur nga nënkryetari i atëhershëm i Degës së Punëve të Brendëshme të Kukësit. Nuk ka nga të na ikë… gjithë shtigjet janë mbathur… këto ishin fjalitë që sundonin në shpjegimet e asaj arratisje të Havziut prej Arrni. Të gjitha rrugët, shtëpitë, vendet ku mendohej se mund të shkonte Havziu u vunë urgjent nën kontroll. 

Havziu nuk kishte ndërmend të arratisej dhe nuk ishte aspak e mundimshme ta gjeje se në fakt ai nuk kishte udhëtuar për tu fshehur. Jo, ai ishte lodhë. Donte të shkonte te nëna. Kush beson në dashurinë e njeriut për nënën, kush beson te malli i njeriut për nënën e tij, kush beson se një zë i brendshëm i nënës dhe i të birit dëgjohet prej të dyve, duhet ta besojë Havzi Nelën, duhet ta besojë dhe të mos hajë mut të trillojë lloj lloj historish me tradhëtarë, spiunë e besëprerë. 
Unë e besoj Havzi Nelën, tashmë e besoj plotësisht : ai donte të ndahej me nënën, ta përshëndeste atë për lamtumirën nga kjo botë, t’ia linte asaj ato 910 lekë të vjetra që kishte pas shpirti dhe të vriste veten. Nuk e joshte asgjë më. As arratisja nuk kishte më vlerë për të. Ia kishin marrë të gjitha, të gjitha, rininë, dashurinë, lirinë. Ishte harruar prej të gjithëve. 23 vjet larg njerzve, larg të tijëve, bëhesh i huaj për të tutë e jo më për të huajt. Ata që ishin 40 vjeç e më shumë e mbanin mend kur doli nga burgu Havziu, të tjerët s'e njihnin. S'e dinin se kur dilte ne Kodër të Kollovozit Havziu e këndonte, pushonte bilbili. Borja e Kollovozi e ndalnin punën, e linin korrjen dhe dëgjonin Havziun duke kënduar... Pemës i ranë fletët / koha na u shkurtu / rini ban sefa / gjithmonë s'ke me rrnu. / Një ditë kena me dekë / e n'dhe kena me hi / kujt t'ia lamë e dashur / gjithë ket' dashuri.../.Njerzit disa ulur, disa në këmbë kudo ku ishin ndaleshin dhe e dëgjonin. Ai kishte zë shumë të lartë e të bukur... U binte gjithë veglave muzikore, fizarmonikës, çiftelisë, sharkisë, curles, ishte shahir shumë i njohur, mësues i zoti, i hijshëm, i pashëm, i shkueshëm, njeri i çliruar, i hapur. Por ishte harruar pothuaj. 23 vjet kishte qëndruar burgjeve. Ishin ndërrue gjeneratat. 15 vjet ishte dënuar në Shkodër nga gjykata e Shkodrës me prokuror nga Kukësi, pastaj 8 vjet ishte dënuar në Mirditë me deshmitarë kryesisht përmetarë e një krahinar të tijin. Nuk kishte dredhuar kurrë, nuk kishte mohuar kurrë, nuk kishte bërë lojë dyfishe kurrë, nuk ishte penduar kurrë pse ishte kundër partisë. Ai e la me fjalë e me shkrim disidencën e vet të bërë atëhere e jo si ca të tjerë që shkruajnë telenovela disidence 20 vjet pasi kanë dalë nga burgu dhe mashtrojnë vetën e fisin e tyre duke fallsifikuar e mashtruar sikur kanë bërë burg se kanë dashtë të vrasin Enverin apo Titon apo Stalinin. Letërsia e Havzi Nelës ka motër vetëm atë të At Zef Pëllumbit për ndershmërinë e mungesën e fallsifikimit. 

Pra, ishte bërë mjaft. Ishte lodhë. Poshtrimi kishte kaluar çdo kufi e limit. Kishte bërë 23 vite burg dhe ende partia nuk ishte ngopë me të, e denon edhe 5 vite internim në Arrën që ishte më izolim se izolimi, ku e ruante një pushkatar, e vëzhgonte një operativ sigurimi, ia numëronte gllenjkat e kafes e fërnetit klubisti i barakës, ia lexonte fjalët në buzë si donte vetë vëzhguesi… Arrni ku Havziu konspektonte veprat e Enver Hoxhes, ishte fundi i murit, zënie në mur.
I vdekuri s’pyet pse e qëllon edhe me një apo me dhjetë plumba. Nuk pyet i vdekuri por ai që i jep ato plumba ka me u çmendë një ditë. Ose tamam, a pyet për shiun ai që zhytet në lumë, që lahet në lumë. Kështu ishte edhe puna e Havziut. E kishin lodhë.
Thashë më sipër se Havzi Nela nuk ka patur kurrë pronar, nuk ka patur kurrë tutor. 
Këtë e dinë mirë hijenat që ia lëpijnë kockat sot e ia kanë lëpi prej dekadash.

Këtë e dinë më mirë se mirë ata që i thonin spiun në burg dhe armik apo i burgosur jashtë burgut. Por ata që e akuzonin Havziun ishin në shërbim të sigurimit se ata janë gjallë, mbetën gjallë qoftë edhe në burg ndërsa Havziut iu mor jeta me litar në qafë. Po të kishte qenë Havziu dorë e zgjatur e sigurimit të shtetit, po të kishte qenë vegël apo shërbetor i sigurimit, po të kishte qenë spiun, do ta merrte shpërblimin të paktën të mbetej gjallë.
Por për Havziun ishte vendosë në olimp. Gjithë shërbëtorët poshte olimpit do të bënin siç ishte vendosë në olimp. Siç kishte shkruar Sekretariati i Komitetit Qëndror të PPSH e siç kishte firmosë shoku Simon Stefani. E cili njeri, zyrtar, do të guxonte të mos bënte në atë kohë siç kishte thënë partia e sekretariati i KQ. Edhe sot janë gati të bëjnë ashtu siç thoshte partia tonë atëhere…

Pashë diku shigjeta të helmëta mallkimi kundër pushtetit vendor të Kukësit. Me ligësi. Kukësi, nëse nuk ka ditë ta nderojë Havziun, nëse nuk ka mundë ta nderojë, të paktën nuk e ka turpëruar, nuk e ka ulur, nuk e ka poshtruar Havziun, nuk e ka shitë, nuk e ka shëmtue.
Rrinë gjithë kohën prej një çerek shekulli duke drejtuar gishtin e akuzës kundër familjarëve të Havzi Nelës sikur ato e varën, sikur familjarët ia morën jetën, dhe kënaqen duke përgojuar, duke trilluar, duke shpifur. Nuk kanë të ngimë kundër familjarëve e farefisit të Havziut, duan të vriten e të priten mes tyre njerzit e Havzi Nelës, duan të coptohet e poshtrohet Kollovozi, Brekija, Topojani, duan të mos gjejnë kurrë qetësi e rehati familjarët e të afërmit e Havzi Nelës. 
Havziu duron çdo shpifje pasi nuk është më por dhe është imun ndaj çdo shpifje njerzish. 
Ai tashmë është atje ku nuk cënohet, është i pacënueshëm. 
Akuzojnë vëllëzërit, por vëllai sakrifikoi dhe ia ruajti krijimtarinë që bota ta mësonte Havziun poet dhe si i tillë ta rrisë mijëpërqind ndjeshmërinë ndaj tij pasi poetët janë ndërgjegje e kombit dhe shoqërisë.

Akuzojnë të afërmit se e kanë raportuar e spiunuar. Kjo është makabritet. Kjo është mënyra për me mbetë gjallë diktatura, për me mbetë gjallë e liga. Sikur këto shpifësit e akuzuesit, këto hijenat që shkoqin Havziun e duan Havziun më shumë se e kanë dashtë njërzit e tij. 
Akuzojnë ish gruan e Havziut dhe e ndalojnë me e dashtë se nuk e ka dashtë kur është dashtë me e dashtë dhe tash nuk ka të drejtë me e dashtë. Havziu e ka dashtë gruan dhe ajo Havziun por nuk i kanë lënë me u dashtë asnjërin as tjetrin sepse i dinte ato punë partia e sigurimi kë kush me dashtë kë. Ndaj ato që ngrenë gishtin e hedhin gurë mbi gruan e Havziut dhe mbi dashurinë e tyre lë të ndalen para një llake uji e ta shohin fytyrën e tyre. Ajo e do Havziun por as ajo nuk është pronare e Havziut pasi ai me gjestin e tij, me fjalët e tij e ka hipotekuar veten e tij tek pavdeksia për të gjithë ne, për të ardhmen tonë. Mos ta harrojnë filozofinë, mënyrën e veprimit të kodoshëve të partisë dhe shprehjen “kjo qenka për ta futë në parti”, “ti je për parti”. Nëse harrojmë kodoshllekun e kodoshëve të partisë do të shumëfishohen kodoshët e partive dhe vajzat a nuset e reja që “janë për tu futë në parti”.

Ata që kanë bërë krime dikur dhe kanë siguruar pushtet duke mbajtë veten se dinin gjëra të fshehta, se kishin në dorë gjëra të fshehta, sekrete, ata nuk jetojnë dot pa këtë pushtet, pa këtë presion që ushtrojnë mbi njerzit. Dhe kryesisht e ushtrojnë këtë pushtet tek njerzit që i njohin e nuk i njohin.
Deri sot duke folë për Havziun edhe e kemi helmue me shigjeta helmi. 
E kemi përdorë gjithashtu Havzi Nelën si bankë, si bankë lekësh, si minierë floriri për me nxjerrë lekë, emër e famë prej tij. Gjithçka që është bërë apo botuar deri sot për Havzi Nelën, futeni edhe këtë shkrim po deshët në këtë gjithçka por analizojeni e gjykojeni ndershëm, është komerciale, është bërë për lekë, emër e famë. Akoma asgjë nuk është bërë apo asgjë nuk është botuar nga ky shtet e kjo shoqëri për Havziun e jo për ne e për interest tona. 
Që kur për herë të parë, në zyrën e vogël të Partisë Demokratike të Kukësit prof Shefqet Hoxha kryetar i asaj partie ka fotokopjue gjithë fletoret e shkrimet e Havziut që ia ka çue vëllai i Havziut e deri sot, nuk është përmbushë kurrë detyra që kemi para Havzi Nelës për ta botuar të plotë gjithçka të tij e gjithçka rreth tij pa censurë dashurie demokratike. Pa përfillë shijet e asnjë lloj pronari përvers të Havzi Nelës që mendon dhe cakton kush ka leje me e dashtë Havzi Nelën e kush nuk ka leje me e dashtë, kush ka leje me shkrue për te e kush jo, kush ka leje me lëpi në eshtrat e Havziut e kush jo.
Ndaj bashkia e Kukësit se pari ka detyrë, mision, në dashtë me e ndje dhe me e krye, pasi ministritë tona janë jashtë loje, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një armik të diktaturës komuniste, që ta botojë të plotë, plotësisht të plotë Havzi Nelën por jo nga njerëz që shohin sa lekë fitoj unë prej Havziut për botimin e apo për bustin, apo për sheshin etj etj.

I kemi shume borxhe Havzi Nelës.
Dikur bashkë me Nazif Doklen dhe Petrit Palushin që kanë meritën se kanë nxjerrë në dritë poetin Havzi Nela, pas Shefqet Hoxhës, të cilin e ka mbajtë gjallë, e ka ruajtë dhe në një mënyrë e ka bërë të tillë për ardhmërinë vëllai i Havziut që ia ka ruajtë vjershat e fletoret në kushtet kur ishte me rrezik ta bëjë këtë gjë se mund të shkonte në kaush bashkë më Havziun edhe i vëllai që ruante vjershat e vëllait, pra dikur një grup njerzish u caktuam nga PD dhe kryetari Arif Rexhmati të miratonim një vepër arti, bustin e Havzi Nelës që e kishte bërë skulptori Ilmi Hoxha. E kemi parë disa herë, sa dinim dhe sa mundnim kemi folë, por asnjëri nga ne nuk ishte profesionist, por ishim në komision vleresimi e miratimi vetem se ishim zhurmaxhij të qytetit dhe po ta pranonim ne atë bust qyteti nuk do bënte zhurma kundërshtimi. Për hir të së vërtetës ne e miratuam. Por ajo nuk kishte qenë punë për supet tona sepse në bazë të ligjit jo kushdo mund të miratonte e ngrinte buste kudo, por duhej konkurs kombëtar, etj etj. Zëra të zëshëm qarkulluan në atë botë se mund të bëhej milioner skulptori, se nuk është figurë e pranueshme nga të tërë Havziu etj etj. Shkurt, edhe pse deshi kryetari i PD Arif Rexhmati edhe pse e mbështetem ne si komision vullnet mirë analfabetësh funksionalë, busti i Havziut nuk u bë në Kukës.
U bë hataja e gurguleja dhe u bë vijë ndarëse politike, klon me korent miratimi apo jo i propozimit që gjimnazi i Kukësit të pagëzohej me emrin Havzi Nela. Mjaft njerëz u sollën sikur po t’ia vinin gjimnazit emrin Havzi Nela ai gjimnaz do të bëhej pronë e Havziut. U tensionua pa shkak por në atë kohë ashtu do të ndodhte.
Unë kam qenë e isha kundër që gjimnazi i Kukësit të merrte emrin Havzi Nela. Nëse ka një emër që i duhet vënë një institucioni më të lartë arsimor në Kukës, ai emër sundues mbretëror është Miftar Spahia, më i madhi ndër të mëdhejtë shkrues që ka nxjerrë ai vend për fushën e letrave, do të thoja, pas Pjetër Bogdanit.
Havzi Nelës i duhej bërë një bust i madh, për ta vendosë në sheshin më të madh e atij sheshi apo bulevardi i duhej vënë emri Havzi Nela.
Erdhen te gjimanzi i Kukësit me vu një pllakë basorielief me fytyrën e Havzi Nelës. Erdhi Kurt Kola me shoqatën e tij për ta vu atë pllakë. Pafund fjalë e thashetheme, sikur janë dhënë shumë lekë dhe kanë bërë pak bronx etj etj. Gjithçka sillej vetëm rreth lekëve, kush, sa, si përfitoi. Kjo puna e lekëve të dhëna për Havzi Nelën shpesh ka prishë shumë punë, ka hapë shumë llafe. 
Nuk e deshën të gjithë të përndjekurit atë bazorelief, nuk u pëlqente, se edhe ato janë me aq shoqata sa ka parti. Dikujt i dukej i vogël Havziu për atë nder, dikujt i dukej i madh për atë nder që iu bë. 

Por dalëngadalë emri i Havziut ngjiti në gjimnaz. 
Të rinjtë nuk dinin pothuaj asgjë për të. Ai ishte dënuar herët në Shkodër e Mirditë dhe një dënim blic, një hetim blic, me urdhër nga nalt, ia mori jetën me varje në litar në publik në Kukës me 10 gusht 1988. Askush nuk u fliste të rijve me dashuri për Havzi Nelën. As sot nuk ndodh kjo. 25 vjet patëm kohë që kjo të ndodhte por nuk ndodhi, nuk bëmë ne që të ndodhë sepse ne na intereson ta mbajmë të varur Havziun dhe të mos e rehatojmë atë dhe shpirtin tonë, që të kemi një gjë në dorë, sikur po merremi me diçka të madhe. Hetuesit e tij kanë punuar pa kokëçarje që atë kohë e deri para një viti, pa i trazuar askush.
Në stil fushatash, në emër të gjasme dashurisë, të mbrojtjes e lartësimit të Havzi Nelës, dirigjentët e orkestrantët e djallit, duan të na mbushin mendjen se në kohën e diktaturës, pikërisht pas vdekjes se Enverit e mbretërimit të “butë” të Ramizit nën kujdesin e Nexhmies, nuk ishte partia mbi gjithçka, por ishin pushtetet të ndara dhe të pavarura nga partia dhe nga njëri tjetri. 
Gjykojnë sot në mënyrë të atillë sikur kemi jetuar në një demokraci përfekte që nuk ekziston askund. 
Thonë pa pushim stinë pas stine se Havzi Nelën e vari Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, duke vënë firmën krahas të tjerëve e vari Kristaq Rama, babai i Edi Ramës, që nuk u bë baba i Edit pasi ky u bë kryeministër por ka qenë gjithmonë baba i tij, skulptori që ka bërë dhjetra vepra skulpture të mrekullueshme klasike, (kujtoj psh vetëm Shote Galicën që e ka bërë sikur është e gjallë dhe flet me ty, nuk e ka bërë monstër me tu shtirë në ëndërr e me të trembë siç ka ndodhë me shumë skulptura trimash që të bëjnë me vjellë…). 

Tipi Edi Rama që nuk reagon, nuk i del zot babës do vra me bukë në gojë sepse edhe ai e di se nuk ka faj baba i tij për Havzi Nelen, edhe ai e di se nuk të merrte jetën presidiumi i Kuvendit popullor. Nëse nuk e di dhe kompleksohet të ketë turp, nëse mendon se ka faj babai i tij, të ketë turp, por asnjëhere nuk është fajtor fëmija për babën edhe kur baba apo prindi është fajtor. Baba kërkon e mundet të kërkojë ndjesë për të birin por kurrë jo i biri për babën.
Edi Rama duhet të ngrejë përmendoren e Havzi Nelës dhe tu thotë njëherësh njerzve se unë nuk kam asnjë faj edhe nëse ka bërë faj apo krime babai im se nuk mund të jenë fajtorë fëmijët për fajet që mund të kenë baballarët, nuk mund të jenë kriminelë fëmijët për krimet që mund të kenë bërë apo bëjnë prindërit. 
Edi Rama duhet ta ngrejë përmendorën e Havzi Nelës dhe me këtë veprim ti thoshte stop, mjaft, gjithë kësaj mënyre të menduari e të vepruari, gjithë kësaj mendësie komuniste që demonstron me të madhe sidomos shtresa e ndëshkuar më rëndë prej diktaturës komuniste.
Edi Rama ka mjaft dhe tepër krimet e poshtërsitë e veta dhe nëse mundeni bëjeni të përgjigjet për punët e veta dhe mos ia akuzoni babanë kot na si koti pse ka qenë pjesë formale rutinore, si përfaqësues i intelektualëve në atë presidium ku kishte përfaqësues nga kllasa punëtore, fshtarsia kooperativiste etj etj.
Nuk po e gjej dot fiks fiks si ka qenë presidiumi i kuvendit popullor por ja po e afroj shumë, ka qenë si OJQ-të e sotme me fonde të siguruara nga shteti për rroga dieta e udhëtime.

Nuk ka nevojë me marrë borxh gjëra të kqia te baba i Edi Ramës me sha e me kritikue Edi Ramën. Ka aq shumë të kqia vetë sa do të trishtohej sot, do të shpërthente dhe eksplodonte varrin baba i tij me i ditë të kqiat e të birit kryeministër. 
Nëse ju nuk doni t’ia vini në dukje të metat dhe nëse ju pëlqen t’i ketë por të mos ia thoni por të lani mut me shurrë duke ia sharë babën, duke menduar se po bëni akt demokratik dhe luftë opozitare me të vdekur, është çeshtja juaj ajo. 
Por unë po ua them se Edi Rama e bëri tritolin mjet qeverises, mënyrë qeverimi, dëboi shqiptarët nga atdheu duke i poshtruar, depërsonalizuar, duke ua nxi atdheun, duke ua bërë të pashpresë, duke ua bërë varr, dëboi shqiptarët dhe këta që ikën prej Ramës nuk ikën me mall e dashuri por me inat prej vendit. Solli depresion e trishtim, ankth e pasiguri si kurrë në histori, burgosi masivisht të vobektit, fukarej, fërkon shpatulla të fortësh, shtoi kazino e lojra fati, mbushi Shqipërinë me kultivues droge, luftoi një Lazarat e krijoi 350 të tjerë, shan pafund dhe poshtron PD e drejtuesin e saj, duke kritikuar investon, ata që ai kritikon bëjnë përpjetë siç ka bërë vete duke e kritikuar Berisha.
Ja unë jam i dënuar prej Edi Ramës, mua dhe fëmijët e mi na ka ndëshkuar, na ka lënë pa bukë, mua më ka lincuar, përbuzë më ka heqë nga puna duke më hedhë në mes të katër rrugëve se unë jam kundërshtar i hapur politik i Edi Ramës, nuk kam lidhje të nëndheshme fisnore a politike me të, kam shkruar qindra e qindra faqe kundër tij, kam bërë librin Apologji për Udhën e Kombit dhe aty e kam skanue Edi Ramën dhe atë që ai përfaqëson e ai skanim natyrisht që nuk i pëlqen, nuk u ka pëlqyer rojeve të Edit kryeministër se ai nuk di gjë çfarë i kam thënë. Unë e kam kundërshtuar sa kam mundë kur ai bënte enciklikat tallëse e mashtruese për bujqësinë, si monolog për veten e tij para një kamere e me një mikrofon në dorë dhe këtë monolog pasi e retushonte e shiste me dhunë për gjithë mediat e vendit.
Jam heqë nga puna nga ministri i bujqësisë dhe lolot e tij që i nxorën në treg vendet e punës, nga një ministër për të cilin nuk ngrihej askush në këmbë nga vartësit e tij, kur hynte në zyrë a në mbledhje, duke qenë me statusin e nëpunësit civil, nëpunës shembullor, duke qenë invalid që nga viti 1999, duke qenë shkrimtar e poet me 11 libra të botuara, libra pa urrejtje e jo si Kurbani i Edi Ramës.

Por Edi Rama që është i shëndoshë si molla n’gem, si kalë karroce dhe nuk ka asnjë sëmundje, asnjë sëmundje për be, nuk i dhëmb asgjë askund asnjëhere, i urren të sëmurët, i urren dhe dëbon nga puna ata që janë invalidë, i urren si Hitleri hebrejtë dhe po të jetë krejt krejt natë naziste, ai i futë në furrë invalidët e poetët…
Nuk është turp të jesh invalid, të jesh i sëmurë, apo jo. Unë jam invalid i aftë për punë që nga viti 1999, se më ka bërë të aftë për punë kardiokirurgu i jashtëzakonshëm, i mrekullueshëm Ajli Alushani, për hatër të të cilit unë ende i besoj mirësisë njerzore; më kanë bërë të aftë për punë kardiokirurgët e kardiologët Arben Baboqi, Ali Rifatllari, Nina Kajo, Aurora Knuti, Fedhon Meksi etj mjekë të jashtëzakonshëm, edhe pse tipa përbindësha si Edi Rama e ministri i kastravecit që thotë kastraveci rritet duke e fërkuar, e vrasin përditë mirësinë dhe vadisin dëshpërimin shoqëror. Dhe fitojnë urrejtjen e pamasë të fëmijëve të mi.
Më hoqi nga puna Edi Rama që mori pushtetin duke premtuar qeveri të moralshme, për njerzit, të drejtë, të ndershme, pa pyetur se a mund të jetojë një invalid si unë, a mund të gjeje ndokund tjetër punë një gazetar bujqësie 50 vjeçar në një vend e shtet pa media të lira, pa media të pavarura tek qeveria e tek rrjedhjet e fondeve të saj publike nga tenderat me fonde të buxhetit. 
Më hoqi nga puna Edi Rama dhe nuk më mbrojti askush as avokati i popullit të Edi Ramës as avokati i partisë, qeverisë a zotit. 
Nuk më mbrojtën dhe avokatuan as të jashtmit ambasadorë e diplomatë që paguhen nga shtetet e tyre si roje të demokracisë në Shqipëri, që japin fonde pafund për mbrojtejn e të drejtave dhe lirive të njeriut me fjalë. 

Përditë recitoj vetmevete Brehtin që thoshte se kur të vijnë të më marrin mua, nuk do të këtë më njerëz për të folë…
Kisha 8 vjet punë në atë ministri. Kisha bërë zëdhënësin mes të tjerave shkelqyeshëm. Kisha merita e kontribute për ministrinë e bujqësisë njëmijë herë më shumë se ministri që më hoqi nga puna, i cili si mjeran hiqte duart nga xhepat kur kaloja unë në koridore dhe ia kapja duart e ia shtija në xhepa duke i thënë mos i hiq duart nga xhepat prej meje se ti je profesor e unë një copë gazetar e zyrtar. O zot sa mirë që nuk jam profesor si ai ministër që kohën më të madhe të punës e kalon para pasqyrës në nevojtore duke pozuar, duke ia shkelë syrin vetes e duke pyetë të besueshmit, hë, a jam mirë, a jam veshë mirë, a dukem mirë... 
I kisha dhënë zë asaj ministrie, zë e emër fermerit shqiptar si asnjëherë, e kisha sjellë në ekran e faqe gazete si asnjëherë në këtë çerek shekulli. Mund ta provojë këtë kushdo, mund të shihen arkivat. Kisha bërë qindra shkrime, lajme kronika, emisione televizive, deklarata e komente sa ministrit aktual i duhen 40 vjet që të bëjë sa kam bërë unë në media për bujqësinë për 8 vjet, por ai nuk e bën dot sepse ka frikë nga vetja e tij dhe e tradhëton vetja e tij, ka frikë të shkojë i vetem para fermerëve pa u thënë se është në besë të Ilir Metës, i besuari e më i zgjedhuri i Ilir Metës....
Nuk ka nevojë me marrë borxh poshtërsi për Edi Ramën tek babai i tij se ai tashmë nuk jeton dhe përgojimi i një të vdekuri është mëkat i rëndë për ne që e bëjmë. 
Mjaftoj vetëm unë dhe si unë janë mijëra të tjerë që janë pa axhendë e jashtë çdo axhende të kësaj qeverie, që nuk përbejnë kauzë për askënd në Shqipërinë tonë të diktaturës së anarkisë. 

Jam shkrimtar, jam poet pa leje të Edi Ramës, të qeverisë dhe të askujt në këtë botë. Kam botuar 11 libra dhe pres të botoj edhe 3 të tjera sivjet nëse gjej sponsorizime. Kam lexues dhe jam i mrekulluar prej tyre. 
Si shkrimtar më ka heqë copën e bukës, më ka lënë pa rrogë, pa punë në shtet sikur unë nuk kam aksione në këtë shtet, ndërkohë që kam më shumë vite pune se Edi Rama, kam më shumë kontribute në shtet se ai sepse kam punuar edhe punë me rrezik të madh jete, më ka zënë edhe shembja në galerinë nr. 5 në minierën e bakrit në Gjegjan të Kukësit një verë kur punoja në galeri për me pasë mundësi me ble dy palë pantallona se isha student, teksa Edi Rama bllokmen mund të qeshë si sivllau i tij hundëgjatë bllokmen me valixhen time të drurit.
Edi Rama ka heqë nga puna 5 shkrimtarë të njohur që i di edhe unë, pa besuar se i di të gjitha. Edi Rama artist ka heqë nga puna 5 shkrimtarë. Ai harron se nëse do t’i përmendet emri ndonjëherë në këtë botë do ti përmendet si shkrimtar si bashkëautor i Refleksioneve me Ardian Klosin dhe autor i Kurbanit. Si kryeministër i vendit do të jetë thjeshtë statistikë për librin e Roland Qafokut dhe aq. 
Nuk do të mund të shënohet Edi Rama si kryeministër për ndonjë punë a vepër të madhe së veprën më të madhe të mundshme që mund të bënte një kryeministër shqiptar e ka bërë Sali Berisha duke ndërtuar Udhën e Kombit, udhën e bashkimit fizik të kombit shqiptar. E bashkoi kombin dhe nuk e ndajnë dot më bujtësit apo argatët që kanë mbetë për mëshirë në këto trojet tona shqiptare. 

Vetëm një gjë mund ta bëjë ai Rama për me mbetë në histori, të bëjë referendumin për bashkimin me Kosovën, le të jetë aty ai referendum, le të rrijë i gatshëm aty vendimi i atij referendumi. Le ta bëjë po pati takat Edi Rama këtë referendum bashkimi me Kosovën se është e vështirë, në mos e pamundur, të votojnë pro bashkimit me Kosovën komunistët shqiptarë pronarë të vjetër e të akomoduar të rinj në Partinë Socialiste të Shqipërisë se tremben nga Dushan Mugosha... 
Edi Rama nuk i ka dhënë pension special artistit më special të Shqipërisë Mirush Kabashit, propozuar nga bashkia Durrës dhe komuniteti i artistëve, sepse Mirushi është Sokrat e Sokrati është armiku i qeveritarëve i dënuar të pijë helm. Ky është një turp tjetër i Edi Ramës. Mos ia trazoni kockat e babait
Nuk i ka dhënë pension special të madhit Robert Ndrenikës se ai ka qenë deputet i Partisë Demokratike. Nuk i ka dhënë Tinka Kurtit o njerëz pension special.
E pse zgjateni te baba i tij në vorr me marrë borxh për kryeministrin.
Sa herë përmendim Kristaq Ramën apo presidiumsat e tjerë si vrasës a varës të Havzi Nelës, gabojmë sepse cënojmë rolin udhëheqës të partisë. Presidiumi nuk ishte partia.
Me mësue Enver Hoxha apo Ramiz Alia se po ia hiqni, merrni, bjerrni apo zvogëloni rolin udhëheqës e drejtues të partisë, çohen nga varret e vijnë e ju vrasin.
Askush nuk doli të protestojë asnjëherë për varjen e Havzi Nelës. Asnjë intelektual shqiptar nuk reagoi nuk foli, nuk kundërshtoi publikisht apo edhe në kafe me zë varjen e Havzi Nelës. As unë jo e jo sepse si ju të gjithë isha i indoktrinuar, kandidat për ndihmës besnik i partisë për edukimin e brezit të ri… Asnjë i burgosur nuk protestoi, nuk mori asnjë veprim radikal kundër varjes së Havzi Nelës. As ata që sot shkruajnë se në burg e hetuesi nuk pyesnin për shefin e sigurimit të rrethit dhe fallsifikojnë për të keqen e tyre e të fëmijëve të tyre duke gënjyer se i thoshin atëhere shefit të sigurimit se nuk pyes për ju se ju jeni i indoktrinuar… term ky i panjohur nga të burgosur të asaj kohe me formim e shkollim minimal.

Por unë mirëkuptoj cilindo. Duheshin bole me përkrahë Havzi Nelën e asaj kohe. A kishte atëhere Shqipëria intelektualë… A ishin plot burgjet tona me intelektualë… E pse i kërkohet Kristaq Ramës të sakrifikohej e të shkonte në litar përkrah Havzi Nelës.
Detyrohem të flas kështu kur dëgjoj sot trima pas lufte e urtarë pas kuvendi që flasin për Havzi Nelën dhe ata që i kanë bërë keq me veprim e mos veprim atij, me fjalë e me heshtje atij.
Pastaj më qortojnë miqtë kur shkruaj se nga burgjet tona njerëzit dolën më enveristë se sa ishin të tillë para se të hynin në burgje…
Nëse ndokush e ka harruar apo bën sikur, po ia kujtoj me një detaj se sa kot ka qenë Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë. 
Bilbil Klosi ishte sekretar i presidiumit e Haxhi Lleshi kryetar. Bilbili një ditë ishte në kafe dhe po vonohej. Shoku Haxhi çon njerëz ta thërrasin. Bilbili thoshtë erdha e nuk shkonte. U vonua më shumë se çduhej. Shkon te kafja vetë shoku Haxhi që ta thërrasë. Bilbili çohet dhe qortimit të shokut Haxhi i përgjigjet në këtë mënyrë “po ne çelësat e kashtës kemi o shoku Haxhi…”. Haxhi Lleshi zemërohet pa masë nga kjo fjalë e Biblilit për shumë arsye dhe ngaqë e dinte se thellë thellë kjo ishte e vërtetë, shkon e ankohet te shoku Enver. Thonë pastaj se shoku Enver e mori me të mirë plakun Haxhi por në fund i thotë, po ne kemi Partinë në udhëheqje e mbi gjithçka shoku Haxhi, apo jo… 

Nëse dikush nxjerr Presidiumin e Kuvendit Popullor mbi Partinë, nuk bën asgjë më shumë veçse avokaton krimet e partisë e të diktaturës.
Kishte vendosë Ramiz Alia dhe ishte artikulue përmes Simon Stefanit, sekretar i Komitetit Qëndror të PPSH që mbulonte, drejtonte e kontrollonte organet e drejtësisë e të diktaturës që të dënohej ashtu si u dënua Havzi Nela. Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk guxonte të bënte ndryshe detyrën formale. 
E kam thënë, edhe sot njerzit kanë ende frikë dhe jo më atëherë. Kush guxonte atëherë të thoshte jo, kush guxonte të kundërshtonte partinë. Sot teorikisht mbijnë trima si këpudha pas shiut, por atëhere nuk kishte trima të gjallë që të trimëronin e të mbeteshin gjallë. Kjo nuk duhet harruar asnjëherë nga askush.
E kjo rrenë e ligë hidhet në treg me lartësue partinë e shokun Ramiz dhe me na bindë të drejtojmë gishin e akuzës dikund tjetër, bash në atë kohë kur u hodh parulla Partia – Shqipëria dhe kjo parullë u shkrua me gurë të mëdhej në shpate malesh dhe u lye me gëlqere që të shihej më mirë e të ndriste më shumë.
Pra të dashur pronarë të Havzi Nelës ju po e shihni se nuk e rrokni dot, ju del prej duarsh, u tepron Havziu, është rrebel, i pabindur, i parrokshëm. Është njeri që nuk i ka shkruar kurrë lutje Enver Hoxhës, që nuk ka derdhë lotë dashurie e mallëngjimi e pendimi në asnjë letër drejtuar Enverit, Ramizit apo partisë.
Asnjë qytet, kryeqytet apo shtet në botë nuk ka një Havzi Nelë me kushte e rrethana si të tijat, nuk ka një poet të varur prej shtetit. Asnjë diktaturë në vendet e Lindjes nuk e ka bërë një veprim të tillë. Jemi kampionë për këtë gjë. 

Ndaj Edi Rama duhet ta ndërtojë një shtatore në një shesh të Tiranës e të Kukësit për Havzi Nelën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat