Jeni për turp, mjafton t’i rregulloni pllakën Nënë Terezës!

Opinione

Jeni për turp, mjafton t’i rregulloni pllakën Nënë Terezës!

Nga: Ben Andoni Më: 29 gusht 2016 Në ora: 22:37
Ben Andoni

Erdhi Edi Rama, si kryetar bashkie, e pas tre mandatesh iku. Erdhi Lulëzim Basha dhe iku pa asnjë lloj gjurme. Ka ardhur prej një viti Erion Velia, sërish asgjë. Nëse do të rreshtosh Ministrat e Kulturës janë të paktën trefishi i kryetarëve, që kanë kaluar pa e rregulluar dot një pllakëz përkujtimore ose të vetmin vend real të kryeqytetit pranë Rrugës së Kavajës, në një rrugicës aty, ku kanë qëndruar njerëzit më të afërt të Nënë Terezës.

Është një pllakë e thjeshtë që shkruhet në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe që bën me dije se aty kanë banuar njerëzit e Nënë Terezës. Paçka formulimit të keq në shqip, formulimi në anglisht është krejt i gabuar. Apeli për këtë pllakë bëhet vazhdimisht dhe pothuaj çdo vit nga artikullshkruesi, por më së shumti me heshtje, më rëndom me ndonjë shfajësim tinzak, të gjithë janë shmangur.

Nënë Tereza ka ‘marrë’ gjithçka sa i përket nderimeve që mundet nga Shqipëria. Aeroporti kryesor dhe i vetëm i vendit me status ndërkombëtar ka emrin e saj, spitali kryesor në vend ka emrin e saj dhe një sërë objektesh të tjera mbajnë po emrin e saj.

Kuptohet se kemi një shesh të saj, por që statueta e saj mungon, sepse pasi u hoq prej aty, aq e harruar dhe e nëpërkëmbur sa ishte, u vendos në aeroportin e Rinasit, kurse statueta e aeroportit u transferua për fat në rrethrrotullimin në Qafë Thanë.

S’duhet të jenë të shumta rastet, kur sheshe kryesore në metropole, që mbartin emra të njohur të mos kenë të paktën një pllakat, monument, statuetë, bazoreliev apo kushedi se çfarë, ë personazhit apo ngjarjes me të cilën janë pagëzuar. Por paradoksi shqiptar është se sheshi nuk e ka këtë, megjithë premtimet e vazhdueshme dhe planet e pafund, ashtu si Shqipëria ndryshe nga Maqedonia nuk ka një muze kushtuar asaj! Qoftë edhe fare modest.

Dhe, mund të hahemi t’gjithë kohën me Maqedoninë për përkatësinë e saj, që për fat e ka zgjidhur vetë Nënë Tereza me kumtimin e saj se ishte shqiptare nga gjaku, por jemi shumë më inferior me përpjekjet e tyre për ta përjetësuar këtë grua të veçantë, që i qesëndis të gjithë ballkanasit në marrëzinë e tyre.

Ndërkohë, po afron dita e Shenjtërimit të saj dhe në Tiranë e Durrës janë llogaritur disa aktivitete, ku më i madhi syresh bëhet mu në Vatikan, por t’gjitha janë krejtësisht fallco sa i përket angazhimit tonë, kur ne nuk i rregullojmë një pllakat të vockël dhe nuk i promovojmë shtëpinë ku qëndruan njerëzit e saj, t’vetmen dëshmi të gjallë të racës së saj.

Mbase kryetari i ri i Bashkisë Erion Velija në kujdesin për të mos i rrëshqitur gjëra të tilla do mundohet të bëjë diçka në ditët e mbetura. I kujtojmë pushtetarët shqiptarë se nuk kushton asgjë përveçse pak kujdes dhe vëmendje. Kaq ia kemi borxh njerëzve të Nënë Terezës që vdiqën në Shqipëri larg syve të të gjithëve në varfërinë e tyre modeste.

Nënë Tereza u lumturua më 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali II dhe ishte fituese e Çmimit Nobel për Paqen. Më ditët e para të shtatorit pritet Shenjtërimit i saj përmes një ceremoniali të zgjedhur nga protokolli i Vatikanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat